Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, mbajti të hënën një konferencë të rregullt për shtyp. Një gazetar pyeti lidhur me raportimet se një astronaut pakistanez do të marrë pjesë si specialist i ngarkesës shkencore në misionin hapësinor me ekuipazh “Shenzhou-24” dhe, pas një qëndrimi të shkurtër në orbitë, do të kthehet në Tokë me anijen kozmike “Shenzhou-23”. Si e komenton pala kineze këtë?
Guo Jiakun u shpreh se eksplorimi i universit dhe përdorimi paqësor i hapësirës, janë aspirata të përbashkëta të njerëzimit ndaj lidhen me mirëqenien e të gjithëve. Kina ka mbështetur vazhdimisht përdorimin paqësor të hapësirës, ka zhvilluar aktivisht bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë dhe ka promovuar ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët për njerëzimin në hapësirë.
Ai theksoi se Kina dhe Pakistani janë partnerë strategjikë bashkëpunimi në çdo rrethanë. Pjesëmarrja e astronautit pakistanez në këtë mision, do të shënojë fluturimin e parë të përbashkët të astronautëve kinezë dhe të huaj në historinë e programit hapësinor me ekuipazh të Kinës, si edhe vizitën e parë të një astronauti të huaj në stacionin hapësinor kinez.
Ky është një tjetër rezultat i rëndësishëm i bashkëpunimit dypalësh në kuadër të 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë-Pakistan. Kina është e gatshme të vazhdojë miqësinë tradicionale me Pakistanin, të thellojë bashkëpunimin në fushën hapësinore dhe në sektorë të tjerë, si dhe t’i çojë marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri./cgtn





















































