Kina do të vazhdojë të pezullojë tarifën shtesë prej 24 % mbi importet me origjinë nga Shtetet e Bashkuara për dy muaj, ndërkohë që mban në fuqi tarifën shtesë prej 10 %, njoftoi të hënën Komisioni i Tarifave Doganore pranë Këshillit të Shtetit.
Ky vendim, i cili hyn në fuqi në orën 13:01 të 10 nëntorit, pasqyron rezultatet dhe konsensusin e arritur gjatë takimit midis krerëve të shtetit të të dy vendeve në Uashington, bëri të ditur komisioni në një deklaratë të publikuar në uebsajtin e vet.
Një veprim i tillë modifikon masat tarifore shtesë të përcaktuara në Njoftimin nr. 4 të vitit 2025 të Komisionit të Tarifave Doganore pranë Këshillit të Shtetit, në përputhje me ligjet e vendit për tarifat, doganat dhe tregtinë e jashtme, si edhe me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas komisionit, pala amerikane ka shprehur në mënyrë të përsëritur synimin për t’i zëvendësuar tarifat, të vendosura fillimisht në bazë të Aktit mbi Fuqitë Ekonomike në Emergjenca Ndërkombëtare (i cili është shpallur i pavlefshëm), me tarifa të vendosura sipas Seksionit 301.
Komisioni theksoi që Kina do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje hapat e mëtejshëm të palës amerikane dhe do të përshtasë masat e saj kundërtarifore sipas situatës.
Vazhdimi i pezullimit të një pjese të tarifave shtesë mbi importet amerikane ndihmon në krijimin e një mjedisi politik relativisht të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për bashkëpunimin midis ndërmarrjeve të të dyja vendeve, si edhe nxit zhvillimin e qëndrueshëm e të vazhdueshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare kino-amerikane, shtoi komisioni./cgtn





















































