Kancelari gjerman Friedrich Merz i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin të pranojë zhvillimin e negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, me pjesëmarrjen edhe të vendeve evropiane.
“Pres që qeveria ruse dhe presidenti rus të bien më në fund dakord për zhvillimin e bisedimeve të përbashkëta”, deklaroi Merz të enjten për gazetarët, gjatë mbërritjes në samitin e liderëve evropianë në Dublin.
Ukraina dhe Rusia rifilluan të martën dhe të mërkurën bisedimet e drejtpërdrejta, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, në Abu Dhabi, për herë të parë pas disa muajsh.
Të enjten, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner u takuan me presidentin Putin në Moskë, në përpjekje për ta bindur atë që vendet evropiane të kenë gjithashtu një vend në tryezën e negociatave të ardhshme të paqes.
Kushner bëri të ditur se ai dhe Witkoff planifikonin të takoheshin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë udhëtimit të tyre drejt Dublinit më vonë gjatë ditës.
Zelensky: Bisedimet SHBA-Rusi kërkojnë vëmendjen e Evropës
“Duhet të sigurohemi që Evropa të bëhet pjesë e rregullt e këtyre negociatave”, deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij përpara rreth 40 liderëve evropianë të mbledhur në Dublin për samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Zelensky theksoi se bisedimet në Abu Dhabi kishin përfshirë edhe çështjen e garancive të sigurisë, një temë që kërkon vëmendjen e Evropës.
“Kur amerikanët dhe rusët diskutojnë për këtë çështje, nuk bëhet fjalë vetëm për garancitë e sigurisë për Ukrainën. Në fakt, bëhet fjalë më shumë për një lloj kuadri të ri sigurie mes Evropës dhe Rusisë”, shtoi ai.
Sipas Zelenskyt, Ukraina është në pritje të më shumë detajeve mbi marrëveshjet e propozuara.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se suksesi i përpjekjeve diplomatike në vijim “varet tashmë nga rusët dhe nëse ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë”.
Rikthehet debati për përfaqësuesin e BE-së në negociata
Ndërsa është rihapur debati se kush duhet ta përfaqësojë Evropën në negociatat e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, Merz vlerësoi se Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë aktorët kryesorë evropianë në këtë proces.
Këto tri vende, të njohura si grupimi E3, kanë udhëhequr deri më tani përpjekjet diplomatike evropiane, herë pas here me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve nga Polonia dhe Italia.
“Nuk shoh absolutisht asnjë problem që gjërat të vazhdojnë në këtë mënyrë”, tha Merz.
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron nënvizoi rëndësinë e nismave të përbashkëta të këtyre tri vendeve.
Megjithatë, liderët e tjerë të BE-së dukeshin më pak të vendosur për këtë çështje, për të cilën është parashikuar një diskutim të premten, pas thirrjes së kryeministres italiane Giorgia Meloni që të gjendet një zgjidhje.
Kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, shprehu mbështetjen për presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, si përfaqësues të mundshëm në këtë proces.
Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se, sipas rregullave të Bashkimit Evropian, rolet negociuese do t’u takonin Costas, presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe asaj vetë.
Kallas pranoi se liderët e BE-së mund të vendosin ndryshe, por paralajmëroi se arritja e një marrëveshjeje për këtë çështje do të jetë e vështirë.
© 2026 Argumentum





















































