Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar urdhërarrest dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Milan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe personin që ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, në vitin 2023.
Në një përgjigje për televizionin “N1”, gjykata konfirmoi se urdhërarresti dhe vendimi për paraburgim janë lëshuar pasi Radoiçiqi nuk u paraqit në stacionin policor më 15 nëntor, në kundërshtim me masën e kontrollit të vendosur ndaj tij.
Sipas vendimit të mëparshëm, ai ishte i detyruar të paraqitej në polici dy herë në muaj, më datën 1 dhe 15. Radoiçiqi ishte paraqitur më 1 nëntor, por nuk e kishte respektuar detyrimin në paraqitjen e radhës. Atij më herët i ishte konfiskuar edhe pasaporta.
Ndërkohë, mediat serbe kanë raportuar se Radoiçiqi është larguar drejt Rusisë pas rezultateve të zgjedhjeve, në të cilat partia e presidentit Aleksandar Vuçiq pësoi humbje përballë Listës së Studentëve. Ai është parë për herë të fundit në publik përpara zgjedhjeve të 25 tetorit, gjatë një tubimi parazgjedhor të partisë së Vuçiqit.
Milan Radoiçiqi është gjithashtu në kërkim nga INTERPOL-i, pas kërkesës së Kosovës, të përcjellë përmes UNMIK-ut.
Ai është një nga figurat kryesore të lidhura me sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë Afrim Bunjaku, toger i Policisë së Kosovës. Sulmi shkaktoi një përshkallëzim të rëndë të tensioneve në veri të Kosovës dhe në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
© 2026 Argumentum





















































