Presidenti rus Vladimir Putin ka mbrojtur krijimin e një rendi ndërkombëtar më të barabartë, duke kritikuar atë që e cilësoi si përpjekje të fuqive tradicionale për të frenuar ndryshimet në ekonominë globale. Në një fjalim në Shenzhen, drejtuar Këshillit Këshillimor të Biznesit të APEC-ut, ai vlerësoi rolin në rritje të rajonit Azi-Paqësor, kundërshtoi efektivitetin e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë dhe shprehu pritshmëri për përfitime nga një takim i mundshëm trepalësh me presidentët e Kinës dhe SHBA-së.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se ndryshimet në ekuilibrat ekonomikë dhe politikë globalë nuk po priten gjithmonë në mënyrë konstruktive nga fuqitë që kanë dominuar rendin ndërkombëtar, duke argumentuar se disa prej tyre po përpiqen të kufizojnë zhvillimin e vendeve që po fitojnë peshë në ekonominë botërore.
Në fjalimin e tij, Putin tha se instrumentet tradicionale të dominimit ekonomik dhe presionit politik kanë humbur një pjesë të efektivitetit të tyre, ndërsa bëri thirrje për një sistem ndërkombëtar të mbështetur te barazia, partneriteti dhe dialogu, në vend të ndarjeve dhe ultimatumeve.
“Në botën e sotme të trazuar, mes fragmentimit të ekonomisë globale dhe rritjes së rreziqeve ushtarake e politike, uniteti, jo ndarja; barazia, jo hegjemonia; partneriteti, jo izolimi; dhe dialogu, jo ultimatumet, janë më të nevojshme se kurrë”, u shpreh Putin.
Takimi trepalësh me Kinën dhe SHBA-në
Një nga çështjet e rëndësishme të fjalimit ishte perspektiva e një takimi trepalësh mes Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, me pjesëmarrjen e Putin, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit amerikan Donald Trump.
Kreu i Kremlinit tha se pret “përfitime të mëdha potenciale” nga ky takim, duke e paraqitur dialogun mes fuqive kryesore si një mundësi për të diskutuar mosmarrëveshjet politike, ekonomike dhe të sigurisë.
Sipas tij, forume si APEC-u krijojnë hapësira për komunikim të drejtpërdrejtë mes udhëheqësve dhe për gjetjen e kompromiseve mbi bazën e interesave të përbashkëta.
Putin theksoi gjithashtu rëndësinë e kontakteve të drejtpërdrejta mes sipërmarrësve dhe projekteve shumëpalëshe, të cilat, sipas tij, forcojnë marrëdhëniet mes shteteve.
Sanksionet dhe ekonomia ruse
Duke iu referuar sanksioneve perëndimore, Putin pretendoi se përpjekjet për izolimin ekonomik të Rusisë kanë dështuar, pavarësisht kufizimeve të paprecedenta të vendosura ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Ai tha se sanksionet, tarifat dhe kufizimet në eksporte vazhdojnë të kenë ndikim, por nuk janë më në gjendje të ndalojnë plotësisht rritjen ekonomike të Rusisë.
Presidenti rus paraqiti një bilanc pozitiv të ekonomisë së vendit, duke deklaruar se Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me më shumë se 10% gjatë tre viteve të fundit, borxhi publik është rreth 17% e PBB-së dhe papunësia mbetet në nivelin 2.3%.
Ai pretendoi gjithashtu se Rusia renditet e para në Evropë për nga madhësia e ekonomisë, ndërsa inflacioni është nën kontroll.
Në kritikën ndaj Bashkimit Evropian, Putin tha se vendet evropiane po përballen me rritje të borxhit, inflacionit dhe problemeve buxhetore, duke argumentuar se shkëputja nga tregu rus dhe burimet energjetike ruse ka ndikuar në konkurrueshmërinë e industrisë evropiane.
Ai shtoi se Rusia nuk e kishte braktisur vetë përdorimin e dollarit dhe euros, por ishte privuar nga qasja në këto monedha. Sipas shifrave të paraqitura prej tij, pesha e dollarit dhe euros në pagesat për eksportet ruse ka rënë nga 85% në vitin 2021 në 9%.
Azia-Paqësori, qendra e re e ekonomisë globale
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua zhvendosjes së qendrës së gravitetit të ekonomisë botërore drejt rajonit Azi-Paqësor.
Putin e përshkroi këtë zhvillim si një ndryshim të thellë strukturor, duke e cilësuar rajonin si qendrën kryesore të ekonomisë dhe një nga qendrat më të rëndësishme industriale e teknologjike në botë.
Sipas tij, pesha e rajonit Azi-Paqësor në tregtinë e jashtme të Rusisë ka arritur në 53%, nga më shumë se një e katërta në vitin 2014.
Ky orientim pasqyron rëndësinë në rritje të tregjeve aziatike për Moskën, në një periudhë kur marrëdhëniet ekonomike të Rusisë me vendet perëndimore janë kufizuar ndjeshëm.
Në këtë kuadër, Putin nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes Bashkimit Ekonomik Euroaziatik dhe Kinës. Ai tha se realizimi i projekteve të përbashkëta mund të zgjerojë tregun preferencial të lidhur me Rusinë deri në rreth katër miliardë njerëz.
Presidenti rus njoftoi gjithashtu se një regjim i ri preferencial ekonomik për Lindjen e Largët ruse dhe Arktikun do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
Teknologjia, tregtia dhe ambicia për vitin 2035
Në fjalimin e tij, Putin vuri theksin edhe te transformimi dixhital, inteligjenca artificiale dhe sovraniteti teknologjik, duke deklaruar se Rusia po investon në zhvillimin e modeleve të saj gjuhësore, platformave dixhitale dhe shërbimeve elektronike.
Ai tha se platformat ruse të shërbimeve urbane janë të pranishme në rreth 40 vende dhe se tregjet elektronike të vendit renditen ndër dhjetë më të mëdhatë në botë.
Putin theksoi gjithashtu gatishmërinë e Moskës për të zgjeruar eksportet e produkteve ushqimore dhe plehrave minerale në tregjet e Azi-Paqësorit, duke e lidhur këtë me kontributin e Rusisë në sigurinë ushqimore globale.
Në planin afatgjatë, ai konfirmoi se Rusia ka paraqitur kandidaturën për të kryesuar APEC-un në vitin 2035 dhe shprehu pritshmërinë që kjo nismë të mbështetet nga vendet anëtare.
Duke iu referuar perspektivës euroaziatike, Putin përsëriti idenë e krijimit të një Partneriteti të Madh Euroaziatik, të bazuar në ndërthurjen e nismave të integrimit rajonal dhe në një hapësirë më të gjerë bashkëpunimi ekonomik e gjeopolitik.
© 2026 Argumentum





















































