Grindja Turqi-SHBA për shkak të blerjes nga pala turke të sistemeve mbrojtëse ajrore ruse ka pasoja. Amerikanët ndalën dërgimin e pajisjeve për avionët luftarakë, F35. Ankara nuk u tërhoq megjithë kritikat e SHBA.
Në shenjë pakënaqësie për shkak të instalimit të sistemeve raketore ruse në Turqi, qeveria e SHBA reagoi duke ndalur furnizimin e Turqisë me materiale pajisjeje për avionët luftarakë F35. Për sa kohë qeveria turke nuk heq dorë nga sistemi i mbrojtjes ajrore ruse, S-400, furnizimet dhe aktivitetet e tjera lidhur me avionët F35 do ta ndalen, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes së SHBA. E kemi bërë të qartë, se blerja e sistemit S-400 është e papranueshme për ne. Ky është hapi i parë konkret i SHBA që ndërpret furnizimin për aleatë të NATO-s. Pentagoni theksoi në të njëjtën kohë, se dialogu për këtë po vazhdon. Kurse nga pala turke nuk ka prononcime.
Erdogan dhe presidenti rus, Putin
Shqetësimi i SHBA
Turqia ka rënë në ujdi për të blerë nga Moska sistemet raketore, S-400 për mbrojtjen ajrore. Në të njëjtën kohë Ankaraja dëshiron të marrë nga SHBA avionë ushtarakë F35, kundër të cilave teorikisht mund të përdoret sistemi raketor rus S-400. Turqia thotë, se do ta ketë gati sistemin rus nga tetori i këtij viti. Me këtë ky vend bëhet shteti i parë i NATO-s që mbështetet tek sistemet e armëve ruse, e që cilësohen si jo të përshtatshme me sistemet e NATO-s.
Sistemi rus i mbrojtjes raketore, S-400
Blerja e sistemit raketor rus është prej kohësh një mollë sherri mes Turqisë dhe SHBA. Në një analizë të revistës “Interesi Kombëtar” në korrik të vitit të kaluar, theksohet se shqetësimi më i madh i amerikanëve është “përzierja” e produktit rus me avionët amerikanë. Nëse Turqia i ka të dyja, ajo mund të testojë, se sa i aftë është sistemi i mbrojtjes kundër avionëve ushtarakë, të dhëna, të cilat Rusia mund t’i marrë përmes Turqisë.
Qeveria në Ankara i ka hedhur poshtë kritikat e aleatëve që në marrëveshjen për blerjen në vitn 2017. Ajo do t’i marrë raketat ruse në dorëzim në korrik./dw