Nga Ettore SEQUI*
Vendimi i Pekinit për të pezulluar blerjet e naftës ruse, pas sanksioneve amerikane ndaj kompanive Rosneft dhe Lukoil, është një zgjedhje ekonomike me domethënie politike të thellë. Ky hap është njëkohësisht një lëvizje taktike dhe sinjal afatgjatë, që shtrihet në kryqëzimin mes luftës në Ukrainë, konkurrencës strategjike SHBA-Kinë dhe ekuilibrit energjetik global. Nuk është një akt i izoluar: ai reflekton nevojën e dyfishtë të Pekinit për të mbrojtur sigurinë ekonomike dhe për të ruajtur hapësirën politike për dialog me Washington-in.
Koha e zgjedhur nuk është e rastësishme. Kina sapo përfundoi Plenumin e Katërt të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, ku Xi prezantoi planin pesëvjeçar 2026-2030 dhe rishikoi prioritetet strategjike. Në të njëjtën kohë, po afron një takim i mundshëm mes Xi-së dhe Donald Trump-it në samitin APEC në fund të tetorit. Në negociatat për tarifat, Kina nuk mund të lejojë tensione me Washington-in. Pezullimi i përkohshëm i naftës ruse është një gjest qetësimi dhe sinjal pragmatizmi, për të krijuar klimë më të favorshme për një marrëveshje që të dyja fuqitë kërkojnë: ulje doganash, stabilitet të tregjeve dhe qasje më të mirë reciproke në mikroprocesorë dhe lëndë kritike.
Ekonomia kineze mbetet e brishtë. Deflacioni shkatërron marzhet dhe besimin, papunësia e të rinjve rritet, dhe qeveritë lokale janë të ngarkuara nga borxhet. Prioritetet e Pekinit janë të garantojë rritje të mjaftueshme për të përmbajtur papunësinë, sidomos të të rinjve, dhe të shmangë “kurthin e të ardhurave të mesme”, që prek ekonomitë që pas zhvillimit të shpejtë bien në një periudhë stanjacioni.
Pas vendimeve të Plenumit, Xi duhet të qetësojë një shoqëri të shqetësuar. Stabiliteti i çmimeve energjetike dhe siguria e furnizimeve janë thelbësore për të përmbajtur pakënaqësinë dhe për të ruajtur rendin e brendshëm. Reduktimi i rrezikut nga sanksionet amerikane është kështu kujdes politik para se të jetë ekonomik. Pekini nuk do të prishet me Moskën, por nuk do të sfidojë rendin financiar të dominohet nga dollari. Kina flet shpesh për de-dollarizim, por e di se asnjë valutë alternative nuk mund të zëvendësojë sot dollarin në tregtinë e naftës.
Sanksionet amerikane godasin bërthamën e ekonomisë ruse, ndalojnë kompanitë të operojnë me dollarë dhe imponojnë rreziqe të drejtpërdrejta për partnerët. Sanksionet dytësore shtrijnë kërcënimin edhe për bankat, sigurimet, tregtarët dhe transportuesit. Kompanitë e mëdha kineze nuk duan të ekspozohen. Më mirë pezullim dhe ruajtje e marzheve negociuese përpara samitit Xi-Trump.
Kina vepron në tre plane:
Ekonomik: mbron interesat në negociatat për tarifat, synon uljen e barrierave dhe konsolidimin e një ekuilibri të ri në zinxhirët e vlerës.
Politik: përgatit terrenin për takimin Xi-Trump, duke shmangur gjestet armiqësore.
Strategjik: paralajmëron Moskën: bashkëpunimi vazhdon, por mbështetja nuk është e pakufizuar. Pekini nuk do të paguajë çmimin e luftës ruse as të sakrifikojë interesat teknologjike dhe financiare.
Sanksionet amerikane, të krijuara për të goditur Rusinë, dobësojnë lidhjen Pekin-Moskë. Trump e ka kuptuar këtë: deklaroi se Kina “mund të lehtësojë një zgjidhje” dhe dëshiron ta diskutojë me Xi-në. Kina, që përfiton nga vëmendja e reduktuar amerikane në Indo-Paqësor, synon tani koncesione konkrete: presion më i ulët mbi Tajvanin, më shumë fleksibilitet në eksportin e çipeve të avancuara dhe lehtësim të selektuar të doganave.
Për Moskën, pasojat janë të menjëhershme. Me Kinën dhe Indinë që reduktojnë blerjet, Rusia humb dy tregje që përthithin pjesën më të madhe të eksportit të saj të naftës. Nuk është goditje fatale, por dobësim struktural. Çdo fuçi e humbur i heq Kremlinit kohë dhe likuiditet. Është çmimi i një konflikti gjithnjë më të shtrenjtë dhe të vështirë për t’u mbajtur. Deri tani, Moska nuk ka reaguar ndaj vendimit kinez. Kremlini e di se nuk mund të heqë dorë nga Pekini, por kujdesi kinez tregon një varësi gjithnjë e më të pabarabartë. Për Ukrainën, këto dinamika hapin një mundësi. Sanksionet e reja amerikane, harmonizimi evropian mbi GNL dhe flotën ruse, dhe kujdesi kinez mbi blerjet energjetike, e bëjnë strategjinë e Putin-it më të shtrenjtë. Avantazhi rus me kalimin e kohës shkatërrohet, ndërsa Kina shndërron kujdesin në levë diplomatike. Mesazhi është i qartë: fuqia nuk gjendet më në pus, por në rrjedhat. Kush kontrollon pagesat, sigurimet dhe standardet ndërkombëtare, kontrollon shpejtësinë e parave, dhe kështu të luftës.
Në këtë ekuilibër të ri, Pekini lëviz me dy standarde: mbështet politikisht Moskën, por e kufizon ekonomikisht. SHBA-të godasin bërthamën e fuqisë ruse dhe fitojnë një kanal dialogu me Kinën, që megjithatë mbetet kundërshtari i tyre strategjik. Lufta mbetet e pasigurt, por peizazhi ndryshon: Azia nuk është më strehë për Rusinë, Kina nuk është partner i pakushtëzuar, dhe energjia është diplomacia e re e detyruar. Në këtë ekonomi të pushtetit, Kina nuk zgjedh mes Moskës dhe Uashingtonit: zgjedh veten.





























































