Serbia mes dy botëve

BULETINI I KOMITETIT TË HELSINKIT SERBI NR. 161

Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA

Rendi ndërkombëtar po kalon nëpërmjet një strukture të thellë transformimi të sistemit politik botëror dhe të marrëdhënieve tërësore ndërkombëtare, e në këtë kuadër, edhe marrëdhënieve rajonale. Kjo reflektohet edhe në Ballkan cili është njëfarë arene e garimit të aktorëve të ndryshëm (ShBA, BE, Rusi, Turqi, Kinë etj).

Vetëm disa muaj për shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ish këshilltari për sigurinë kombëtare Zbignjev Bzhezhinski e paralajmëronte Perëndimin: Megjithëse “Lufta e Ftohtë u përmbyll me fitoren e njërës palë dhe mundjen e tjetrës ecuria vendimtare nuk garantoi pasoja të lëmuara”. Për sigurimin e paqes, theksonte Bzhezhinski, ishte i nevojshëm “një vizion gjeopolitik me afat të gjatë” në mënyrë që të sigurohej qëllimi ambicioz: “dukuria e Rusisë postimperiale e cila është në gjendje të zërë vendin e saj të vërtetë në koncertin e kombeve udhëheqës në botë”.

Për rikthimin e saj në skenën globale Rusia është përgatitur për  20 vite rresht. Vladimir Putini, gjatë fjalimit të tij të famshëm,  tashmë historik, në Konferencën e Munihut (2007) e pralajmëroi një gjë të tillë, në mënyrë që më vonë gradualisht filloi ta realizonte. Njëkohësisht punoi edhe me liderët dhe lëvizjet (e majta dhe të djathta) Perëndimorë të korruptuar, gjë së cilës mund të thuhet se ia arriti.

Gazetarja Ketrin Belton (Catherine Belton) në librin e saj mbi rrugët e parave zbulon sesi KGB pushtoi Rusinë dhe pastaj Perëndimin. Ajo pohon se ajo që ishte “makineria sovjetike për të pushtuar mbi Perëndimin”, programet e kontrabandës, firma ortakërie dhe miq të besuar, është bërë modeli sipas të cilit lëviz rregjimi i Putinit dhe operacionet e tij më me ndikim. Qëllimet kanë qënë përherë po ata: groposja e ndikimit të Perëndimit. Duke përgatitur agresionin në Ukrainë, Putini besonte se do ta neutralizonte reaksionin e Perëndimit nëpërmjet korrupsionit.

Njëkohësisht, presidenti rus kërkon në mbarë Europën aleatë për rendin nacionalist postperëndimor djathtist dhe në këtë linjë përpiqet të krijojë aleanca e të djathtën ekstreme europiane. Pikënisja është, se Europa Perëndimore gjendet në kurthin e postmodernizimit dhe atë është e pamundur ta konsolidosh sepse elitat e saj politike nuk e lejojnë një gjë të tillë. Aleksandër Dugini mendon se Rusia duhet ta shpëtojë Europën nga elita liberale që po e shkatërron.

Agresioni ndaj Ukrainës është përgatitur gjatë me synimin për rikonstruktimin e fuqisë globale ruse të para viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Ambicjet perandorake janë shndërruar në prioritet të politikës së Putinit. Megjithatë, agresioni ndaj Ukrainës ka pasoja afatgjatë në ndryshimet gjeopolitike, me pasoja ekonomike dhe financiare për të cilat duhet gjetur zgjidhje. Pavarësisht nga ecuria përfundimtare, lufta në Ukrainë ka për të ndryshuar rrënjësisht kuadrin e sigurisë së Europoës dhe raportet mes Lindjes dhe Perëndimit. Juval Noah Harari, intelektuali udhëheqës botëror, pohon se në Ukrainë është në lojë drejtimi që do të marrë historia njerzore. Në zemër të krizës ukrainase, sikurse nënvizon ai, shtrohet një pyetje themelore mbi natyrën e historisë dhe të njerzimit: a është i mundur ndryshimi?

Bota pothuajse njëzëri u rreshtua kundër agresionit, dhe vetëm një numur i vogël vendesh u rreshtuan përkrah  Rusisë, por edhe këtë e bënë me njëfarë doze vetëpërmbajtje si përshembull Kina.

Politikanët serbë dhe elita intelektuale i interpretojnë plotësisht gabim ngjarjet aktuale (njëlloj siç bënë në vitet nëntëdhejtë), sepse vazhdojnë të dëshirojnë fshehurazi dështimin e Perëndimit dhe të demokracisë liberale në pritje të një rendi të ri botëror sipas etalonit të Rusisë dhe Kinës. Pozita e Serbisë, e cila shprehet për neutralitet, është e paqëndrueshme duke patur parasysh dramacitetin e situatës. Qëndrimi në dy karrike (ose më shumë) është pjesërisht i mundur në kushte paqeje. Serbia, për hir të së vërtetës në mënyrë relativisht të shkathët, ka mbajtur ekuilibër në këtë drejtim, por, në situatën aktuale të krizës një pozicionim i tillë është bërë i paqëndrueshëm. Vendimi që do të marrë Serbia (nën presionin e njërës palë dhe tjetrës) do të tregojë së cilët janë prioritetet e saj: raporti me Bashkimin Europian apo me Rusinë.

RUSIA DHE BALLKANI

Ballkani Perëndimor zë një vend të veçantë në politikën e jashtme ruse. Ballkani është rajon me rëndësi për Rusinë sepse ndan me të lidhje të forta kulturore, religjoze dhe historike. Krahas afinitetit historik dhe kulturor me popujt sllavë të Ballkanit, Rusia në akuzat e saj për llogari të Perëndimit për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, shfrytëzon në mënyrë të veçantë ndërhyrjen e NATO-s dhe, retorikën me të cilën Perëndimi argumentoi fushatën e tij (për të ndaluar katastrofën humanitare dhe genocidin në Kosovë), e përdor për të justifikuar agresionin e saj në Ukrainë. Teza kryesore është  që të pengojë genocidin në Donbas dhe në Lugansk, me argumentin se bëhet fjalë për pushtet nazist dhe jolegjitim në Kiev. Janë shfrytëzuar edhe tezat për popuj “shtetformues” dhe “joshtetformues” (ukrainasit janë në realitet rusë), njëlloj sikurse Beogradi në vitet tetëdhjetë pohonte se vetëm populli serb është shtetformues, ndërsa popujt e tjerë të ish Jugosllavisë ishin joshtetformues.

Pas shpërbërjes së BRSS-së, Rusia për një dekadë të tërë arriti ta gjallërojë ndikimin e saj në Ballkan. Shpejt dhe pa shumë përpjekje dhe pothuajse pa ndonjëfarë instrumentesh financiare mbushi vakuumin që la aty bashkësia ndërkombëtare (BE dhe ShBA-të), që në vitin 2006 ose më mirë të themi në vitin 2008. Rusia ndërkohë filloi të përdorë një “fuqi të butë” tejet të sofistikuar dhe një prej fushatave të para mediatike të saj ishte ajo e orientuar kundër NATO-s. Kurrë nuk e harroi ndërhyrjen e NATO-s, e cila nuk kishte mandatin e KS të OKB-së. Rusia u rreshtua fort përkrh Serbisë dhe u imponua si mbojtësi i sovranitetit dhe integritetit të saj territorial. Kjo fushatë erdhi duke u bërë më intensive, u xhirua filmi i parë i përbashkët me titull “Graçanica”, me temë nga ndërhyrja e NATO-s, në të cilin shqiptarët paraqiteshin ekskluzivisht si terroristë, ndërsa serbët dhe rusët si luftëtarë tolerantë, të cilët në radhët e tyre kishin luftëtarë me prejardhje etnike të ndryshme.

Për Moskën popullariteti historik në Balkan është kundërpeshë e Perëndimit, sepse e konsideron vetveten fuqi botërore me ambicje për të marrë pjesë në zgjidhjen e krizës ballkanike. Rusia, si edhe Serbia, i konsiderojnë të përkohëshëm kufinjtë në Ballkan. Filozofi rus Aleksandër Dugin, një prej këshilltarëve më të afërt të Putinit, është mbështetës i aleancës ortodokse. Ai mendon se “rendi i ri gjeopolitik” në Ballkan duhet të bazohet në stimulimin e të gjithë proceseve integruese në boshtin Veri-Jug. Kjo do të thotë, sikurse nënvizon ai, se duhen forcuar maksimalisht lidhjet Beograd-Athinë-Sofje dhe Sofje-Athinë. E tërë hapësira e Ballkanit është, sipas Duginit, një projekt i ndërlikuar konfigurativ i federatës gjithësllave jugore, të cilën e përbëjnë Serbia, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja serbe. Në këtë krijesë serbët, sikurse nënvizon Dugin, përfaqësojnë impulsin euroaziatik dhe shfaqen si mbartës të heartland-it. Në këtë rend Maqedonisë do ti caktohet një status i veçantë në mënyrë që  të evitohen orekset e tre shteteve ortodokse ballanike[1].

Interesi i Rusisë është që të ruhet status-kuoja në Ballkan me synimin për të ngadalësuar dhe penguar integrimin euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Interes i veçantë i Rusisë është destabilizimi i Malit të Zi, antar i NATO-s, si dhe i Bosnjë e Hercegovinës që përfaqësojnë në vetvete shtete veçanërisht të dobëta. Megjithëse integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk përbën kurrfarë kërcënimi për Rusinë, gjithsesi asaj i ofron mundësinë për të treguar joefikasitein e bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë të BE-së.

Pa dyshim Rusia dëshiron që edhe në Ballkan të demonstrojë ndikimin e saj tejkufitar. Në këtë drejtim ka suksese, sepse nëpërmjet Serbisë dhe Republikës Srpska (RS) në Bosnjë e Hercegovinë arrin të ruajë këtë staus kuo, ose më mirë të themi një Ballkan të pakonsoliduar, i cili në këtë mënyrë mbetet periferi e Europës. Shumë analistë mendojnë se Rusia është në gjendje të shkaktojë kaos në Ballkan relativisht lehtë. Ka mundësi që Ballkani i  shërben asaj ekskluzivisht si mundësi kompensimi për aspiratat e saj rreth Ukrainës. Për më tepër, sipas njohurive të gazetarëve investigues dhe ambasadave perëndimore, aktivitetet e shërbimeve sekrete dhe të sigurisë të Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor kanë arritur kulmin gjatë disa javëve të fundit, në mënyrë të veçantë pas fillimit të agresionit në Ukrainë. Presioni është veçanërisht i dukshëm në Mal të Zi dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Në Mal të Zi presioni kryhet nëpërmjet partive politike proserbe, në radhë të parë ndaj partisë Fronti Demokratik (DF) dhe kryerësit të detyrës së kryetarit të parlamentit të Malit të Zi, i cili ndodhet në presion jodemokratik dhe ilegjitim për të shpallur zgjedhje të parakohëshme presidenciale. Këto zgjedhje do të përbënin një larje përfundimtare llogarish me Millo Gjukanoviçin dhe partinë tij, kreatorët shumëvjeçarë të politikës së Malit të Zi dhe meritorët kryesorë për hyrjen e Malit të Zi në NATO.

Nga ana tjetër, në Bosnjë e Hercegovnë bëhet presion nëpërmjet Millorad Dodikut, i cili sipas burimeve  që ka Komiteti i Helsinkit, përbën një kërcënim të hapur në këtë moment dhe i cili edhe vetë është nën presionin e Federatës Rusë. Beogradi dhe presidenti Vuçiç kanë probleme gjithnjë e më të mëdha me ”kontrollin efektiv” të Dodikut dhe shtrohet pyetja e luajalitetit të tij ndaj Beogadit.

Depërtimi i Rusisë në Ballkan do të thotë edhe mossukses i Perëndimit për të çuar deri në fund “punën e pakryer” edhe përkundër faktit se janë investuar përpjekje tejet të mëdha dhe mjete financiare po ashtu tejet të mëdha për këtë. Politika e zgjerimit e BE-së doli se ishte joefikase, gjë cila e bën të panjohur fatin e antarsimit të vendeve ballkanike në të. Liderët lokalë u janë kthyer aktorëve të tjerë që kanë ardhur në Ballkan me oferta të cilat elitave ballkanike u kanë hapur mundësi të reja për korrupsion. BE-ja është treguar e painteresuar në mënyrë të veçantë ndaj Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Ka preferuar stabilokracinë dhe jo reformat dhe demokratizimin. Në dialogun Prishtinë-Beograd, Komisoni Europian ka pranuar ndryshimin e formatit të dialogut dhe pothuajse lejoi ndarjen e Kosovës gjë të cilën e pengoi Gjermania, ose më mirë të themi Anxhela Merkeli.

Moska operoi në rajon me mjete relativisht të vogla (para së gjithash nëpërmjet investimeve fitimprurëse në fushën e energjetikës në Serbi), duke shfrytëzuar me mjeshtëri liderët lokalë të etur për prestigj dhe renomé ndërkombëtare. Moska këmbëngul të sendërtojë praninë e saj energjetike dhe ekonomike, por edhe atë ushtarake, nëpërmjet shitjes së pajisjeve ushtarake të vjetëruara. Megjithatë ka qënë më e suksesshme, sikurse pohon një studim i Qendrës serbe për studime eurotlantike (CEAS), sipas së cilës rezultatet më të mira janë arritur në fushën  e së ashtuquajturës “Fuqi i Butë”. Kjo, sipas studimit në fjalë i cili ka publikuar listën e 109 mediave dhe organizatave proruse në rajon, ku bien në sy tetë portale, 16 media prokremlin dhe gjashtë media thjesht ruse. “Sputnjiku” si qendër e gjithëpranishme e propagandës ruse, ka qendër në Beograd.

Të gjithë vendet e Balkanit Perëndimor vazhdojnë të jenë të vendosura për antarsim në BE, përfshirë edhe Serbinë, sëpaku deklarativisht.

Në kontekstin e krizës ukrainase shumë analistë, në rajon dhe në botë, vlerësojnë se Moska do të shfrytëzojë të gjithë pikat e dobëta të BE-së në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të dobësojë ndikimin e BE-së dhe të NATO-s në këtë rajon. Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina janë të parët në listë. Bllokada e rrugëve të qarkullimit në Mal të Zi, e kryer nën regjinë e FD, në shenjë proteste kundër formimit të qeverisë së pakicës, me siguri që nuk është rastësi. Gjatë kohës së ndërprerjes së qarkullimit në rrugë shiheshin flamuj të Rusisë dhe të së ashtuquajturës Republikë Popullore e Donjeckut. Është indikativ fakti se, shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrov në kaosin e përgjithshëm të situatës në Rusi, gjeti kohë të bisedojë me Millorad Dodikun, sikurse u tha në lidhje me marrëveshjen e dhjetorit të vtit 2021. Në deklaratën e ambasadës ruse në Sarajevë vihet në dukje se,  gjatë takimit, Lavrovi dhe Dodiku kanë shkëmbyer mendime rreth vënies në jetë të kësaj marrëveshje.

RUSIA DHE SERBIA

Elita politike serbe është mbështetur përherë te Rusia dhe ka kësisoj pritur mbështetje edhe në sipërmarrjet e saj ushtarake të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Megjithatë, kolapsi i Bashkimit Sovjetik dhe mbështeja që i dha Millosheviçi puçistëve kundër Mihal Gorebaçovit, e bëri mbështetjen ruse të parëndësishme. Rusia kryesisht mbështeti politikën e Grupit të Kontaktit deri në kohën e tërheqjes  nga pushteti të Boris Jelcinit. Situata ndryshoi me ardhjen në pushtet të Vladimir Putinit dhe ndryshimet e tij në lidhje me politikën ruse ndaj Perëndimit. Ai definoi strategjinë e re ruse të rikthimit në pozitat e fuqisë së madhe, gjë që nënkuptonte se prania ruse në Ballkan do të bëhej gjithnjë e më e rëndësishme. Në  Konferencën për sigurinë në Myhnih (2007), Putini bëri publike strategjinë e tij e cila mbështetej kryesisht në fuqinë  energjetike të Rusisë, gjë që kishte vlerë themelore kur bëhet fjalë për vendet ballkanike, duke patur parasysh vartësinë e tyre nga energjentët.

Me ndryshimin e kontekstit politik ndërkombëtar dhe ambicjeve gjithnjë e më të mëdha për tu bërë aktor me ndikim, Rusia  filloi të zhvillojë instrumentet e diplomacisë publike me synimin paralel të forcojë edhe efektin e fuqisë së butë.

Pas vitit 2012, Serbia i avancoi në mënyrë serioze raportet me Rusinë dhe Kinën në fusha të ndryshme, nga bashkëpunimi  ushtarako-teknik, nëpërmjet sferës energjetike (Rryma Tyrke ose Ballkanike), deri në terheqjen e investimeve të mëdha (Kombinati Metalurgjik Smederevo, Bor, Çukar Peki). U forcua shumë edhe ushtria e cila ishte shkatërruar më përpara. Ajo mori një numur të konsiderueshëm avionësh, helikopterësh dhe sistemesh MKA  nga eksporti, ndërkohë që u rinovua edhe industria vendore ushtarake, e cila tani e furnizon atë rregullisht.

I veçantë është edhe roli intrigues i Qendrës Humanitare Ruse (QHR) në Nish e  cila është funksionale që prej vitesh dhe për të cilën nuk ka shumë informacione për publikun. Kur është krijuar, flitej se bëhej fjalë për njëfarë baze për sigurinë dhe informimin si kundërpeshë e bazës amerikane në Bonstill.  Zyrtarët serbë pohojnë se QHR ka karakter ekskluzivisht humanitar për ofrim ndihme në rast fatkeqsish natyrore elementare dhe në asnjë mënyrë nuk kërcënon mekanizmat e tjera. QHR kreu një mision të suksesshëm për ofrimin e ndihmës për popullsinë në rastin e përmbytjeve të vitit 2014 në Obrenovac.

Rusia ka nxitur në mënyrë të veçantë edhe ndryshimin e narrativës për ngjarjet e vitit 1999, të cilat nuk emërtohen më me frazën amorfe “ndërhyrje”, por agresion i NATO-s. Ndryshime të ngjashme  ndodhën edhe në raportin me të kaluarën e afërt, Gjykatën e Hagës, gjykimet për kriminelët e luftës (tani ata quhen heronj kombëtarë). Zhvillohet teza mbi “rrethimin” (e Serbisë nga vendet e  NATO-s) e cila implikon animozitetin ndaj Serbisë, Beogradi nuk kërkon falje për “krimet e fantazuara” dhe se Perëndimi është kundër Rusisë, sepse serbët janë rusë të vegjël dhe për këtë edhe pengohet formimi i Serbisë së Madhe.

Rol me rëndësi në krijimin e identitetit të ri ka edhe Rusia prania e së cilës në skenën kulturore dhe politike është gjithnjë e më e shprehur  dhe më me ndikim. Rusia ushqen frustrimin serb dhe tezën se Jugosllavia ishte gabim historik dhe e orientuar kundër Serbisë. Po ashtu edhe tezën mbi kombet e krijuara artificialisht, si përshembull maqedonasit, malazestë, boshnjakt. Njëkohësisht blloku me ndikim prorus forcon komponenten ruse mbi identitetin serb, ose kontribuon në “rusifikimin e kombit serb”, me tezën mbi superioritetin e qytetërimit ortodoks, trashëgiminë bizantine, ndihmën reciproke historike. Ortodoksia te serbët dhe te rusët, sikurse shprehet studiuesi Srgjan Barishiç, ka qënë e lidhur fort me formimin e shtetit dhe në të dy rastet, gjatë krizave të shumta dhe të forta të shteteve përkatëse, ka luajtur një rol të fuqishëm integrues në ruajtjen e identitetit kombëtar. Në të dy rastet, periudha e ateizimit të sistemit shoqëror ka margjinalizuar dhe minimalizuar domethënien e religjiozitetit, ndërsa me shpërbërjen e federatave që ndodhi në fillimin e viteve nëntëdhjetë të shekullit XX, ka filluar procesi i revitalizimit të religjionit.

Rusia dhe Serbia, gjatë historisë së tyre, kanë shijuar transformime të parealizuara, endje cfilitëse ideëntitare, si në kuadrin ndërkombëtar ashtu edhe në atë të brendshëm. Rusia e kompenson këtë me ambicjet e rinovuara imperiale dhe revanshizëm për trajtimin poshtërues pas Luftës së Ftohtë. Për të arritur këtë qëllim ajo nuk po i zgjedh mjetet dhe tani, mund të thuhet me shumë sukses, po shfrytëzon mekanizimin e fuqisë së butë, veçanërisht në Serbi. Ekspansioni ballkanik  i Rusisë zhvillohet në një moment kur vendet në rajon janë të pakonsoliduara, me identitete jo të përmbyllura dhe për këtë u nënështrohen lehtë presioneve dhe ndikimeve.

Moska dhe Beogardi para pak kohësh kanë nënëshkruar marrëveshjen mbi kundërvënien ndaj atyre që ato i quajnë “revolucione të ngjyrosura”- protesta masive popullore kundër pushtetit autoritar, të cilat Serbia dhe Rusia i konsiderojnë si të frymëzuara dhe të nxitura nga Perëndimi. Në muajin maj të vitit 2021, opozitarët rusë, zhvilluan në Beograd një seminar për kandidatët e opozitës (ruse) në pamundësi për ta zhvilluar atë në Moskë. Ministri i policisë  Aleksandër Vulin menjëherë pas kësaj ngjarje udhëtoi në Moskë dhe ia dorëzoi transkriptimet (sekrete) të këtij seminari Nikollaj Patrushevit.

Qëkur ka filluar kriza ukrainase nënvizohet mundësia se Rusia ndoshta do të instalojë sistemin taktik raketor Iskander-M në Serbi – në thellësi të formacioneve të NATO-s, të koncentruara në krahun Juglindor të Europës. Ky sistem raketor i deklaruar me largësihedhje deri në 500 kilometëer, nëse do të instalohej në Serbi, është i aftë të kontrollojë territore të rëndësishme duke “depërtuar” deri në të ashtuquajturat vende të katërshes së Vishegradit dhe territoret europiane të Turqisë (nëse do  të instaloheshin në Jug të Serbisë). Edhe baza ushtarake amerikane në Kosovë, sikurse nënvizohet, do të gjendej nën fushën e  largësihedhjes së raketave.

Për instalimin e këtij sistemi raketor në Serbi nevojitet miratimi  në parim i Beogradit, gjë për të cilën deri tani nuk ka informacione. Portali rus i cili e bëri publik këtë lajm mendon se është e mundur që pushteti serb të ndjejë nevojën e afrimit më të madh me Moskën. Sepse Moska tashmë e ka shfaqur aftësinë e saj për të reaguar shpejt në situata krizash në shtetet aleate, nëpërmjet zhvendosjes së shpejtë të forcave të OMSK (Organizata e Marrëveshjes për Sigurinë Kolektive) në Kazakistan.

Ministria e Mbrojtes e Serbisë reagoi ndaj këtyre lajmeve duke deklaruar se “Serbia nuk e zotëron sistemin raketor Iskander-M, as e ka shqyrtuar dhe as do ta shqyrtojë instalimin e një sistemi të tillë në territorin e saj”.

“BOTA RUSE” DHE “BOTA SERBE”

Për Serbinë, identifikim (dhe frymëzim) i rëndësishëm me Rusinë është dhe projekti “bota serbe”, i cil për nga ideja, është identik me “botën ruse”. “Bota ruse” ka lindur si koncept në kapërciellin e shekujve XX dhe XXI , kur u fillua të flitej për rusët si komb i ndarë. Pas vitit 2007, kur u themelua Fondi “Bota ruse” me synim “popullarizimin e gjuhës ruse, e cila përbën një thesar kombëtar të Rusisë dhe është element me rëndësi i kulturës ruse dhe botërore, si dhe për shkak të programit për mësimin e gjuhës ruse jashtë shtetit”, koncepti mori një status tjetër. Themelues i Fondit ishte Ministria ruse e punëve të jashtme dhe ajo e arsimit dhe shkencës. Fondi që në fillim ishte aktiv me diasporën ruse. Kisha Ortodokse Ruse u përfshi gjithashtu në luftën për interpretimin e “Botës Ruse”. Patriarku Kirill në konferencën e tretë të “Botës Ruse” (nëntor 2009) tha mes tjerash: “Rusia, Ukraina, Bjellorusia përbëjnë Rusinë e Shenjtë”. Diskursi iridentist u formulua për herë të parë në nivel zyrtar nga vetë presidenti Putin me 18 mars 2014 në fjalimin e mbajtur me rastin e bashkimit të Krimesë me Rusinë: “Populli rus është bërë një nga popujt më të mëdhenj, në mos më i madhi, popull i ndarë në botë”.

Serbia, ashtu si edhe Rusia, nuk e pranoi humbjen në luftërat e viteve nëntëdhjetë dhe humbjen e territoreve për të cilët ajo pretendon akoma. Nuk pranoi as rendin Perëndimor, ose më mirë të themi kuadrin që u vendos pas vitit 2000 – kuadri i sigurisë, NATO (partneritet dhe antarsim) dhe antarsim në BE. Meqënëse rrethanat ndërkombëtare të pas viteve nëntëdhjetë ndryshuan, e ashtuquajtura elitë serbe punoi në mënyrë sisatematike dhe gjithëpërfshirëse për ta përgatitur integrimin e popullit serb në mjedise të tjera. Depërtimi i Rusisë në Ballkan inkurajoi aspirata serbe ndaj rajonit. Pushteti aktual e shpalosi deri në fund këtë politikë e cila, e inkurajuar edhe nga konteksti mjaft fluid ndërkombëtar, nëpërmjet retorikës sjelljes të pa takt si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar.

“BOTA SERBE”

“Bota serbe” si term është shfaqur në vitin 2013. Rrëmuja gjeopolitike në të cilën gjendej rajoni ishte ideale për Rusinë që inkurajonte aspirtatat serbe. Megjithëse, sikurse vërejnë disa komentatorë, Serbia këtyre ditëve sikur po hesht në lidhje me “botën serbe”, koncepti është përpunuar dhe funsionon.

Politikën e tij ndaj “tokave serbe” Beogradi e ka përcaktuar në kuadër të dokumenteve që janë dokumente zyrtare të qeverisë. Të parin ndër ta e ka miratuar parlamenti i Serbisë dhe emërtohet “Strategjia e ruajtjes dhe e forcimit të raporteve të shteti amë dhe diasporës dhe shtetit amë dhe serbëve në rajon””(2011). Kjo strategji ka si synim ruajtjen dhe forcimin e rapoerteve të shtetit amë me diasporën dhe gjithashtu shtetit amë me serbët në rajon.[2]

Strategjia në fjalë, Bosnjë e Hercegoviën si dhe Malin e Zi i vendos në qendër të politikës së jashtme rajonale. Ajo është përceptuar në rajon si Memorandumi II. (Aluzion për Memorandumin e Akademsië serbe të shkencës dhe arteve të vitit 1989 që shërbeu si bazë ideologjike për luftërat e serbëve në Kosovë, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë në vitet 90 të shekullit të kaluar. Shën. i përkth.). Pas bërjes publike të saj pati një sërë reaksionesh të ashpra nga të gjithë vendet fqinjë. Strategjia në fjalë është de facto pjesë e Memorandumit mbi parandalimin e kërcënimit të serbëve jashtë Serbisë. Ky është një dokument operativ me udhëzime të sakta mbi aktivitetet. Është fjala për njëfarë plani veprimi të nacionalizmit serbomadh në kushtet aktuale. Si të realizohet bashkimi i serbëve “në mënyrë paqesore dhe demokratike” dhe kundër unitetit dhe integritetit të shteteve në të cilët ata jetojnë. Rolin kryesor në vënien në jetë të Strategjisë në fjalë e ka Kisha Ortodokase Serbe (KOS) si dhe Rusia. Gjatë shekullit XX, sikurse nënvizohet në këtë Strategji, KOS-i praktikisht ka qënë i vetmi institucion integrues dhe urë mes shtetit amë dhe diasporës. Kisha ka ruajtur, përveç besimit fetar, edhe kulturën kombëtare dhe gjuhën e Republikës së Serbisë.

Në praktikë plani i veprimit reduktohet në: relativizimin dhe mohimin e krimeve të luftës dhe genocidit të kryer nga ana e ushtrisë dhe policisë së Republikës Srpska dhe Serbisë, destabilizimin e qeverive dhe pushtetit në shtetet fqinjë nëpërmjet forcimit të vetëdijes mbi joefikasitin e tyre; këmbënguljen për konstitutivitetin e serbëve në Mal të Zi, Kosovë dhe Kroaci; mbështetjen e politikës separeatiste në Republikën Srpska etj.

Ndërkohë është miratuar edhe Strategjia për sigurinë (2020) në të cilën nënvizohet  se prioriteti më i madh i politikës së jashtme të Serbisë është ruajtja e Republikës Srpska, pastaj Karta për hapësirën kulturore serbe (2019) që e nënëshkruan Ministrat e arsimit të Republikës së Serbisë dhe të Republikës Srpska (në B e H), e ngjashme kjo me atë ruse të vitit 2007, kur u themelua fondi “Bota Ruse”. Karta për hapësirën kuturore serbe nënvizon se themeli i kulturës politike serbe bazohet në besimin se, para integrimeve më të gjëra, hapi i parë dhe i pashmangshëm është kohezioni brenda hapësirës kulturore serbe. Kjo është vetëm një hap larg shpalljes së bashkimit të të gjithë serbëve siç u pat shpallur në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Nënvizohet se kultura politike e serbëve jashtë shtetit amë  nuk ka nevojë të harmonizohet me kulturën politike të vendeve ku ata jetojnë, por vetëm më kulturën politike të shtetit amë, sikurse shkruhet në Kartë, serbët në tërë hapësirën kulturore serbe duhet të bëjnë “një politikë kulturore dhe arsimore reciproke”.

Në Kartë një vend të veçantë i jepet qëndrimit sipas të cilit një popull më së shumti e lidh “vetëdija e dështimeve  kolektive” dhe sugjeron konkluzionin se këto  dështime nuk do të kishin ndodhur sikur tërë populli të ishte i përfshirë në shtetin e vet dhe se do të ndërpritet nëse në këtë mënyrë tërë populli serb mblidhet në një shtet. Projekti “Bota Serbe” ka edhe mbështejen e elitave të tij, përfshirë këtu edhe një pjesë të rëndësishme të sektorit civil. Kjo në mënyrë të veçantë shihet nga raporti ndaj Kosovës, gjatë të ashtuquajturit dialog i brendshëm ku mbizotëroi dhe fitoi obsioni se Kosova duhet të qëndrojë si konflikt i ngrirë në pritje të momentit të përshtatshëm për ndarjen e saj.

Pushteti aktual punon për projekte në të gjithë frontet. Megjithatë, duhet nënvizuar se nuk është fjala për një projekt personal të Vuçiçit apo Dodikut, por për një projekt shtetëror, të cilin çdo pushtet i ri në të aredhmen do të duhet ta implementojë në përputhje me rrethanat  e dhëna. Antarët e qeverisë flasin haptazi për “bashkim”, ndërsa mbështetësi më i zëshëm është Aleksandër Vulini, ministri i policisë (më parë ministër mbrojtje). Ai thekson (dhe e ka përsëritur shumë herë) se “detyra e gjeneratës së tij të politikanëve” është vazhdimi i luftës për “bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet unik dhe bashkësi politike”, gjë e cila duhet të realizohet me rrugë paqesore. Kjo, mes tjerash  mbrohet edhe me tezën se “populli që ka njohur genocid të përsëritur në çdo gjeneratë dhe përherë nga shkaktarë të njejtë nuk ka të drejtë tu  lërë trashëgim fëmijëve të tij kushtet në të cilët edhe ata të përjetojnë vrasjen ne bashëkombasve të tyre në pjesë të kombit ku nuk i mbron shteti. Në sajë të Aleksandër Vuçiçit serbët janë bërë popull unik dhe procesi i  bashkimit tashmë ka filluar dhe ai nuk mund të ndalet më”.

KRIZA UKRAINASE DHE SERBIA

Kriza ukrainase e bëri të pakuptimtë politikën e neutralitetit të Serbisë dhe përcaktimin e saj për gjoja ruajtjen e ekulibrit mes Lindjes dhe Perëndimit. Mediat serbe, në mënyrë të veçantë ato të afërta me pushtetin dhe nën kontrollin e tij, mbrojnë me gjithë zemër Rusinë dhe fushatën e saj në Ukrainë, por kështu mund të thuhet edhe për pjesën më të madhe të opinionit pubnlik. Në gazetën tabloid Informer madje është shfaqur edhe titulli “Ukraina sulmoi Rusinë” Nuk ekziston dallim mes qytetarëve të zakonshëm, elitave akademike, profesorëve të universiteteve, apo Aleksandër Vuçiçit dhe politikanëve afër tij. Numuri më i madh i qytetarëve të anketuar, 83% syresh, mendojnë se Rusia është mike e Serbisë. Sipas anketimit, më shumë besojnë te Rusia të rinjtë nën moshën 30 vjeç dhe të vjetrit mbi 60.

Me të filluar kriza, Aleksandër Vuiçi deklaroi se presionet ndaj Serbisë do të jenë shumë më të mëdha se kurrë më parë, me kërkesën për ti vendosur sanksione Rusisë. Sikurse tha, ka patur thirrje telefonike dhe “linja të nxehta”, por gjithsesi Serbia “do tu bëjë ballë presioneve”. Ai vlerësoi se ngjarjet e lidhura me krizën ukrainase shkatërrojnë arkitekturën komplete të sigurisë në botë, ndërsa Serbinë e vënë në një situatë ku ekzistojnë sfida të panumërta politike, të sigurisë dhe të natyrës ekonomike.

Presidenti Vuçiç u gjend në një situatë ku është krejtësisht e pamundur të ekuilibronte, duke u përpjekur që lëkundjen e tij ta shpjegonte me qëndrimin e shumicës së opinionit publik. “Si mendoni se qënka kaq e thjeshtë që brenda natës ti vëmë sanksione Federatës Ruse, e vetmja që neve nuk na ka vënë sanksione në vitet nëntëdhejtë, e cila nuk i ka vënë sanksione Republikës Srpska”, duke, shtuar se Serbia mbron interesat e saj para Këshillit të Sigurimit.

Serbia është i vetmi vend europian, krahas Bjellorusisë, i cili nuk e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë. Presidenti Vuçiç u përmbajt të deklarohej menjëherë dhe vetëm pasi u mbajt seanca e Këshillit për sigurinë kombëtare (e cila ishte në njëfarë mënyre blerje kohe) dhe me presionin e madh të tërë Perëndimit politik, deklaroi qëndrimin zyrtar të Serbisë mbi Ukrainën: “Në përputhje me politikën e saj dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare, Serbia i ofron mbështetje integritetit dhe respektimit të kufinjve të Ukrainës. Pa marrë parasysh provokimet, mbetemi koherentë dhe shprehemi dakord për respektimin e parimit të ruajtjes së paqes në rajon. Politika jonë duhet të jetë e vëmendshme dhe tolerante. Me rastin e shqyrtimit të mundësisë për vënien e sanksioneve ne do të udhëhiqemi nga interesat tona kombëtare. Kjo përfshin edhe Federatën Ruse. Mendojmë se nuk është interesi jonë vital ti vendosim sanksione”.

Vuçiç gjithashtu theksoi se Serbia është vend i vogël dhe se nuk dëshiron ti heqë vetes mundësinë për të ndërprerë miqësinë me disa, sepse Serbia nuk vendos asgjë mbi Ukrainën, këtë tha, se ai do të mund të thërriste ambasadorin e Ukrainës dhe do ti rekomandonte që ai ti bënte  thirrje presidentit të tij që ta dënonte ashpër agresionin e tmerrshëm që kanë kryer në Serbi  fuqi të tilla si ShBA-të dhe Britania e Madhe. Ai pranoi se presionet që Serbia ti vërë sanksione Rusisë janë të mëdha dhe se ka patur takime me përfaqësues të shumë vendeve, por nënvizoi se “do të qëndrojmë sa të mundemi” dhe se “kemi vetëm një atdhé dhe nuk kemi tjetër”.

Lëshim me rëndësi ndaj presioneve tyë Brukselit dhe Uashingtonit u bë vetëm ditën e shtatë pas sulmit rus në Ukrainë: me rastin e votimit në senacën e jashtëzakonshme të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, Serbia iu bashkua Rezolutës që dënonte agresionin e Rusisë sëbashku me 140 vende të tjera dhe votoi “pro” Rezolutës: “Nuk guxonim për shkak të historisë të heshtnim. Nga ana jonë ka shumë rëndësi të dënojmë përpjekjet për shkatërrimiun e integritetit territorial të cilitdo antar të OKB-së”, tha Vuçiçi duke iu drejtuar publikut. Megjithatë, shtoi se në tekstin e Rezolutës “nuk përmendeshin kurrfarë sanksionesh”.

Presidenti Vuçiç, me rastin e situatës aktuale në Ukrainë dhe krizën e mundshme energjetike, tha se ekziston alternativa për import energjentësh, por është hendikap i madh fakti se Serbia nuk ka dalje në det. Ai shpjegoi se Serbia do të ketë probleme nëse gazi rus në Europë do të arrijë çmimin 2.000 dollarë për 1.000 metër kub gaz natyror, por gjithsesi vendi jonë da ta kalojë më mirë sepse shpreson për çmime të përshtatshnme në marrëveshje me Rusinë.

Përsa i përket sigurinë energjetike, ShBA-të  kërkojnë nga Serbia që të shqyrtojë alterativa të tjera furnizimi, përfshirë edhe burimet e rinovueshme të energjisë dhe gazi i lëngshëm natyror. Problemi i vartësisë nga gazi rus nuk është problem vetëm për Ballkanin Perëndimor, është problem për pjesën më të madhe të Europës. Gabrijel Esakobari pohon se disa vende janë afër çlirimit nga vartësia e gazit rus.

Vuçiçi ka përsëritur shumë herë se politika e Serbisë është neutraliteti ushtarak, se ajo është në rrugën e integrimeve europiane, se vazhdon bashkëpunimin me Rusinë dhe Kinën dhe se nuk do të heqim dorë nga miqtë tradicionalë, sepse, “kjo është politika e vazhdueshme e Serbisë dhe ajo duhet të mbetet e tillë”.

Vuçiçi u shpreh në mënyrë kritike edhe ndaj thirrjeve të mediave Perëndimore për të drejtën ndërkombëtare: “Tani në Perëndim flasin me gojën plot për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa kur i pyesni per Kosovën, ata thonë se kanë parandaluar genocidin, kur i pyesni për genocidin, shprehen se kanë penguar katastrofën humanitare, sepse njerëzit po iknin nga Kosova. Çfarë katastrofe humanitare na qënka kjo, kur Kosova vetëm një muaj pas nënëshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës kishte më shumë banorë se më parë”.

Vuçiçi ka fituar mbështetjen e të gjithë partnerëve politikë të afërt me të. Kryetari i Partisë Socialiste, Ivica Daçiç vlerëson se Serbia nuk duhet tu bashkohet dënimeve dhe sanksioneve kundër Rusisë, sepse vendet që e kërkojnë këtë nga Serbia nuk e kanë ndihmuar atë në vitin 1999, kur Serbia u bombardua. Më tej ai shpjegon: ”Se mos jemi ne ndonëfarë fuqie energjetike, e për këtë gjithçka u varka nga fakti sesi deklarohemi ne? Duhet të shohim interesat tona. Mjaft jemi vrarë për të tjerët. Ruajmë raportet me BE-në, Rusinë dhe Kinën, sepse ne askush nuk ka për të na mbrojtur nëse nuk e bëjnë këtë Rusia dhe Kina”.

Presidenti Vuçiç, edhe sikur ti bashkohej qëndrimeve të Perëndimit, nuk ka hapësirë të madhe manovrimiu për shkak të presionit nga ana e Rusisë.  Por edhe nga predispozicioni i shumicës në Serbi, si dhe të së djathtës serbe e cila mbështet Rusinë dhe kundërshton  Ukrainën si shtet dhe si komb. Përveç kësaj, Vuçiç gjendet para zgjedhjeve (3 prill 2022) dhe gjithnjë e më shpesh flet se nuk do të kandidojë më për president. Duket qartë se, burracakëria e tij dhe mungesa e aftësisë së tij për të vlerësuar momentin, e kanë shndërruar në rob të fiksionit i cili po e tërheq gjithnjë e më shumë Serbinë larg Perëndimit.

Nga fjalimi i ambasadorit të Serbisë në Kombet e Bashkuara me rastin e votimit mbi dënimin e agresionit rus në Ukrainë dhe fjalimet e fundit të Vuçiçit para opinionit publik vendas, del e qartë se Vuçiçi më shumë i është nënështruar presionit Perëndimor sesa vepron me bindje. Ai, duke gjykuar nga të gjitha gjasat, është atje ku e ka përcaktuar analisti i politikës së jashtme Boshko Jakshiç, “neutral por në anën e Rusisë”.

Një pjesë me ndikim e elitës serbe vazhon ti japë mbështetje Rusisë. Gjashtëdhjetë intelektualë serbë nënëshkruan një apel kundër  vendimit të Serbisë zyrtare për të mbështetur Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nëpërmjet së cilës dënohet ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë. Ata shprehen se me këtë akt pushteti serb është rreshtuar në anën e vendeve të NATO-s, gjë e cila, sipas tyre, është në kundërshtim me interesat e popullit serb. Njëmbëdhjetë profesorë serbë të së drejtës dolën me shpalljen “Përse Rusia ka të drejtë”. Në analizën e tyre mbi këtë shpallje, nëse e drejta ndërkombëtare duhet të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e shteteve  me çmimin e terrorit masiv mbi pjesë të tëra të popullsisë, marrin qëndrimin se e drejta ndërkombëtare është në anën e Rusisë.

Kandidati presidencial Zdravko Ponosh shkroi në tviter se “zgjidhja ushtarake e krizës ukrainase është e papranueshme për shkak të vuajtjeve të popullisë dhe për këtë përbën shkelje të integritetit territorial të një antari të OKB-së”.

Koalicioni “Morao” (Duhet), të cilin e përbëjnë “Ne davimo Beograd” (Të mos ia zëmë frymën Beogradit), Akcija (Aksioni ) i Nebojsha Zelenoviçit dhe “Ekoloshi Ustanak” (Kryengritja ekologjike), shprehën solidaritet me qytetarët e Ukrainës. Partia e Lirisë dhe e Drejtësisë deklaroi se “qytetarët e Serbisë, më mirë se të gjithë popujt e tjerë në Europë, e njohin tmerrin dhe kotësinë e luftës”, për këtë bën thirrje për paqe, ndëprerjen e konflikteve luftarake në Ukrainë dhe kthim te dialogu “si e vetmja mënyrë për zgjidhjen afatgjatë të konflikteve ndërkombëtare”.

Në kulmin e krizës në Ukrainë, mediat qeveritare lajmëruan ardhjen në Beograd të Nikollaj Patrushevit, Sekretar i Këshillit për sigurinë kombëtare të Rusisë, dhe një prej temave kyçe duhej të ishte paralajmërimi alarmant që paraqiti shefi rus i diplomacisë Sergej Lavrov  se në Kosovë, në Shqipëri dhe në Bosnjë e Hercegovinë rekrutohen të ashtuquajturit “qenë të luftës” për ti dërguar pastaj fushëbetejat  e Ukrainës dhe sulme në Donjeck dhe Luganjsk. Megjithatë, vizita u anullua, ndoshta për shkak të resionit nga Perëndimi.

RAGIME NDAJ QËNDRIMIT TË BEOGRADIT

Brukseli i ka bërë thirrje disa herë Serbisë për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me atë europiane. Megjithatë, Serbia në mënyrë konstante është përpjekur të ballancojë. Në takimin e brendshëm të OSBE-së mbi luftën në Ukrainë me datë 24 shkurt, Rusia këmbënguli në lidhje me i nterpretimin e saj të invazionit në Ukrainë, gjë pas së cilës përfaqësuesit e vendeve Perëndimore braktisën takimin. Ndërsa përfaqësuesit e Serbisë ishin ndër  ata që qëndruan në sallën e takimit. Krahas Serbisë në sallë qëndruan edhe Bjellorusia, Armenia, Azerbejxhani, Kasakistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe përfaqësuesit e Vatikanit dhe të Asamblesë parlamentare të OSBE-së.

Bashkimi Europian me 22 shkurt (kur miratoi paketën e parë të sanksioneve) deklaroi se pret nga Serbia që të harmonizohet me vendimet e Brukselit në fushën e sigurisë, ose më mirë të themi tu bashkohet sanksioneve. Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë Vladimir Bilçik i bëri thirje direkte Serbisë: “Përzgjedhja e Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Europian është vendim përcaktues për raporte shumë më të gjëra mes BE-së dhe Serbisë”. Kryetari i komisionit për politikë të jashtme në parlamentin gjerman-Bundestag dhe zëvendëskryetari i Partisë social demokrate të Gjermanisë Mihael Rot kërkoi që Aleksandër Vuçiçi të përcaktohet qartë në rastin e agresionit rus në Ukrainë.

Rusia është pezulluar nga Këshilli i Europës dhe organet  saj, Komiteti i ministrave dhe Asambleja parlamentare. Kundër këtij vendimi votuan Azerbejxhani, Armenia dhe Serbia. Parlamenti europian në seancën plenare kushtuar krizës në Ukrainë miratoi Rezolutën në të cilën nënvizohet se “na vjen shumë keq që Serbia nuk i është bashkuar BE-së për sanksionet kundër Rusisë, gjë që dëmton procesin e saj të antarsimit në BE dhe shprehim pritmërinë tonë që kandidatët për antarsim në BE ti bashkohen jo vetëm kuadrit tonë ligjor por edhe politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.

Dhjetë deputetë europianë nga grupi liberal Renew Europe i dërgoi një letër kryetares së Komisionit europian Ursula fon der Lajen dhe përfaqësuesit të lartë Zhozep Borell ku kërkojnë ngrirje të përkohëshme të bisedimeve për antarsim me Serbinë dhe ndalimin e ndihmës financiare të BE-së derisa Serbia ta harmonizojë qëndrimin e saj me atë të BE-së për Rusinë (qëndrime  të ngjashme kanë paraqitur edhe deputetë të tjerë). Ata nënvizojnë se “Serbia është e lirë të vendosë se në cilin drejtim dëshiron të shkojë, por nuk mundet që në të ardhmen të konsiderohet bashkëbisedues i besueshëm dhe nuk mund të vijojë të përdorë fondet financiare për antarsim derisa të vendosë”.

Ndaj qëndrimit të Serbisë kanë reaguar edhe një sërë analistësh që merren me Ballkanin. Eduard Xhozef mendon se konkluzionet ëë paraqiti Vuçiçi  pas seancës së këshillit të sigurisë kombëtare të Serbisë, përbëjnë përpjekje për të vazhduar me politikën e ballancimit: “Kjo krizë nuk i shkon për shtat presidentit Vuçiç i cili përpiqet të vërë në jetë atë që ai e quan ekuilibër mes Lindjes dhe Perëndimit. Gjë që është në fakt një ekuilibër i gënjeshtërt dhe mbajtje e një linje proruse dhe prokineze”. Xhozef sugjeron që të ndërpritet praktika e mbylljes së syve para asaj që sot përfaqëson Serbia: “shtet në të cilin gjatë qeverisjes së Aleksandër Vuiçit është shkatërruar demorkacia, është ngushtuar hapësira për punë të papenguar të mediave dhe veprimtaria opozitare. Fuqia politike  bazohet në korrupsionin sistematik, gjë për të cilën flasin shumë qytetarë akademikë të atjeshëm dhe jo vetëm unë. Pra, kjo është një gjë që duhet të ndryshojë pa marrë parasysh zgjedhjet e afërta”.

Genadij Sisojevi, gazetari rus që jeton në Mal të Zi, mendon se Vuçiçi do ta ketë shumë të vështirë – të mbështesë  ose të dënojë vendimin e Kremlinit. Dhe kjo në një afat të shkurtër. Refuzimi i kërkesës së presidentit rus për Vuçiçin do të thotë jo vetëm  rrezik që të mbetet pa gazin  e lirë rus por edhe pa beneficet e tjera të Moskës. Kjo për Vuçiçin do të përbënte edhe lëkundje të karrikes ruse, gjë që para zgjedhjeve të afërta në Serbi është shumë e rëndë”.

Ambasadori rus në Serbi Bocan-Harçenko me rastin e presioneve gjithnjë e më të forta që vinë nga ana BE-së ku kërkohet që Serbia të përfshihet në sanksionet  kundër Moskës, porosit se Rusia është e qetë, sepse e njeh konseguencën e Beogradit, presidentit Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë kur vjen puna për mbrojtjen e interesave kombëtare të Serbisë. Ky prononcim është njëherësh edhe një paralajmërim për Vuçiçin se vendimi i tij eventual  për t’iu bashkuar sanksioneve nuk do të kalojë pa reaksione nga ana e rusëve. Serbia është e lidhur fort pas Rusisë, çdo largim nga ajo do të paguhej shtrenjtë.

KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME

  • Ngjarjet në Ukrainë do të sjellin politikë më të vendosur të Perëndimit ndaj Ballkanit Perëndimor. Radikalizimi i Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë, i cili e kërcënon atë me shpërbërje, i ka kthyer ShBA-të në rajon me një strategji të re e cila nënkupton sanksione për të gjithë ata që destabilizojnë. Lufta në Ukrainë dhe mundësia e destabilizimit rus në Ballkan  do ti motivojnë akoma më shumë ShBA-të  dhe BE që të mos përjetojnë edhe një fjasko tjetër si puna e atij në Afganistan.
  • Putini, në kundërshtim me pritmëritë e tij, e ka bashkuar Perëndimin dhe ka forcuar aleancën dhe, në mënyrë të veçantë reason d’etre të NATO-s dhe unitetin në BE. BE e përjeton luftën në Ukrainë si luftë kundër vlerave europiane. Me sa duket B eogradi ende nuk e ka kuptuar një gjë të tillë.
  • Shumë zëra në Perëndim, në kontekstin e destabilitetit dhe pasigurisë globale, paralajmërojnë pasoja për Serbinë, e cila që prej disa vitesh po largohet nga Perëndimi dhe po zgjeron  lidhjet  e saj politike dhe të sigurisë me Rusinë (si edhe me Kinën). Gjithnjë e më shumë po piqet mendimi se ka ardhur koha që ShBA-të dhe BE-ja të rishikojnë qëndrimin e tyre ndaj Beogradit dhe të flasin hapur për pasojat e vazhdimit të kësaj rruge, përfshirë edhe potencialisht sanksionet.
  • Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë dënuar agresionin rus dhe janë rreshtuar përkrah Perëndimit. Vetëm Serbia ka evituar sqarim preciz për këtë  problem edhe përkundër presioneve të ShBA dhe BE-së.
  • Serbia ende nuk ka bërë përzgjedhjen e cila varet nga shumë aktorë në vend. Shumë prej atyre janë të dezorientuar dhe tashmë ka filluar të shprehet pakënaqësia për votimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
  • Projekti “Bota serbe”, për të cilin është folur shumë muajt e fundit, momentalisht nuk është i pranishëm në diskursin publik, gjë që nuk do të thotë se nuk është akoma aktual. Një pjesë e elitave serbe mendon se realizimi i tij është i mundshëm në rrethana të caktuara historike. Në këtë kuptim shumë  gjëra do të varen nga fakti nëse Moska do ta zgjerojë krizën, ndërsa, siç paralajmërojnë shumë veta, Ballkani Perëndimor është një prej kandidatëve të mundshëm.
  • Presidenti Vuçiç momentalisht po përballet me realitetin që vetë ai e ka krijuar. Vërehet një mbështetje e gjërë jo vetëm e opinionit publik për Rusinë, por edhe e elitave akademike, ushtarake dhe politike nga njëra anë dhe nga ana tjetër, e elitave klulturore, religjoze nëpërmjet potencimit të afërsisë historike mes Beogradit dhe Moskës, e cila, dhjetëvjeçarin e fundit është çimentuar nëpërmjet një propagande sistematike.
  • Megjithëse deklarimi i Serbisë në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ishte pozitiv, ai ka ardhur si rezultat e presioneve me të cilat presidenti Vuçiç që në vitin 2012 nuk ishte ballafaquar. Presioni i Perëndimit politik ndaj Serbisë ka arritur pikën e ndezjes dhe gjatë dhjetë ditëve të fundit është folur edhe për mundësinë e tërheqjes së investimeve të kompanive gjermane në Serbi, të cilët janë investitorët më të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Serbi.
  • Përzgjedhja e gabuar e Serbisë do të jetë destruktive për të ardhmen e saj . Serbia duhet të mbajë mirë parasysh që të mos përsëritet viti 2014, kur tentoi të përfitonte nga fakti se Federatës Ruse i ishin vënë sanksione. Përshembull, Serbia moentalisht përbën një hub europian për fluturimet e kompanisë Air Serbia nga Rusia drejt Europës dhe anasjelltas. Ky fakt është mbajtur shënim në Bruksel dhe për këtë Serbia ballafaqohet me mundësinë që aviokompania e saj kombëtare të vihet nën restriksione nga ana e BE-së për shkak të një sjelljeje të këtillë. Ky është vetëm  një shembull ku Serbia me politikën e saj të mosvënies së sanksioneve të  rrezikojë “ftohje” në integrimin europian, gjë e  cila do të ishte e rrezikshme për reformat dhe stabilitetin ekonomik të saj. Deklarata e presidentit të Serbisë mbi zvoglimin e numurit të fluturimeve nga Rusia drejt Beogradit është vërtetim i faktit se presioni do të vijë duke u forcuar.
  • Kriza ukrainase tregoi paqëndrueshmërinë e ballacimit të politikës së jashtme dhe të neutralitetit ushtarak të Serbisë. Izolimi ndërkombëtar i Rusisë flet gjithashtu për atë se Serbia duhet ti kthehet interesave të saj vitale në mënyrë që të mos përfundojë edhe ajo në izolim me pasoja afatgjatë.
  • Pas zgjedhjeve të 3 prillit 2022, pushteti serb do të jetë para dilemës themelore Europa apo Rusia, gjë e cila implikon përzgjedhje mes demokracisë dhe autokracisë, begatisë dhe izolimit.

/Argumentum.al

http://www.helsinki.org.rs/serbian/doc/HB-Br161.pdf