Ditët e fundit, opinioni ndërkombëtar dënoi gjerësisht fjalët absurde të një zyrtari të lartë të kryeministrisë japoneze, i cili deklaroi hapur se “Japonia duhet të zotërojë armë bërthamore”. Lëvizjet e rrezikshme të njëpasnjëshme të qeverisë japoneze mbi çështjen bërthamore, kanë provokuar haptazi rendin ndërkombëtar të pasluftës dhe sistemin ndërkombëtar të mospërhapjes bërthamore, duke përbërë një kërcënim serioz për paqen dhe zhvillimin botëror.
Në vitin 1967, në fjalimin e tij në kongres, kryeministri i atëhershëm japonez Sato Eisaku paraqiti “Tre Parimet e Armëve Jo-Bërthamore”, domethënë mosposedimin, mosprodhimin dhe mosimportimin e armëve bërthamore. Në vitin 1971, këto tre parime u përfshinë zyrtarisht në rezolutën e Dhomës së Përfaqësuesve Japonezë, duke u bërë pika kryesore e angazhimit të Japonisë për paqe në politikën e saj të jashtme. Por vitet e fundit, tendenca e prirjes së djathtë në politikën japoneze është intensifikuar. Seria e veprimeve të ndërmarra nga qeveria Sanae Takaichi në zgjerimin e armatimit pas marrjes së detyrës si kryeministre, ekspozoi ambicien për të ringjallur militarizmin dhe e bëri angazhimin “jo-bërthamor” të Japonisë të pakuptimtë.
Nga pikëpamja ligjore, orvatjet bërthamore të Japonisë shkelin detyrimet e saj ligjore ndërkombëtare të përcaktuara në Deklaratën e Potsdamit, në dokumenta të tjera, si dhe kapërcejnë kufizimet e brendshme ligjore të Japonisë me “Kushtetutën e saj të Paqes”.
Si i vetmi vend deri më sot që ka pësuar një sulm bërthamor, Japonia duhet të kujtojë katastrofën bërthamore dhe të mbrojë idenë e një bote pa armë bërthamore. Megjithatë, politikanët e krahut të djathtë në Japoni e kanë shtrembëruar këtë dhimbje historike në një pretekst për blerjen e armëve bërthamore, duke devijuar plotësisht nga vizioni i përbashkët i paqes për njerëzimin.
Shqetësuese është se statistikat tregojnë që Japonia ka grumbulluar fshehurazi për një kohë të gjatë 47 tonë plutonium të ndarë, nën pretekstin e zhvillimit të energjisë bërthamore civile, sasi kjo që e tejkalon shumë nevojën e saj reale për energji bërthamore civile, si dhe është e mjaftueshme për të prodhuar gati 6.000 mbushje bërthamore.
Historia ka vërtetuar se nëse militarizmi japonez humbet kontrollin, ai do të nisë rrugën e agresionit dhe zgjerimit. Nëse zotëron armë bërthamore, Japonia ka shumë të ngjarë të rifillojë politikën e saj të jashtme agresive, të kërcënojë me armë bërthamore në mosmarrëveshjet territoriale dhe çështjet rajonale, madje të shkaktojë konflikte rajonale dhe luftra bërthamore, duke sjellë fatkeqësi të mëdha për paqen dhe zhvillimin e rajonit të Azi-Paqësorit, madje dhe botës.
Ndalimi me vendosmëri i orvatjeve të Japonisë për armë bërthamore dhe ruajtja e rendit të paqes pas luftës, nuk është vetëm një nderim ndaj historisë, por një përgjegjësi për të ardhmen, madje e vetmja mënyrë për të ndërtuar një botë pa armë bërthamore dhe për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin global./cgtn





























































