Maqedonia e Veriut shënon 35 vjet nga pavarësia, një jubile që rikthen në kujtesë rrugën paqësore drejt shtetësisë, por edhe hap pyetjen e madhe se çfarë shteti do t’u lihet brezave të ardhshëm. Nga referendumi i 8 shtatorit 1991 dhe vizioni i Kiro Gligorovit, te integrimi i papërfunduar evropian, funksionaliteti i institucioneve dhe emigrimi i të rinjve…
Xhenur ISENI*
Shkup, 8 shtator – “Po ju uroj një Maqedoni të lirë, sovrane dhe të pavarur”, kjo fjali e presidentit të parë, Kiro Gligorov, e shqiptuar mbrëmjen e 8 shtatorit 1991, mbeti e gdhendur në historinë e shtetit. Më shumë se 95 për qind e qytetarëve që votuan në referendumin e atëhershëm u deklaruan për një Maqedoni të pavarur, duke i hapur vendit rrugën drejt shtetësisë së mëvetësishme. Pavarësia u arrit në mënyrë paqësore, pa luftë dhe pa viktima, në një kohë kur shpërbërja e Jugosllavisë po shoqërohej me konflikte të përgjakshme në pjesë të tjera të rajonit. Pikërisht ky dimension i historisë së vendit vazhdon të shihet si një nga sukseset më të mëdha të gjeneratës shtetformuese, shkruan gazeta KOHA.
SHTETI QË NDËRTOJMË, AI DO TË KEMI
Në 35-vjetorin e pavarësisë, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova riktheu në vëmendje përgjegjësinë e gjeneratave të sotme për mënyrën se si ndërtohet shteti. “Çfarë shteti do të krijojmë, një shtet të tillë do të kemi”, porositi ajo, duke theksuar se shtetësia nuk ndërtohet vetëm përmes zgjedhjeve dhe institucioneve formale, por përmes demokracisë funksionale, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe respektimit të ligjit. Sipas saj, në vitet turbulente të nëntëdhjetave, maturia politike e figurave si Kiro Gligorov, Stojan Andov, Nikolla Klusev, Petar Goshev dhe Abdurahman Aliti ishte vendimtare për kalimin paqësor drejt pavarësisë.
PAVARËSIA NUK NDËRTOHET VETËM ME REFERENDUM
Në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili theksoi se pavarësia nuk është vetëm një akt historik, por një proces që duhet të ndërtohet çdo ditë. Sipas tij, një shtet funksional kërkon institucione të forta, ligje që zbatohen në mënyrë të barabartë, drejtësi, arsim cilësor, ekonomi dhe besim të qytetarëve. Gashi vuri theks të veçantë te emigrimi dhe sfidat demografike, duke paralajmëruar se një shtet nuk mund të ndërtojë të ardhme të qëndrueshme nëse çdo vit humb një pjesë të gjeneratës së re. “Patriotizmi” i sotëm, sipas tij, duhet të nënkuptojë krijimin e kushteve që të rinjtë të mund të ndërtojnë një jetë të mirë edhe në vendin e tyre.
SHQIPTARËT DHE RRUGA DREJT PAVARËSISË
Në diskutimet për 8 Shtatorin u rikthye edhe roli i përfaqësuesve politikë shqiptarë në procesin e krijimit të shtetit të pavarur. Ish-deputeti Naser Ziberi kujtoi se përfaqësuesit politikë shqiptarë u rreshtuan ndër të parët për një Maqedoni të pavarur dhe sovrane, ndërsa kërkuan një kornizë të qartë kushtetuese dhe juridike që do t’u mundësonte shqiptarëve të ishin pjesë aktive e ndërtimit të shtetit. Kjo pjesë e historisë, së bashku me zhvillimet që pasuan, mbetet pjesë e debatit për karakterin multietnik të shtetit dhe për mënyrën se si barazia duhet të përkthehet në institucione dhe në jetën e përditshme.
BASHKË NDËRTOJMË NJË SHTET EVROPIAN DHE TË BARABARTË
Nga VLEN theksojnë se 35-vjetori duhet të shërbejë jo vetëm si moment krenarie për të kaluarën, por edhe si përgjegjësi për të ardhmen. Sipas tyre, shqiptarët janë pjesë e pandashme e historisë, shtetësisë dhe zhvillimit të vendit, ndërsa rruga drejt Bashkimit Evropian nuk ka alternativë. Integrimi evropian, theksojnë nga VLEN, duhet të sjellë institucione më të forta, më shumë sundim të ligjit, mundësi më të mëdha për qytetarët dhe një të ardhme më të sigurt për gjeneratat e reja.
“Shqiptarët janë pjesë e pandashme e historisë, shtetësisë dhe zhvillimit të këtij vendi. Kontributi i tyre në ndërtimin e institucioneve dhe në forcimin e shoqërisë sonë është pjesë e pandashme e identitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në 35 vitet e pavarësisë, vendi ka kaluar nëpër sfida të shumta dhe ka bërë hapa të rëndësishëm përpara. Sot, përgjegjësia jonë është të ndërtojmë një shtet funksional, demokratik dhe ekonomikisht të zhvilluar, ku barazia, drejtësia dhe sundimi i ligjit janë vlera të përditshme dhe jo vetëm parime në letër”, thonë mes tjerash nga VLEN.
TA NDËRTOJMË SHTETIN KU TË RINJTË ZGJEDHIN TË QËNDROJNË
Me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, porositi se shtetësia e Maqedonisë është rezultat i një kontinuiteti historik dhe i luftës së disa gjeneratave, por edhe se gjenerata e sotme ka obligim të krijojë një shtet në të cilin të rinjtë do të duan të qëndrojnë. Filipçe vlerësoi se shtetësia maqedonase nuk ka filluar në vitin 1991, por është ndërtuar ndër breza – nga Ilindeni, përmes ASNOM-it, deri te referendumi i 8 Shtatorit 1991. “Sot shënojmë 35 vjet nga vendimi historik i qytetarëve maqedonas për një shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Shtetësia jonë nuk filloi në vitin 1991, ajo është krijuar ndër breza, përmes një kontinuiteti historik, politik dhe revolucionar“, theksoi lideri i LSDM-së.
Sipas tij, çdo gjeneratë ka pasur rolin e saj historik. Gjenerata e Ilindenit hodhi themelet e luftës për liri, ASNOM-i e themeloi shtetësinë maqedonase, ndërsa gjenerata e vitit 1991 u angazhua për një shtet të pavarur dhe zgjodhi rrugën paqësore në një periudhë konfliktesh të armatosura në rajon. “Gjenerata e vitit 1991 u përpoq për një shtet të pavarur, duke zgjedhur paqen në kohë luftërash, dhe e nisi betejën e vështirë për njohjen ndërkombëtare“, tha Filipçe.
Ai kujtoi gjithashtu arritjet e gjeneratave pas pavarësisë, ndër të cilat përmendi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, hapjen e rrugës drejt Bashkimit Evropian, si dhe ruajtjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas. Filipçe theksoi se LSDM-ja e konsideron veten pjesë të këtij kontinuiteti shtetformues, duke përmendur pjesëmarrjen e partisë në proceset që lidhen me pavarësinë, njohjen ndërkombëtare, anëtarësimin në NATO dhe integrimin evropian. Por, sipas tij, shënimi i 35-vjetorit të pavarësisë nuk duhet të jetë vetëm një vështrim drejt së kaluarës, por edhe një moment për të menduar për të ardhmen. “Paraardhësit tanë luftuan që të kemi shtetin tonë. Kjo gjeneratë jonë ka obligim të luftojë që fëmijët tanë të duan të jetojnë në të, të luftojë për një Maqedoni evropiane“, porositi Filipçe. Ai shtoi se shteti nuk matet vetëm përmes datave historike dhe vendimeve politike, por edhe përmes jetës së përditshme të qytetarëve. “Shteti është edhe jeta e përditshme e njerëzve, e fëmijëve dhe nipërve tanë. Shteti është në krijimin e mundësive që prindërit ta mbajnë familjen e tyre me dinjitet, të rinjtë të krijojnë një shtëpi, ndërsa të moshuarit të kenë një pleqëri të qetë dhe dinjitoze“, theksoi lideri i LSDM-së.
Filipçe porositi se punëtorët duhet të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre dhe të mos kenë frikë nëse paga do t’u mjaftojë deri më datën e parë të muajit, duke theksuar se pikërisht krijimi i kushteve më të mira për jetë duhet të jetë një nga qëllimet kryesore në vitet e ardhshme.





















































