Operacioni ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Venezuela ka shkaktuar një valë reagimesh në arenën ndërkombëtare. Ky veprim, i cili solli dhe arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe zbatimin e politikave të SHBA-së kundër qeverisë së tij, ka nxitur kritika por dhe mbështetje nga aktorë të ndryshëm globalë.
SHBA-ja e akuzon presidentin Maduro për lidhje me kartelët e drogës dhe për udhëheqjen e një “narko-shteti” që ka shpërbërë rendin demokratik në Venezuela. Ky operacion është shpallur si një hap i rëndësishëm për të mbrojtur sigurinë globale, luftuar krimin e organizuar dhe mbrojtur vlerat demokratike.
Megjithatë, veprimi i SHBA-së është kundërshtuar ashpër nga disa fuqitë globale.
Rusia, Kina dhe Irani kanë dënuar fuqishëm veprimin e SHBA-së, duke e cilësuar atë si një shkelje të sovranitetit të Venezuelës dhe një akt të paligjshëm. Ata kërkojnë që të respektohet ligji ndërkombëtar dhe sovraniteti i shteteve.
Rusia
“Këtë mëngjes, Shtetet e Bashkuara kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Kjo është thellësisht shqetësuese dhe e dënueshme”, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë, duke shtuar se “armiqësia ideologjike ka triumfuar mbi pragmatizmin ekonomik”.
Rusia është një aleate e Venezuelës.
Irani
“Ministria iraniane e Punëve të Jashtme dënon fuqimisht sulmin ushtarak amerikan kundër Venezuelës dhe shkeljen flagrante të sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të vendit”, tha Ministria e Jashtme iraniane në një deklaratë, duke denoncuar “agresionin e paligjshëm të Shteteve të Bashkuara”, një armik i Republikës Islamike. Irani mban lidhje të ngushta me Venezuelën.
Kina
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha të shtunën se Kina është thellësisht e tronditur dhe dënon fuqimisht përdorimin flagrant të forcës nga SHBA-të kundër një shteti sovran dhe veprimin kundër presidentit të tij.
Është raportuar se SHBA-të nisën sulme ushtarake ndaj Venezuelës dhe Presidenti Donald Trump postoi në Truth Social se SHBA-të kanë kryer “me sukses” një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësi i saj, Presidenti Nicolas Maduro, së bashku me gruan e tij, janë marrë dhe “larguar nga vendi”.
Në përgjigje, zëdhënësi tha se akte të tilla hegjemonike të SHBA-ve shkelin rëndë ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin e Venezuelës, dhe kërcënojnë paqen dhe sigurinë në Amerikën Latine dhe rajonin e Karaibeve.
“Kina e kundërshton me vendosmëri këtë”, tha zëdhënësi, duke i kërkuar SHBA-ve të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, dhe të ndalojnë shkeljen e sovranitetit dhe sigurisë së vendeve të tjera.
Bashkimi Evropian ka kërkuar “përmbajtje” dhe respekt për të drejtat ndërkombëtare, ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar ka theksuar se nuk është përfshirë në operacionin amerikan dhe ka kërkuar më shumë informacion duke u distancuar nga SHBA.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, bëri thirrje për “përmbajtje” dhe ”respekt për të drejtën ndërkombëtare në Venezuelë”, pas njoftimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për “kapjen” e homologut të tij venezuelian, Nicolas Maduro.
Në rrjetin X, Kallas deklaroi se kishte folur në telefon me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, të cilit i përsëriti se ”BE-ja kundërshton legjitimitetin demokratik të Nicolas Maduros”.
Megjithatë, “në të gjitha rrethanat, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje”, shkroi ajo.
Britania
Kryeministri britanik, Keir Starmer deklaroi se Mbretëria e Bashkuar nuk ishte përfshirë “në asnjë mënyrë” në sulmet e udhëhequra nga SHBA-të ndaj Venezuelës, sipas BBC.
Starmer tha se ende nuk kishte folur me presidentin e SHBA-së Donald Trump në lidhje me operacionin amerikan për të kapur presidentin Nicolas Maduro në kryeqytetin e vendit, Karakas.
I pyetur nëse e dënonte veprimin e SHBA-së, siç kanë bërë një numër politikanësh të tjerë të Mbretërisë së Bashkuar, ai u tha gazetarëve se donte të “përcaktonte faktet” dhe të fliste së pari me Trumpin rreth “situatës që po lëviz me shpejtësi”.
Kryeministri tha gjithashtu se po punonte me ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Venezuelë për të siguruar që rreth 500 qytetarë britanikë në vendin e Amerikës së Jugut “të jenë mirë, të mbrojtur dhe të marrin këshilla të përshtatshme”.
Starmer tha se “unë gjithmonë them dhe besoj se duhet të mbështesim ligjin ndërkombëtar. Por mendoj se në këtë fazë [në një] situatë që po lëviz me shpejtësi, le të përcaktojmë faktet dhe të vazhdojmë nga aty. Dua të përcaktoj së pari faktet. Dua të flas me presidentin Trump. Dua të flas me aleatët. Siç thashë, mund të jem absolutisht i qartë se ne nuk ishim të përfshirë në këtë”.
Maduro është paditur në Nju Jork për akuza për drogë dhe armë, sipas zyrtarëve amerikanë. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se nuk pret veprime të mëtejshme kundër Venezuelës. Sulmet brenda Venezuelës vijnë pas presionit të vazhdueshëm të SHBA-së kundër qeverisë Maduro. SHBA e ka akuzuar presidentin venezuelian se është personalisht i përfshirë në kontrabandën e drogës dhe se është një udhëheqës i paligjshëm, ndërsa Maduro ka akuzuar SHBA-në për kërcënim.
Nga ana tjetër, Shqipëria dhe Kosova kanë ofruar mbështetje të fortë për SHBA-të. Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, e quajti veprimin amerikan si një mbështetje për popullin venezuelian dhe mbrojti parimet demokratike. Kosova, gjithashtu një aleat i SHBA-së, e ka mbështetur operacionin duke theksuar rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe narko-trafikimit.
Shqipëria
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali deklaroi sot mbështetjen e Shqipërisë “përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës” dhe presidentit Nikolas Maduro.
“Populli venezuelian ka një të drejtë të pamohueshme për liri, demokraci dhe sundim të ligjit dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të heshtë përballë shtypjes dhe frikës.
“Ne mbështesim lidershipin e fortë të Sekretarit të Shtetit Rubio në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale”, thekson Spiropali.
Ministrja shtoi se “si një aleat i palëkundur i SHBA-së dhe anëtar i NATO-s, Shqipëria qëndron krah për krah me lidershipin amerikan në mbrojtje të parimeve demokratike dhe sigurisë globale.”
Kosova
Udhëheqësit e Kosovës kanë shprehur mbështetjen e vendit të tyre për Shtetet e Bashkuara dhe presidentin amerikan, Donald Trump, pas arrestimit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, që pasoi sulme ajrore në kryeqytetin Karakas të shtunën.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në X se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump në mbështetje të veprimeve të tij kundër “regjimit narko-terrorist” të Venezuelës.
“Presidenti Trump qëndroi pranë popullit të Venezuelës dhe iu kundërvu shtetit narko të Maduros, duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelët dhe krimi i organizuar”, shkroi Osmani.
Ajo theksoi se Kosova e “kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane; çlirimi ynë është një dëshmi e saj”.
SHBA-ja është ndër mbështetesit dhe aleatët kryesorë të Kosovës. Ajo e ndihmoi vendin të çlirohet nga regjimi serb më 1999 dhe ta shpallë pavarësinë më vonë në vitin 2008.
“Në këtë çast kur SHBA-ja po përballet me tiraninë në Venezuelë, të gjithë duhet ta forcojmë këtë qëndrim, sepse komuniteti transatlantik është më i fortë kur është i bashkuar pas lidershipit amerikan dhe vlerave të përbashkëta”, shtoi Osmani.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosovës e mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë.
“Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie”, shkroi Kurti në Facebook.
“Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë”, tha ai.
/Argumentum.al





























































