Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi sot 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut në Kosovë, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda kundër civilëve shqiptarë.
Kreu i Shtetit theksoi se denoncimi i masakrës nga ambasadori amerikan William Walker, 27 vite më parë, ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar për gjenocidin që po ndodhte në Kosovë.
Sipas Begajt, ky ndërgjegjësim çoi në Konferencën e Rambujesë, ndërhyrjen e NATO-s, çlirimin e Kosovës dhe vendosjen e paqes që, siç u shpreh ai, “e gëzojmë sot bashkërisht”.
Presidenti nënvizoi se Masakra e Reçakut nuk mund të harrohet dhe se thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet, duke shprehur nderim për martirët e rënë dhe mirënjohje për aleatin strategjik të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova përkujton sot 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku më 15 janar 1999, në fshatin Reçak, u vranë barbarisht 45 civilë shqiptarë të paarmatosur. Ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e kishte cilësuar këtë ngjarje si krim kundër njerëzimit.
/Argumentum.al





























































