Sot përkujtohet 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tronditëse dhe më vendimtare në historinë e Kosovës, që shënoi një kthesë të pakthyeshme në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak, forcat serbe masakruan barbarisht 45 civilë shqiptarë të paarmatosur, burra të moshave të ndryshme, duke lënë pas një plagë të thellë në kujtesën kolektive të popullit shqiptar. Pamjet e trupave të pajetë dhe dëshmitë nga vendngjarja tronditën opinionin publik botëror dhe zbuluan qartë përmasat e dhunës dhe të gjenocidit që po ushtrohej në Kosovë.
Denoncimi i menjëhershëm i masakrës nga ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së, ambasadori amerikan William Walker, ishte vendimtar. Ai e cilësoi Reçakun si krim kundër njerëzimit, duke thyer heshtjen ndërkombëtare dhe duke vënë Serbinë përballë përgjegjësisë së saj.
Kjo ngjarje çoi në intensifikimin e përpjekjeve diplomatike, në Konferencën e Rambujesë dhe, më pas, në ndërhyrjen e NATO-s, që solli fundin e luftës, çlirimin e Kosovës dhe hapjen e rrugës drejt pavarësisë së saj. Në këtë kuptim, Masakra e Reçakut nuk ishte vetëm një krim i rëndë, por edhe momenti që ndryshoi fatin e Kosovës. Duke bërë që ky krim i rëndë jo vetëm të trondiste ndërgjegjen ndërkombëtare, por edhe të shndërrohej në momentin që ndryshoi fatin e Kosovës.
Sot, 27 vite më pas, Kosova është e lirë dhe e pavarur, por drejtësia për viktimat e Reçakut dhe për të gjitha masakrat e kryera ndaj popullatës civile në Kosovë ende mungon.
/Argumentum.al





























































