Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kinës Zhang Xiaogang u bëri thirrje të enjten Filipineve të heqin një anije të vendosur në mënyrë të paligjshme në gumën Ren’ai dhe të ndërpresin të gjitha veprimet provokuese në Detin e Kinës Jugore.
Zhang i tha këto në një konferencë për shtypin në përgjigje ndaj një pyetjeje të medias lidhur me anijen filipinase “BRP Sierra Madre (LT-57)”, e cila së fundmi mori një ngarkesë të re furnizimesh.
Raportohet që pala filipinase është përpjekur vazhdimisht t’i përdorë këto misione furnizimi për të dërguar materiale përforcimi, me qëllim që ta ankorojë përgjithmonë anijen në këtë gumë.
Guma Ren’ai është pjesë e ishujve Nansha të Kinës, tha Zhang, duke vënë në dukje se Kina dhe Filipinet kishin arritur një marrëveshje të përkohshme për furnizimin humanitar me sende bazë të jetesës për trajtimin e situatës në Ren’ai.
Pala kineze nuk do të pranojë asnjë përpjekje të palës filipinase për të dërguar materiale ndërtimi, për të ndërtuar objekte fikse ose për të krijuar një postë të përhershme në gumë dhe do të marrë masa për të parandaluar veprime të tilla në përputhje me ligjin, theksoi Zhang.
Ai shtoi që Kina mbetet e përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin territorial dhe të drejtat e interesat e saj detare, duke ruajtur paqen dhe qëndreshmërinë në Detin e Kinës Jugore./cgtn





















































