Plumba gome, gaz lotsjellës dhe ujë me presion në ditën e pestë të protestave. RENEA merr në ruajtje Kryeministrinë, ndërsa raportohen të plagosur dhe përplasje pranë institucioneve qendrore.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u kthye të shtunën e 17 tetorit në skenë të përplasjeve të ashpra mes protestuesve dhe policisë, në ditën e pestë të protestave studentore kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Përveç gazit lotsjellës dhe ujit me presion, policia përdori edhe plumba gome, duke shënuar një përshkallëzim të ndërhyrjes ndaj demonstruesve.
Pamjet e publikuara nga mediat treguan përleshje pranë Ministrisë së Arsimit dhe në zonën përreth Kryeministrisë, ku protestuesit hodhën gurë, fishekzjarrë dhe mjete djegëse në drejtim të efektivëve. Policia u përgjigj me mjete për shpërndarjen e turmës, ndërsa përplasjet vijuan në disa pika të qendrës së kryeqytetit.
Pamjet filmike në mediat vizive treguan policë duke qëlluar me armë të tipit pushkë drejt turmës jashtë Ministrisë së Arsimit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, nuk e mohoi përdorimin e plumbave të gomës, duke deklaruar se mjetet e përdorura ishin përdorur në mënyrë të kufizuar.
Pas largimit të protestuesve nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, situata ka përshkallëzuar me akte të dhunshme dhe djegie të bizneseve dhe institucioneve.
Zjarri i shkaktuar nga sulmi me molotovë i protestuesve ka përfshirë një biznes privat në hyrje të rrugës “Myslym Shyri”. Por flakët përfshinë edhe zyrat në katin e parë të Gjykatës së Lartë.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë zjarrfikësit, të cilët shuan flakët e zjarrit.
Protestuesit e maskuar hodhën molotovë edhe në godinën e Bankës së Shqipërisë në bulevard, e cila u përfshi nga zjarri, por u shua në kohë nga forcat zjarrfikëse.
Ndërkohë pranë Bankës, që ndodhet afër godinës së Partisë Socialiste, po hedhin fishekzjarre e molotovë.
Gjithashtu gjatë lëvizjes në rrugët kryesore të kryeqytetit ata dëmtuan biznese dhe kompani celulare, i kanë vënë zjarrin koshave të mbeturinave si dhe shkatërruan tabelat e sinjalistikës rrugore dhe kangjellat rrethues të trotuareve
RENEA në mbrojtje të Kryeministrisë
Në orët e mbrëmjes, forcat speciale RENEA u angazhuan në zonën e Kryeministrisë. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, efektivët morën në ruajtje godinën pas përshkallëzimit të protestës dhe lëvizjes së demonstruesve drejt rrugëve që lidhen me sheshin “Skënderbej”.
RENEA është një strukturë speciale e Policisë së Shtetit, e trajnuar për ndërhyrje në situata me rrezikshmëri të lartë. Angazhimi i saj në sigurinë e Kryeministrisë erdhi në një moment kur përplasjet kishin dalë përtej një tubimi të zakonshëm dhe autoritetet po përpiqeshin të mbanin nën kontroll zonën përreth institucioneve qendrore.
Por kur ndërhyn RENEA?

– Kapja e personave me rrezikshmëri të lartë: Për arrestimin e individëve të kërkuar për krime të rënda (vrasje, pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale, apo kur ka dyshime se janë të armatosur).
– Situata me pengje: Kur persona të armatosur marrin pengje dhe kërkohet negociatë ose ndërhyrje taktike e specializuar.
– Goditja e grupeve të armatosura ose trafiqeve të rënda: Gjatë operacioneve të shkallës së gjerë kundër krimit të organizuar ose trafikut të armëve dhe lëndëve narkotike, ku mbështetja e policisë së thjeshtë nuk mjafton.
– Mbështetje taktike dhe me rrezik: Kur strukturat e tjera të Policisë së Shtetit (si Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë – FNSH) ose drejtoritë vendore kërkojnë ndihmë për shkak të fortifikimit të personave të dyshuar ose rrezikut të armëhapjes.
Të plagosur dhe hetime ndaj efektivëve
Përplasjet e ditës së pestë u shoqëruan me raportime për persona të lënduar, si nga radhët e protestuesve, ashtu edhe nga policia.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi se prej orës 17:00 deri tani kanë mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” 21 efektivë dhe 13 protestues.
MSHMS bën të ditur se 16 efektivë dhe dy protestues të lënduar gjatë protestës ndodhen tek Spitali i Traumës.
Ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë mbërritur një polic dhe dy protestues.

Skënder Hita njoftoi pezullimin e shtatë punonjësve të policisë, ndaj të cilëve kanë nisur hetime disiplinore për dyshime për tejkalim të kompetencave. Verifikimet synojnë të sqarojnë rrethanat e ndërhyrjeve dhe nëse është respektuar parimi i proporcionalitetit në përdorimin e forcës.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të ditur se po shqyrton pamje filmike dhe materiale të publikuara në media e rrjete sociale për të dokumentuar incidentet dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme.

Protestat kundër qeverisë zgjerohen
Protestat kanë nisur në fillim të javës dhe janë zgjeruar nga kërkesat studentore në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë. Pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe shprehin pakënaqësi për korrupsionin, mungesën e mundësive të punësimit dhe problemet në arsim.
Lëvizja lidhet gjithashtu me kundërshtimin ndaj një projekti turistik luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, ku përfshihen investitorë të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Këto protesta janë një nga sfidat më serioze politike me të cilat është përballur Rama që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013.
Kryeministri ka refuzuar të japë dorëheqjen. Ai ka deklaruar se qeveria respekton të drejtën e studentëve për të protestuar dhe se mandati qeverisës duhet të vijojë përmes institucioneve demokratike.
© 2026 Argumentum





















































