Kryeqyteti shqiptar është përfshirë këtë të shtunë nga dy protesta paralele, ndërsa studentët, pedagogët dhe mbështetësit e opozitës janë mbledhur kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Protesta studentore, që shënon ditën e 19-të, është zhvilluar para Ministrisë së Arsimit, ndërsa Partia Demokratike ka organizuar një tubim kombëtar para Kryeministrisë, në mbështetje të studentëve.
Studentët vijojnë të kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshime, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre duhet të plotësohen përpara se të zhvillohet një proces dialogu me qeverinë. Ata kanë refuzuar ftesat e përsëritura të kryeministrit Rama për takim, duke kërkuar fillimisht përgjigje konkrete ndaj shqetësimeve të tyre.
Në mbështetje të protestës janë bashkuar edhe pedagogë, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor. Kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit është bërë gjithashtu pjesë e thirrjeve të protestuesve.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka mobilizuar anëtarë dhe mbështetës nga qytete të ndryshme të vendit. Kryetari i saj, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës, duke deklaruar se opozita do të mbështesë lëvizjen studentore.
Deputetë të PD-së janë nisur nga selia e partisë drejt Kryeministrisë, ndërsa sipas raportimeve mediatike, rreth 450 mbështetës nga Vlora, Himara dhe Saranda janë nisur drejt Tiranës për të marrë pjesë në tubim.
Masa të shtuara sigurie
Për mbarëvajtjen e protestave, Policia e Shtetit ka angazhuar mbi 2 mijë efektivë. Në terren janë dislokuar forcat e rendit, FNSH-ja dhe strukturat e ndërhyrjes së shpejtë, ndërsa në gatishmëri janë vendosur edhe autobotë me ujë me presion.
Monitorimi i tubimeve po kryhet gjithashtu përmes kamerave të sigurisë dhe dronëve, në një kohë kur protestat e ditëve të mëparshme janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka përsëritur ftesën për dialog me studentët, duke propozuar një takim para Kryeministrisë.
Protestat e sotme zhvillohen në një klimë të tensionuar politike dhe sociale, pas disa javësh demonstratash kundër qeverisë, të nxitura nga pakënaqësitë për arsimin, korrupsionin dhe mundësitë e të rinjve në Shqipëri.
© 2026 Argumentum





















































