Kryetari i PDK-së njofton dorëheqjen e parevokueshme dhe kërkon një proces të ri zgjedhor, me më shumë hapësirë për të rinjtë në drejtimin e partisë.
Bedri Hamza ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke njoftuar sot Kryesinë e partisë për vendimin e tij.
Hamza deklaroi se dorëheqja i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, përmes të cilit anëtarësia do të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të partisë. Ai theksoi gjithashtu nevojën për përfshirje më të madhe të të rinjve në strukturat drejtuese dhe krijimin e mundësive që ata të marrin përgjegjësi.
Hamza tha se përgjegjësitë që ka marrë që nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, përfshirë kandidimin për kryetar të Mitrovicës, tri kandidimet radhazi për kryeministër dhe drejtimin e partisë, kanë qenë të motivuara nga përgjegjësia ndaj PDK-së dhe Kosovës, jo nga ambiciet personale.
Ai u shpreh se gjatë udhëheqjes së tij është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, forcimin e strukturave dhe ruajtjen e besimit të anëtarëve dhe votuesve.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike”, deklaroi Hamza, duke shtuar se do të mbetet votues besnik dhe anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në deklaratën e tij, Hamza foli edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai shprehu zhgënjimin e tij për atë që e cilësoi si padrejtësi dhe tha se përpjekjet për drejtësi, zbardhjen e së vërtetës dhe kthimin e tyre pranë familjeve dhe Kosovës do të vazhdojnë.
Në përfundim, Hamza falënderoi anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e partisë për besimin dhe përkrahjen e dhënë gjatë drejtimit të tij. Ai theksoi se interesi i partisë dhe i vendit duhet të jetë gjithmonë mbi interesin personal.
“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, përfundoi Hamza.
© 2026 Argumentum





















































