REAL POLITIK NR. 133
1 – 31 TETOR 2026
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shqip dhe shkurt, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i mirënjohur,
DR. Jorgji KOTE
1.Nga halli dhe jo nga malli!
Në takimin e tij më 15 Tetor, Këshilli i BE-së miratoi propozimet e Komisionit Europian për integrimin gradual të Balkanit Perendimor, Ukrainës dhe Moldavisë. Bëhet fjalë për bonuse dhe përfitime të ndryshme për vendet kandidate kur ato përparojnë në procesin e mbylljes së grupkapitujve të negociatave të anëtarësimit, kryerjen e reformave të brendshme, që BE-ja ajo të jetë në gjendje të akomodojë 35 nga 27 vende që janë aktualisht, klauzola mbrojtëse në rastin e pranimit të anëtarëve të rinj për një periudhë deri në 15 vjet, si mungesa e të drejtës së vetos dhe votës, e komisionerit, prania në një forum politik por pa të drejtë fjale, etj. Kësisoj, BE-ja e mbyll këtë kapitull, siç i thonë “më tepër nga halli se sa nga malli”. Themi kështu sepse nga njera anë elektoratet e BE-së nuk duan as ta dëgjojnë fjalën “zgjerim”; ca më tepër se vitin e ardhshëm do të jenë zgjedhjet parlamentare në shumë vende të BE-së dhe sidomos në Francë, Spanjë, Poloni, ku forcat anti-europiane të ekstremit të djathtë mund të vijnë në pushtet, duke i “venë vizën BE-së” dhe bashkë me të edhe zgjerimit. Por, nga ana tjetër, BE-ja ndodhet përballë rrezikut të ndërhyrjeve ruse në vendet kandidate, nëse krahas kërbaçit nuk u ofrohet edhe pak kulaç. Kështu, BE-ja tani i ka akomoduar të dy këto pozicione ekstreme.
2.Nga brenda, pastaj nga jashtë:
Më 22 Tetor në Budva të Malit të Zi u zhvillua Samiti i radhës i Procesit të Berlinit, të cilin këtë vit e kryeson Podgorica.Një rastësi e gjetur mbasi Mali i Zi është aktualisht vendi i parë dhe i vetëm që ka gjasat të anëtarësohet në BE brenda vitit 2028. Në këtë Samit, Kancelari Merz ua tha troç liderëve të rajonit, se këtë proces e kanë në dorë vetë ata; se pavarësisht gjeopolitikës që e ndihmon procesin, faktori përcaktues mbeten reformat brenda vendeve; dhe më konkretisht sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, etj. Ky ishte një sinjal i duhur në kohën e duhur, për të shmagur çdo shpresë dhe pritshmëri të parakohshme, për aforfe gjeopolitike për vendet kandidate ose për një lidhje apo rrugë të shkurtër të diktuar nga gjeopolitika. Ashtu si në Këshillin e BE-së më 15 Tetor, edhe në Budva më 22 Tetor liderët europianë e bënë të qartë se kur vjen fjala për shtetin e të drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkushmërisë së zyrtarëve të lartë, “ Thembra e Akilit” për vendin tonë, BE-ja nuk të fal dhe “nuk lëshon pe”. Urojmë që këtë mesazh jetik ta kenë dëgjuar dhe ta pasqyrojnë në punën e tyre edhe liderët tanë dhe sidomos Kryeministri Rama.

3. Imazhi dhe pasqyra copë copë! Pas protestave masive paqësore qytetare, Kryeministri Rama me PS-në kanë marrë disa masa të ashpra politike dhe administrative, sidomos me “ praninë dhe pasqyrat besnike”. Ndërsa javën e kaluar kanë ashpërsuar masat anti-protestë, edhe pse ato bien ndesh me Kushtetutën mbi të drejtën e tubimit. Mirëpo, problemi për qeverinë, PS-në dhe sidomos Kryeministrin Rama është shumë më i thellë se sa mundohen ta paraqesin ata Ai ka të bëjë mbi të gjitha me shkatërrimin e imazhit dhe perceptimit publik për Edi Ramën. Imazhi i tij i dikurshëm i një artisti liberal, politikani të moderuar, europianisti të thekur, njeriu të pëlqyer nga Perëndimi dhe aktor stabilitieti tani i takon të shkuarës. Protestat e 5 muajve të fundit, përleshjet e studentëve dhe të rinjve me policinë brutale dhe menaxhimi mjeran i situatës, shumë më i keq se menaxhimi nga nomenklatura jonë e lartë në fund vitet 80 dhe më tej, ia kanë hequr frikën njerëzve, ia kanë çjerrë maskën dhe ia kanë shembur fasadat Ramës; mirëpo maska, fasada, fotoja dhe fantazia kanë qenë në thelb të politikave dhe strategjisë së tij. Përmbajtja, substanca, dhe rezultatet kanë qenë dytësore dhe tretësore kundrejt retorikës dhe refreneve të tij politike.

4. Paqja vetëm dëshirë e mirë! Edhe gjatë këtij muaji është folur dhe flitet shumë për demarshet amerikane, ruse dhe ukrainase për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për një marrëveshje paqeje.Për palën amerikane këto përpjekje janë intensifikuar më tepër në vigjilje të zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit për Kongresin, për të dhënë idenë se Presidenti Trump po bën çmos për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës. Ukraina natyrisht është në të drejtën e vet ta kërkojë me forcë, ca më tepër se ky dimër parashikohet të jetë tejet i egër me bombardime të fuqishme ruse ndaj infrastrukturës ss saj energjitike, dixhitale, ngrohjes, me synimin që ta gjunjëzojë Kievin dhe gjithë Ukrainën. Rusia nga ana e saj nuk ka ndonjë interes të vërtetë për paqe dhe armëpushim, por për të mos ia prishur qejfin ironikisht aleatit të saj, Presidentit Trump, Putini tregohet i matur dhe i mençur duke shprehur gatishmëri në parim, por duke minuar përpjekjet në terrenin praktik.

Megjithatë, ashtu siç e kemi nënvizuar edhe më parë, për shkak të të ashtuquajturit “ Trekëndësh i Bermudës” është e pamundur që atje të ketë paqe të vërtetë. Kjo mbasi Ukraina në të drejtën e saj kërkon sovranitetin dhe integritetin territorial, ndërsa Rusia do një Ukrainë pa Donbasin, pa NATO, pa ushtri, pa forca sigurie perendimore, çka do të ishte një pushtim dhe kapitullim i ri për atë vend; ndërsa SHBA-të dhe Presidenti Trump janë të interesuar për një Ujdi të madhe fitimprurëse tregtare, duke injoruar synimin e vërtetë gjeopolitik të Putinit, rivendosjen e Perandorisë së dikurshme cariste ose sovjetike. Të dy, Trump dhe Putin po injorojnë edhe vendet e BE-së që preken dhe ndikohen drejtpërsëdrejti nga lufta në Ukrainë. Dhe ajo çka po ndodh atje e vërteton këtë parashikim. Në një kohë kur Rusia shpreh gatishmërinë formale për paqe, ajo vazhdo,n të përshkallëzojë bombardimet ndaj Kievit dhe infrastrukturës së saj energjitike, që të gjunjëzojë në dimrin e acartë të këtij viti. Ja pse, demarshet e tanishme diplomatike janë lëvizje boshe ose “pa top” siç njihen në futboll, sa për të kaluar radhën dhe 3 Nëntorin. Efekti i tyre do të jetë minimal, me një shkëmbim të burgosurish, një armëpushim të pjesshëm disa ditor dhe aq. Le ta përsëritim fort: Paqja në Ukrainë mund të realizohet vetëm me “ diplomaci lufte” duke e dekurajuar Rusinë dhe me mbështetje totale ndaj Kievit. Gjithçka tjetër është fjalë dhe vetëm dëshirë e mirë.
© 2026 Argumentum





















































