Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, paralajmëroi se procesi i zgjerimit po përballet me presion nga aktorë që synojnë të pengojnë integrimin evropian të vendeve kandidate dhe të dobësojnë vetë Bashkimin Evropian, duke veçuar Rusinë si një nga kundërshtarët kryesorë.
“Përballemi me kundërshtarë që duan të nxjerrin nga shinat procesin e zgjerimit dhe të dëmtojnë vendet kandidate, por objektivi kryesor jemi ne: Bashkimi Evropian. Para së gjithash, Rusia, e cila synon të përmbysë procesin e bashkimit evropian”, deklaroi Kos në fjalën e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së 2026, që po zhvillohet në Bruksel.
“Përgjigjja jonë ndaj gjithë kësaj është e qartë: nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”, shtoi ajo.
Komisionerja theksoi se zgjerimi është rikthyer në qendër të debatit për të ardhmen e Evropës, duke e cilësuar atë si një proces me rëndësi strategjike për garantimin e paqes, lirisë dhe prosperitetit në dekadat e ardhshme.
“Zgjerimi i sotëm po zhvillohet në një kontekst gjeopolitik shumë më konkurrues”, vuri në dukje Kos, duke nënvizuar se asnjëherë më parë në historinë e integrimit evropian nuk ka qenë politikisht kaq e vështirë të çohet përpara procesi i zgjerimit.
Në përfundim, ajo bëri thirrje që ky moment të shfrytëzohet për ndërtimin e një Evrope më të madhe dhe më të fortë, e aftë të përcaktojë vetë të ardhmen e saj.
Forumi i dytë i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, me temë “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, zhvillohet sot në Bruksel. Takimi vjen vetëm pak ditë pas Samitit të nëntë të Komunitetit Politik Evropian në Dublin, ku vendet kandidate u përfshinë në diskutimet me vendet anëtare të BE-së.
Shqipëria është ndër vendet kandidate që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në fund të kësaj dekade. Sipas udhërrëfyesit të Komisionit Evropian, objektivi i përcaktuar për përmbylljen e negociatave është dhjetori i vitit 2027, ndërsa anëtarësimi synohet të arrihet përpara vitit 2030.
© 2026 Argumentum





















































