Të martën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Shenzhen me homologen e tij peruane Keiko Fujimori, që ndodhet në Kinë për të marrë pjesë në Takimin e Liderëve Ekonomikë të APEC-ut.
Xi Jinping vuri në dukje që ky vit shënon 55- vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Perusë. Gjatë mbi gjysmë shekulli, marrëdhëniet dypalëshe kanë ruajtur gjithmonë prirjen e mirë të zhvillimit. Kina është bërë partnerja më e madhe tregtare dhe destinacioni më i madh i eksporteve të Perusë për 12 vjet me radhë. Protokolli për përmirësimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kinë-Peru hyri zyrtarisht në fuqi dy javë më parë, ndërsa Porti i Çankajit, i ndërtuar me pjesëmarrjen e ndërmarrjeve kineze, ka nxitur fuqimisht bashkëpunimin ekonomiko-tregtar midis Azisë dhe Amerikës Latine. Në pikënisjen e re historike, pala kineze është e gatshme të punojë me palën peruane për t’i çuar marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik midis dy vendeve në nivele të reja, duke u sjellë të dy popujve përfitime.
Presidenti Xi Jinping theksoi më tej që Kina është e gatshme të ndajë mundësitë e modernizimit të saj me Perunë. Të dy palët duhet të forcojnë shkëmbimet midis qeverive, organeve legjislative, partive dhe pushteteve vendore të të dyja vendeve, të shtojnë besimin e ndërsjellë politik, të forcojnë bashkëpunimin në fushat tradicionale, duke përfshirë infrastrukturën, energjinë e burimet, duke kërkuar perspektivën e bashkëpunimit në fushat e reja, si energjia e re, inteligjenca artificiale etj., për të arritur lulëzimin e përbashkët. Xi bëri thirrje po ashtu që Kina e Peruja të promovojnë shkëmbimet njerëzore dhe të forcojnë bashkërendimin brenda kornizave të OKB-së, të APEC-ut etj., për të mbrojtur multilateralizmin, tregtinë e lirë dhe drejtësinë ndërkombëtare.
Nga ana e saj, presidentja Keiko Fujimori u shpreh që Peruja i përmbahet parimit të “Një Kine” dhe është e gatshme të forcojë kontaktet e nivelit të lartë me Kinën, të shtojë miqësinë midis dy popujve dhe të nxitë bashkëpunimin në fushat e tregtisë, investimeve, infrastrukturës etj. Porti i Çankajit dhe vepra të tjera kanë luajtur një rol të rëndësishëm për nxitjen e zhvillimit ekonomik të Perusë, u shpreh Fujimori, duke mirëpritur më shumë sipërmarrje kineze të investojnë në Peru./cgtn




















































