Hapje, inovacion dhe bashkëpunim: Vizioni i Xi Jinping për Azi-Paqësorin dhe rendin ekonomik global.
Nga Marjana DODA*
35 vjet pas anëtarësimit të Kinës në APEC, Samiti i zhvilluar në Shenzhen përcolli një vizion për të ardhmen e bashkëpunimit ekonomik në Azi-Paqësor, duke vënë në qendër hapjen, inovacionin dhe bashkëpunim. Në një ekonomi globale që po riformësohet nga transformimet teknologjike, tensionet tregtare dhe rivalitetet strategjike, roli i Kinës dhe perspektiva e APEC-ut marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe.
Në një periudhë kur ekonomia botërore po përjeton ndryshime të thella dhe marrëdhëniet ndërkombëtare po ndikohen gjithnjë e më shumë nga rivalitetet gjeopolitike, Samiti i 33-të i Liderëve Ekonomikë të APEC-ut, i zhvilluar më 18–19 nëntor në Shenzhen të Kinës, riktheu në vëmendje një çështje thelbësore, të ardhmen e bashkëpunimit ekonomik në Azi-Paqësor dhe rolin që ky rajon do të luajë në zhvillimin e ekonomisë globale.
APEC-u, si një nga platformat më të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik në botë, përfaqëson një hapësirë ku ndërthuren ekonomi me peshë të konsiderueshme në tregtinë ndërkombëtare, prodhimin, investimet dhe inovacionin teknologjik. Në këtë kuadër, samiti i këtij viti mori një rëndësi të veçantë edhe për Kinën, e cila, 35 vjet pas anëtarësimit në këtë forum, e organizon atë për herë të tretë, pas Shangait në vitin 2001 dhe Pekinit në vitin 2014.
Në fjalën e tij më 18 nëntor, në Samitin e CEO-ve të APEC-ut 2026, Presidenti kinez Xi Jinping e përshkroi Azi-Paqësorin si “shtëpinë tonë të përbashkët”, njëkohësisht si një “hapësirë të gjerë për zhvillim të përbashkët” dhe një “skenë të gjerë për të punuar së bashku”. Nën moton “Të përparojmë dhe të ndërtojmë së bashku të ardhmen”, samiti vendosi në qendër tri prioritete: hapjen, inovacionin dhe bashkëpunimin.

Këto dy përkufizime përcjellin një kuptim më të gjerë të potencialit të rajonit. Hapësira e gjerë simbolizon burimet, mundësitë e tregjeve dhe potencialin e zhvillimit ekonomik të Azi-Paqësorit, ndërsa skena e përbashkët nënvizon rëndësinë e kapaciteteve kolektive, të ndërtuara mbi rregulla të përbashkëta, besim të ndërsjellë dhe veprim të koordinuar.
Për Kinën, APEC-u nuk është vetëm një mekanizëm për forcimin e lidhjeve ekonomike rajonale, por edhe një platformë për të paraqitur prioritetet e saj të zhvillimit dhe vizionin për një ekonomi botërore më të hapur, të ndërlidhur dhe të orientuar drejt inovacionit. Pozicioni i saj si një nga aktorët kryesorë të ekonomisë globale i jep këtij vizioni një dimension që shkon përtej kufijve të Azi-Paqësorit.
Në këtë kontekst, mesazhi i Xi Jinping mund të lexohet në dy nivele: si një pasqyrim i ambicies së Kinës për të vijuar procesin e zhvillimit dhe modernizimit ekonomik, dhe si një propozim më i gjerë për të ardhmen e sistemit ekonomik ndërkombëtar, ku hapja, bashkëpunimi dhe konkurrenca mes fuqive të mëdha do të ndikojnë gjithnjë e më shumë në drejtimin e zhvillimeve globale.

35 vjet në APEC: nga integrimi te përgjegjësia për të ardhmen
Kur Kina iu bashkua APEC-ut në vitin 1991, ajo ndodhej në një fazë të rëndësishme të transformimit të brendshëm ekonomik. Reformat dhe politika e hapjes kishin nisur, por integrimi në ekonominë ndërkombëtare mbetej një proces në zhvillim. Tridhjetë e pesë vjet më vonë, Kina është shndërruar në një nga qendrat kryesore të prodhimit, tregtisë, investimeve dhe teknologjisë globale.
Ky transformim nuk mund të kuptohet i shkëputur nga zhvillimi i Azi-Paqësorit. Gjatë këtyre dekadave, rajoni ka kaluar një periudhë të jashtëzakonshme zgjerimi ekonomik, duke u shndërruar në një nga motorët kryesorë të ekonomisë botërore. APEC-u, me 21 ekonomitë pjesëmarrëse, ka kontribuar në këtë proces përmes dialogut, lehtësimit të tregtisë, investimeve dhe ndërlidhjes rajonale.
Sot, ekonomitë e APEC-ut përfaqësojnë rreth 40 për qind të popullsisë globale, më shumë se 60 për qind të PBB-së botërore dhe afro gjysmën e tregtisë ndërkombëtare. Këto shifra tregojnë se çdo ndryshim në këtë rajon ka pasoja përtej kufijve të tij.
Prandaj, 35-vjetori i anëtarësimit të Kinës në APEC nuk është vetëm një përvjetor institucional. Ai shënon edhe një moment reflektimi mbi marrëdhënien mes integrimit ekonomik dhe ndryshimit të ekuilibrave globalë. Kina nuk është më vetëm një ekonomi që kërkon qasje në tregjet ndërkombëtare. Ajo është një aktor me peshë të konsiderueshme në përcaktimin e dinamikave të tregtisë, teknologjisë dhe investimeve globale.
Shenzheni: nga historia e reformave te ekonomia e inovacionit
“Kam thënë shpesh se, për të parë Kinën e disa mijëra viteve, duhet të shkosh në Xi’an; për të parë Kinën e 500 viteve, duhet të vizitosh Pekinin; për të parë Kinën e 100 viteve, duhet të shkosh në Shangai. Sonte, më lejoni të shtoj edhe diçka: për të parë Kinën e 50 viteve, ejani në Shenzhen.”
Me këtë referim historik, presidenti kinez Xi Jinping përmblodhi në një fjali transformimin e jashtëzakonshëm të Shenzhenit, nga një fshat i vogël peshkatarësh në vitin 1978 në një metropol ndërkombëtar dhe një nga qendrat kryesore të inovacionit në Kinë.
Shenzheni nuk përfaqëson vetëm suksesin e një qendre industriale. Ai pasqyron transformimin e vetë modelit të zhvillimit ekonomik kinez: nga prodhimi dhe përpunimi për eksport drejt kërkimit shkencor, teknologjive të avancuara dhe inovacionit.
Ky orientim lidhet drejtpërdrejt me Planin e 15-të Pesëvjeçar për periudhën 2026–2030. Modernizimi industrial, zhvillimi i teknologjive të avancuara, zgjerimi i konsumit të brendshëm dhe krijimi i forcave të reja prodhuese cilësore janë pjesë e një strategjie që synon ta orientojë ekonominë kineze drejt një modeli me vlerë më të lartë të shtuar.
Përvoja e Shenzhenit tregon se transformimi ekonomik kërkon vizion afatgjatë, investime në dije dhe teknologji, si dhe një klimë të hapur ndaj ideve dhe bashkëpunimit. Këta janë faktorë që krijojnë jo vetëm mundësi për zhvillimin e Kinës, por edhe hapësira të reja për shkëmbim dhe partneritet me ekonomitë e tjera.

Nga katër propozimet te katër karakteristikat e komunitetit Azi-Paqësor: mesazhi diplomatik i Pekinit
Në komunikimet e saj zyrtare gjatë Samitit të APEC-ut në Shenzhen, Ministria e Jashtme e Kinës e vendosi vizionin e Presidentit Xi Jinping në një kontekst më të gjerë diplomatik: ndërtimin e një komuniteti Azi-Paqësor të mbështetur te paqja, stabiliteti, hapja ekonomike dhe zhvillimi i përbashkët. Ky vizion u artikulua përmes dy momenteve kryesore: katër propozimeve të paraqitura nga Xi në Samitin e CEO-ve të APEC-ut, më 18 nëntor, dhe katër karakteristikave të komunitetit Azi-Paqësor, të zhvilluara në Takimin e 33-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut, më 19 nëntor.
Në konferencën e përditshme për shtyp të 18 nëntorit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, i përmblodhi katër propozimet e Xi si një platformë për ndërtimin e një komuniteti Azi-Paqësor dhe sigurimin e prosperitetit për të gjithë rajonin.
Propozimi i parë ishte ruajtja e paqes dhe stabilitetit. Sipas qëndrimit të paraqitur nga Xi dhe të përcjellë nga diplomacia kineze, kjo kërkon mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të pasluftës, promovimin e një bote shumëpolare të bazuar në barazi dhe rregulla, si dhe një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës. Theksi u vendos te zgjidhja e dallimeve përmes dialogut dhe konsultimeve dhe përballimi i sfidave përmes solidaritetit e bashkëpunimit.
Propozimi i dytë, ndërtimi i urave të hapjes dhe bashkëpunimit, lidhej me mbrojtjen e sistemit shumëpalësh të tregtisë, me Organizatën Botërore të Tregtisë në qendër.
Propozimi i tretë ishte nxitja e inovacionit si motor i rritjes ekonomike. Ai përfshinte forcimin e partneriteteve në shkencë, teknologji dhe inovacion, thellimin e bashkëpunimit në ekonominë digjitale dhe inteligjencën artificiale, si dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe me karbon të ulët. Sipas këtij vizioni, përparimi teknologjik duhet të shndërrohet në një burim të përbashkët zhvillimi për ekonomitë e rajonit.
Propozimi i katërt, zgjerimi i përfitimeve të ndërsjella, kishte në qendër eliminimin e barrierave tregtare dhe të investimeve, si dhe promovimin e një zhvillimi më të balancuar. Xi nënvizoi rëndësinë e një qasjeje të orientuar drejt njerëzve, në mënyrë që rezultatet e zhvillimit të ndahen mes të gjitha ekonomive, grupeve dhe komuniteteve, duke ndërthurur efikasitetin ekonomik me drejtësinë sociale.
Një ditë më pas, në Takimin e 33-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut, ky vizion u zgjerua në një koncept më të plotë të komunitetit Azi-Paqësor. Xi Jinping identifikoi katër karakteristika themelore: solidaritetin dhe ndihmën e ndërsjellë, hapjen dhe integrimin, sipërmarrjen dhe inovacionin, si dhe zhvillimin gjithëpërfshirës.
Këto karakteristika përfaqësojnë dimensionin politik, ekonomik dhe shoqëror të vizionit të Pekinit. Solidariteti dhe ndihma e ndërsjellë lidhen me përgjegjësinë e përbashkët për përballimin e sfidave; hapja dhe integrimi me forcimin e lidhjeve ekonomike e institucionale; sipërmarrja dhe inovacioni me krijimin e burimeve të reja të rritjes; ndërsa zhvillimi gjithëpërfshirës me shpërndarjen më të gjerë të përfitimeve ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së popullsisë.
Për ta konkretizuar këtë vizion, Xi paraqiti katër shtylla të bashkëpunimit: ekonominë dhe tregtinë, ndërlidhjen, inovacionin dhe zhvillimin, të cilat Ministria e Jashtme e Kinës i evidentoi si fusha kryesore për ndërtimin e komunitetit Azi-Paqësor.
Në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, prioritet është avancimi i Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit (FTAAP), lehtësimi i tregtisë dhe investimeve dhe integrimi më i madh i tregjeve rajonale.
Ndërlidhja përfshin zhvillimin e infrastrukturës, harmonizimin e rregullave dhe lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe pagesave ndërkufitare.
Në drejtim të inovacionit, theksi vendoset te infrastruktura digjitale, inteligjenca artificiale, qeverisja e të dhënave dhe bashkëpunimi teknologjik.
Ndërsa zhvillimi përfshin sigurinë energjetike dhe ushqimore, energjinë e pastër, punësimin, formimin profesional, mirëqenien sociale dhe bashkëpunimin kundër korrupsionit ndërkufitar.
Për t’i dhënë këtyre objektivave një mbështetje konkrete, Xi Jinping njoftoi se Kina do të kontribuojë me 20 milionë dollarë amerikanë për bashkëpunimin praktik në kuadër të APEC-ut. Ai bëri të ditur gjithashtu krijimin në Shenzhen të një Qendre për Studimet e Komunitetit Azi-Paqësor, e cila do të mbështesë kërkimet mbi politikat dhe shkëmbimet akademike. Krahas saj, Kina do të krijojë institucione bashkëpunimi në fushat e teknologjisë digjitale, qarkullimit ndërkufitar të të dhënave, energjisë së pastër dhe zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Në konferencën për shtyp të 19 nëntorit, Ministria e Jashtme kineze bëri të ditur gjithashtu se Takimi i Liderëve Ekonomikë të APEC-ut kishte miratuar unanimisht Deklaratën e Liderëve të APEC-ut 2026, e cila përcakton Vizionin e Shenzhenit për ndërtimin e një komuniteti Azi-Paqësor, së bashku me tri rezultate konkrete në fushat e tregtisë, ndërlidhjes dhe inovacionit.
Të marra së bashku, këto propozime dhe nisma pasqyrojnë përpjekjen e Kinës për ta vendosur bashkëpunimin në Azi-Paqësor në një kuadër më të gjerë diplomatik dhe ekonomik.
Për Pekinin, ndërtimi i një komuniteti Azi-Paqësor është njëkohësisht një projekt i integrimit ekonomik dhe një platformë për forcimin e dialogut shumëpalësh. Në një kohë kur ekonomia botërore përballet me proteksionizëm, fragmentim dhe rivalitete strategjike, diplomacia kineze e paraqet këtë vizion si një alternativë të orientuar drejt hapjes, konsultimit dhe përfitimeve të ndërsjella.
APEC përtej ekonomisë: Shenzheni dhe përgjegjësia e tri fuqive për rendin botëror

Takimi trepalësh mes Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Donald Trump, i zhvilluar më 19 nëntor në Shenzhen, përfaqësoi një nga momentet më të rëndësishme diplomatike të samitit të APEC-ut. Përtej simbolikës së takimit të këtij formati mes liderëve të Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, rëndësia e tij qëndron te mesazhi politik që përcolli: në një sistem ndërkombëtar të karakterizuar nga rivaliteti strategjik, konfliktet dhe pasiguria, marrëdhëniet mes fuqive të mëdha mbeten vendimtare për stabilitetin global.
Presidenti kinez Xi Jinping e vendosi këtë përgjegjësi në qendër të deklaratave të tij, duke theksuar se ndërveprimi pozitiv mes fuqive të mëdha nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Sipas tij, Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duhet të japin shembull përmes bashkëpunimit dhe të kontribuojnë në ruajtjen e paqes e stabilitetit ndërkombëtar.
Duke iu referuar historisë së Luftës së Dytë Botërore, Xi kujtoi se më shumë se 80 vjet më parë, tri vendet luftuan krah për krah si forca kryesore antifashiste. “Historia është teksti më i mirë”, theksoi ai, duke nënvizuar nevojën për të nxjerrë mësime nga e kaluara dhe për të mos lejuar që dallimet aktuale të cenojnë përgjegjësinë e tyre për paqen.
Në planin politik, Xi artikuloi katër parime për marrëdhëniet mes fuqive të mëdha: respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën paqësore, bashkëpunimin me përfitim të përbashkët dhe dialogun e konsultimin. Ai kërkoi respektimin e sovranitetit, integritetit territorial, sistemeve politike dhe rrugëve të zhvillimit të zgjedhura nga secili vend. Në këtë kuadër, paralajmëroi edhe për rrezikun e të ashtuquajturit “Kurthi i Tukididit”, duke argumentuar se konkurrenca mes fuqive duhet të menaxhohet përmes dialogut dhe jo konfrontimit.
Nga ana e tij, Vladimir Putin mbështeti rëndësinë e bashkëpunimit konstruktiv mes Moskës, Pekinit dhe Uashingtonit, duke propozuar diskutime mbi çështjet globale dhe rajonale, sigurinë energjetike dhe kërcënimet e përbashkëta, përfshirë terrorizmin ndërkombëtar dhe krimin ndërkufitar. Ai theksoi gjithashtu përgjegjësinë e tri vendeve për forcimin e rendit juridik ndërkombëtar.
Presidenti amerikan Donald Trump vuri në dukje përgjegjësinë e veçantë të tre liderëve për të mbajtur të hapur dialogun mbi çështjet me rëndësi globale. Ai përmendi zgjidhjen paqësore të konfliktit në Ukrainë si një nga temat kryesore të diskutimeve, si dhe çështjen e programit bërthamor të Iranit, duke përsëritur qëndrimin e Uashingtonit kundër pajisjes së Teheranit me armë bërthamore.
Një dimension tjetër i rëndësishëm i takimit ishte lidhja mes sigurisë dhe ekonomisë. Xi Jinping kërkoi forcimin e tregtisë dhe bashkëpunimit ekonomik, kundërshtoi shkëputjen ekonomike dhe ndërprerjen e zinxhirëve industrialë e të furnizimit, si dhe theksoi nevojën për koordinim në garantimin e stabilitetit të tregut global të energjisë. Kjo qasje lidhet drejtpërdrejt me agjendën e APEC-ut, ku hapja ekonomike, ndërvarësia dhe bashkëpunimi rajonal mbeten tema qendrore.

Në përfundim të takimit, tre liderët publikuan një deklaratë të përbashkët, duke riafirmuar angazhimin për stabilitetin strategjik dhe sigurinë ndërkombëtare. Dokumenti identifikoi katër fusha bashkëpunimi: reformimin e OKB-së, për ta bërë atë më efektive përballë sfidave globale; sigurinë energjetike, përmes furnizimit të qëndrueshëm me energji dhe produkte të rafinuara të naftës; respektimin e sovranitetit dhe imuniteteve shtetërore, duke kundërshtuar abuzimin me juridiksionin nga Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe organe të ngjashme; si dhe sigurinë bërthamore, përmes dialogut për reduktimin e rreziqeve dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore.
Tre liderët riafirmuan gjithashtu parimin se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë.
Nga Shenzheni drejt botës: Mesazhi i APEC-ut përtej Azi-Paqësorit

Samiti i APEC-ut në Shenzhen dëshmoi se Azi-Paqësori është kthyer në një nga hapësirat vendimtare për të ardhmen e ekonomisë globale. Pesha ekonomike e rajonit, zhvillimi teknologjik dhe ndërvarësia mes ekonomive e bëjnë atë një faktor të rëndësishëm në përcaktimin e ekuilibrave të rinj ekonomikë dhe ndërkombëtarë.
Megjithatë, rëndësia e samitit shkon përtej agjendës ekonomike. Në një kohë kur rivalitetet strategjike, proteksionizmi dhe fragmentimi po vënë në provë marrëdhëniet ndërkombëtare, sfida qëndron në ruajtjen e dialogut dhe të bashkëpunimit si instrumente për stabilitetin dhe zhvillimin. Për Kinën, Shenzheni ishte gjithashtu një mundësi për të paraqitur vizionin e saj mbi rolin e Azi-Paqësorit dhe të bashkëpunimit shumëpalësh në një rend botëror në ndryshim.
Në fjalën e tij në samit, Xi Jinping e lidhi këtë perspektivë me një objektiv që tejkalon kufijtë e rajonit: ndërtimin e “një komuniteti me të ardhme të përbashkët për njerëzimin”. Ky vizion e vendos dialogun, besimin dhe zhvillimin e përbashkët si themele të një të ardhmeje ku bashkëpunimi ndërmjet kombeve shndërrohet në një forcë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin global.
_________________
*Shënim editorial: Ky artikull është pjesë e edicionit special të Revistës ARGUMENTUM, kushtuar Samitit të APEC-ut në Shenzhen, Kinë.
© 2026 Argumentum




















































