Këshilli i Ministrave miratoi sot masat përgatitore dhe shoqëruese për pjesëmarrjen e ardhshme të Shqipërisë në Sistemin e Informacionit të Tregut të Brendshëm (IMI).
Sistemi i Informacionit të Tregut të Brendshëm është mjeti elektronik i centralizuar që zhvillohet, mirëmbahet e vihet në dispozicion nga Komisioni Evropian për bashkëpunimin administrativ ndërmjet autoriteteve kompetente të shteteve anëtare dhe Komisionit Evropian.
Vendimi, i propozuar nga ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, përcakton ngritjen e strukturës institucionale, organizative dhe procedurale që do të mundësojë pjesëmarrjen e Shqipërisë në sistemin IMI dhe bashkëpunimin administrativ me autoritetet kompetente të vendeve anëtare të BE-së dhe Komisionin Evropian.
Sipas vendimit, ministria përgjegjëse për ekonominë dhe tregtinë caktohet si koordinatore kombëtare përgatitore e IMI-t, ndërsa autoritetet kompetente do të përcaktojnë koordinatorët sektorialë, personat institucionalë të kontaktit dhe përdoruesit e ardhshëm të sistemit.
Në fazën fillestare do të kryhen ngritja e strukturave, mbajtja e regjistrave, trajnimi i nëpunësve dhe simulimet para anëtarësimit. Vendimi përcakton se, deri në aktivizimin e aksesit, nuk do të ketë shkëmbim informacioni përmes sistemit IMI me autoritetet e vendeve anëtare apo me Komisionin Evropian.
Aktivizimi i aksesit dhe bashkëpunimi administrativ përmes IMI-t do të bëhet nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në BE ose nga një datë më e hershme, nëse kjo përcaktohet shprehimisht nga një akt i zbatueshëm i BE-së apo nga një marrëveshje detyruese me BE-në ose Komisionin Evropian.
Vendimi parashikon gjithashtu rregulla për mbrojtjen e të dhënave personale, konfidencialitetin dhe sekretin profesional, si dhe trajnimin e nëpunësve për përdorimin e ardhshëm të sistemit.
Autoritetet kompetente do të duhet t’i përcjellin Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit projektaktet dhe informacionin e nevojshëm për njoftim, të paktën 30 ditë përpara datës së parashikuar për miratimin e masës.
Ministria përgjegjëse për ekonominë dhe tregtinë do të miratojë, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, formatet standarde, kanalet e komunikimit dhe procedurat e brendshme për hartimin, miratimin dhe paraqitjen e njoftimeve dhe raporteve.
© 2026 Argumentum





















































