Kryeministri Edi Rama tha sot se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të bazohen në respektimin e sovranitetit dhe institucioneve të secilit shtet.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas përurimit të sistemit “One Stop Shop” në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, duke iu përgjigjur kritikave të një gazetari për mungesën e reagimeve të tij ndaj disa çështjeve që kanë prekur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Rama tha se “Maqedonia e Veriut është shtet sovran ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe kanë të gjitha rrugët dhe mundësitë që të përfaqësohen”.
Rama tha se nuk mendon që i ndihmon marrëdhënies vëllazërore mes dy shteteve, asnjë ndërhyrje e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të shtetit tjetër.
Duke iu drejtuar gazetarit, Rama tha se “çështjet, të cilat ju prekët janë çështje që trajtohen dhe duhet të trajtohen gjithmonë nga institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarët kanë mjaftueshëm parti politike, bile kanë edhe më shumë se ç’duhet, për t’i përfaqësuar dhe për t’i shpalosur të gjitha ngjyrat dhe të gjitha opinionet”.
Kryeministri Rama u shpreh se “as më keni parë mua, s’do më shikoni ndonjëherë që të bëj fushatë për asnjë parti politike këtu në Maqedoninë e Veriut dhe as keni parë ndonjëherë që politikanët shqiptarë këtu të vijnë gjatë fushatës dhe të bëjnë me mua deklarata e fotografi për fushatën këtu”.
Kreu i qeverisë tha se “të gjithë përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë të mirëpritur në Tiranë. Patjetër që, ne jemi të gatshëm të bëjmë të gjitha diskutimet e nevojshme me ta, për mbarësinë e punës së përbashkët, por ka një kufi që as nuk do të shikoni ndonjëherë që mund ta kapërcej, që është kufiri që ndan atë që i takon institucioneve dhe shtetit sovran të Maqedonisë të Veriut dhe atë që i takon shqiptarëve si një bashkësi që kanë të gjithë të drejtën e tyre të komunikojnë dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin pavarësisht kufijve”.
“Nuk besoj që është ndonjë çudi që të kesh mik edhe Hristijan Mickoski dhe Ali Ahmetin. Përkundrazi, është diçka pozitive dhe unë kam edhe miq të tjerë që ti mund të mos i dish fare për shembull, por unë besoj që miqësitë në këto marrëdhënie janë vetëm vlerë e shtuar dhe nuk duhet të jenë problem për asnjeri dhe nuk mendoj që kam një zgjedhje për të bërë: ose mik me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, ose mik me shqiptarët”, tha Rama.
© 2026 Argumentum



















































