Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi mëngjesin e kësaj të diele një vizitë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, ku u takua me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Në fokus të takimit ishte prezantimi i sistemit të përbashkët të kontrollit kufitar “One Stop Shop”, i cili do të nisë zbatimin nga dita e nesërme.
Sistemi i ri parashikon kryerjen e kontrolleve kufitare në një pikë të vetme dhe me një ndalesë, duke shmangur procedurat e dyfishta që aplikoheshin deri më tani. Nisma synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe transportin e mallrave, si dhe të reduktojë kohën e pritjes në kufi.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama e cilësoi këtë zhvillim si një hap konkret në bashkëpunimin mes dy vendeve dhe një lehtësim për miliona qytetarë që kalojnë këtë pikë kufitare. Ai e përmblodhi ndryshimin me shprehjen “beso dhe kontrollo”, duke e lidhur sistemin e ri me perspektivën e bashkëpunimit dhe integrimit të përbashkët evropian.
“Unë kam përherë probleme me përkthimin kur vij në Maqedoni. Hedhim një hap konkret me këtë transformim për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Ne kemi një shprehje në shqip: beso dhe kontrollo. Deri tani, në këtë doganë ishim kontrollo, kontrollo, tani jemi beso, kontrollo.
Hapi tjetër: beso, beso, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin e përbashkët në BE. Dua ta përgëzoj kryeministrin maqedonas që jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku. Padiskutim, njëra ndër to është të çojmë përpara Korridorin 8.
Në mbyllje, dua t’u bashkohem kryeministrit Mickoski për të falënderuar ata që punuan për këtë ditë dhe për të realizuar më në fund këtë transformim që, siç thashë, do t’u vlejë shumë njerëzve, miliona njerëzve që kalojnë në këtë doganë. Do të vazhdojmë me pikat e tjera për të njëjtin sistem. Kam edhe një ankesë për Hristijanin. Përkthyesen më të mirë e mbajti për vete”, u shpreh Rama.

Kryeministri shqiptar vuri gjithashtu theksin te rëndësia e bashkëpunimit strategjik për avancimin e Korridorit VIII, duke nënvizuar angazhimin për të çuar përpara projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe për ta shtrirë modelin e kontrollit të integruar edhe në pikat e tjera kufitare.
Nga ana e tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e vlerësoi sistemin e ri si një zhvillim të rëndësishëm për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ai shprehu gatishmërinë për zgjerimin e kësaj praktike edhe në pika të tjera kufitare.
“Për mua është nder i veçantë që së bashku me mua është miku im i dashur Edi Rama. Në këtë eveniment të rëndësishëm dëshiroj të uroj këtë festë të rëndësishme si 22 Nëntori. Është kënaqësi që po bëjmë këtë bashkëpunim për një pikë kontrolli të vetme që lehtëson lëvizjen e njerëzve. Duam të përforcojmë bashkëpunimin edhe në pikat e tjera kufitare, bashkëpunime në Ohër e Strugë nëpërmjet liqenit me Shqipërinë. Dua të falënderoj ministrin e Punëve të Brendshme, punonjësit, që të kemi një pikë kontrolli të vetme dhe falënderim për mikun tim Edi Rama”, deklaroi Mickoski.
Takimi u zhvillua në kuadër të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, një datë me rëndësi historike dhe kulturore për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.
Vendosja e sistemit “One Stop Shop” shënon një hap drejt lehtësimit të qarkullimit ndërkufitar dhe forcimit të ndërlidhjes rajonale. Paralelisht, bashkëpunimi për Korridorin VIII mbetet një nga projektet strategjike për lidhjen infrastrukturore dhe ekonomike të rajonit.
© 2026 Argumentum




















































