Kina u bëri thirrje të dielën Shteteve të Bashkuara të heqin kufizimet e propozuara për qasjen e drejtpërdrejtë të operatorëve kinezë të telekomunikacionit në numrat telefonikë të ShBA-së, duke thënë që ky veprim shkel parimet e mosdiskriminimit dhe konkurrencës së drejtë.
Komisioni Federal i Komunikimeve i ShBA-së (FCC) abuzoi me fuqitë e tij rregullatore dhe e teproi me konceptin e sigurisë kombëtare, ndërsa bëri akuza arbitrare kundër kompanive kineze të telekomunikacionit pa bazë faktike dhe duke minuar me qëllim operacionet e tyre në Shtetet e Bashkuara, vuri në dukje një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë në përgjigje të një pyetjeje nga media.
FCC kohët e fundit ka vazhduar të nxitë shkëputjen dhe prerjen e zinxhirëve të furnizimit midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në telekomunikacion, komunikim, testim e certifikim, shtoi zëdhënësi.
Lëvizje të tilla bien ndesh me konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shtetit dhe minojnë qëndrueshmërinë e marrëdhënieve ekonomike e tregtare Kinë-ShBA, tha zëdhënësi.
Sipas tij, Kina u kërkon Shteteve të Bashkuara të anulojnë menjëherë masat dhe të kthehen në rrugën e duhur të zgjidhjes së çështjeve përmes konsultimeve, dhe do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri interesat e veta.
/CGTN




















































