Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese komentet në lidhje me dekretin e shpallur nga Presidenti, Hashim Thaçi, për formimin e qeverisë së re. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e kryeministrit në detyrë të Kosovës.
Në këtë njoftim ndër të tjera thuhet se, kryeministri Kurti i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese, që të shpallë të pavlefshëm dekretin e Hashim Thaçit për krijimin e qeverisë së re.
Më tej, në njoftimin e shpërndarë për mediat bëhet e ditur se qeveria aktuale po kryen të gjithë detyrat sipas ligjeve dhe normave kushtetuese.
“Sot, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti, dorëzoi komentet në lidhje me kërkesën nr. KO 72/20, pranë Gjykatës Kushtetuese, për dekretin e shpallur nga Presidenti, pak para orës 16.00 të premten e datës 30 prill.Ndër të tjera, bazuar në argumentet e paraqitura iu kërkua Gjykatës që të shpallë kërkesën të pranueshme dhe të shpallë dekretin e Presidentit nr.24/2020 të pavlefshëm dhe në kundërshtim me nenet 4.1, 84.4 dhe 84.14 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Qeveria është duke kryer me sukses detyrat e saj kushtetuese”, thuhet në komunikatë.
Gjykata Kushtetuese do të shprehet mbi kushtetutshmërinë e dekretit të Presidenti të Kosovës, Hashim Thaçit më 29 maj. Palët politike kanë deklaruar se do të respektojnë çdo vendim mbi fatin e qeverisë së re, i cili pritet të merret nga institucionin më i lartë në Kosovë.
h.e / Argumentum