Viktor Orban ka nxitur polemika të reja pas postimit të një harte historike të “Hungarisë së Madhe” në faqen e tij në Facebook.
Kryeministri i Hungarisë postoi në mbështetje të studentëve, të cilët kishin dhënë provimet të mërkurën, duke i bashkëngjitur mesazhit një foto të ish-territorit të Hungarisë, përpara fundit të Luftës së Parë Botërore.
Territori historik përfshinte disa pjesë të mëdha të Kroacisë së tanishme, Serbisë, Romanisë dhe Sllovakisë, të cilat ishin të gjitha pjesë e Marrëveshjes së Trianonit të vitit 1920, pas rënies së shtetit të përbashkët të Austro-Hungarisë.
Hungaria humbi rreth dy të tretat e territorit të saj dhe disa qytetarë hungarezë e konsiderojnë këtë marrëveshje si një tragjedi kombëtare. Disa harta të ngjashme kanë qenë të pranishme edhe në demostrata të së djathtës ekstreme.
Të enjten, presidenti kroat Zoran Milanovic i nxiti studentët të mos publikonin harta të vjetra në rrejte sociale.
“Në kabinetet dhe arkivat tona ka shume harta historike, që i tregojnë shtetet shumë më të mëdha seç janë sot”, shkruan Milanovic.
“Mos i shpërndani ato, dhe mos i nxirrni në profilet tuaja, ato nuk janë efektive sot dhe për më tepër, janë shumë të bezdishme për fqinjët tanë. Kroacia është një shtet dhe komb modern europian…mësoni nga historia, por me sytë drejt së ardhmes”, shton presidenti kroat.
Megjithatë kjo nuk është hera e parë që Orban shpërndan foto të hartës historike të Hungarisë dhe kryeministri kroat tha në dhjetor se qeveria e tij do të diskutojë me Hungarinë për këtë çështje.
Qindra përdorues rumunë gjithashtu kanë reaguar ndaj këtij postimi në Facebook.
Rumania strehon një komunitet të madh me origjinë hungareze, por të mërkurën, parlamenti rumun refuzoi ta deklaronte hungarishten si gjuhë zyrtare të Transilvanisë.
Ky vendim nxiti shumë reagime jo të mira mes Unionit Demokratik të Hungarezëve në Rumani, të cilët janë të lidhur ngushtë me partinë e kryeministrit hungarez.