Të hënën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga sot do të jetë në vetizolim. Në një njoftim në llogarinë e tij në facebook ai shkroi se “një zyrtar i ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin. Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në këtë ministri dhe në zyrën e kryeministrit, , ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga ministria e Integrimeve Evropiane”, shkroi ai.
Vetizolimi i kryeministrit pasoi njoftimet e së dielës mbrëma për 14 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi, që shënoi edhe numrin më të madh të rasteve të konfirmuara në një ditë që nga fillimi i muajit maj.
Rastet e reja e çuan në 884 numrin e përgjithshëm të të prekurve nga të cilët 28 kanë humbur jetën, ndërsa 655 janë shpallur të shëruar.