Policia e Kosovës hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u hodhën në protestë të hënën në oborrin e parlamentit, duke kërkuar përfshirjen e tyre në projektligjin për pagën minimale që pritet të debatohet nga ligjvënësit.
Pensioni i veteranëve, sipas ligjit mbi këtë kategori, është i barabartë me pagën minimale në vend, por në projektligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës, nuk është përfshirë edhe rritja e pensionit të veteranëve.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve, Faton Klinaku, tha se me këtë projektligj lihen anash kategoritë e dala nga lufta dhe paralajmëroi vazhdimin e protestave deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“U vendos që të protestohet kundër diskriminimit që po u bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve. Deputetët e zgjedhur të popullit duhet t’u shërbejnë interesave të atyre që i sollën në ulëset e parlamentit, e nuk duhet t’u shërbejnë interesave të politikës ditore. Jemi injoruar nga institucionet e vendit prandaj u detyruam që kërkesat dhe pakënaqësitë tona t’i shprehim në rrugë”, tha ai.
Projektligji që pritet t’i hapë rrugë rritjes së pagës minimale në vend, u miratua nga qeveria në prill të këtij viti. Sipas këtij projektligji, paga minimale do të rritet në 264 euro.
Në Kosovë paga minimale nuk është negociuar që nga viti 2011, sipas njohësve të kësaj fushe kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe ndërrimit të shpeshtë të qeverive në vend.
Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, EUROSTAT, Kosova aktualisht ka pagën më të ulët minimale në tërë Evropën dhe ajo sillet nga 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç.