Kryeministri Edi Rama ka vendosur të shkarkojë Bledi Çuçin nga posti i ministrit të Brendshëm dhe të emërojë në këtë post Taulant Ballën.
Vendimi i kreut të qeverisë është marrë pas dhunës së fisit Rraja ndaj disa qytetarëve për një gurore në Krujë.
Përmes një postimi në Twitter të shtunën, kryeministri bëri të ditur se propozimet do t’ia dorëzojë Presidentit të hënën. Rama falënderoi Çuçin për punën korrekte dhe uroi që Balla të vazhdojë përpjekjet për reformat shtetformuese.
Mbetet për t’u parë se kush do të emërohet në krye të grupit parlamentar socialist, post që Balla e ka që nga viti 2017.
Vendimi i kreut të qeverisë për shkarkimin e Çuçit dhe emërimin e Ballës erdhi pas ngjarjes së dy ditëve më parë që tronditi opinionin publik – dhuna e fisit Rraja ndaj kushërinjve Maja për një gurore në Krujë. Po kështu Rama e mori këtë vendim pasi dolën faktet se policia e Krujës kishte lidhje me dhunuesit dhe 40 ankesa të qytetarëve nuk u morën parasysh nga policia.
Banorët u ankuan se në vend që të merrnin masa, janë kërcënuar me burg dhe pranga nga shefi i komisariatit të Krujës nëse do të dilnin në protestë për të bllokuar aktivitetin e gurores, pronë e vëllait të deputetit socialist, Rrahman Rraja. i cili hoqi dorë nga mandati të shtunën.



























































