Promovohet libri “Një histori e shkurtër e Albanisë së Kaukazit” i historianit azerbajxhanas Rizvan Huseynov.
Historia e Albanisë Kaukaziane, trashëgimia e saj e krishterë dhe roli i komunitetit Udi në ruajtjen e kësaj trashëgimie u vunë në qendër të një diskutimi akademik në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me rastin e prezantimit të librit “Një histori e shkurtër e Albanisë së Kaukazit” të historianit azerbajxhanas Rizvan Huseynov.
Aktiviteti u zhvillua më 6 tetor 2026, në bashkëpunim mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Ambasadës së Republikës së Azerbajxhanit në Shqipëri, ku të pranishëm ishin përfaqësues të Akademisë së Shkencave, diplomacisë, studiues dhe përfaqësues të komunitetit të krishterë Albano-Udin në Azerbajxhan. Konkretisht morën pjesë, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, anëtarë të Kryesisë së ASHSH-së, ambasadori i Azerbajxhanit Anar Huseynov, autori Rizvan Huseynov, Akademik Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, si dhe Robert Mobili, studiues në Universitetin Shtetëror të Bakusë dhe Kryetar i Komunitetit të Krishterë Albano-Udin në Azerbajxhan.
Në fokus të diskutimit ishte historia e Albanisë Kaukaziane dhe trashëgimia e saj e krishterë, si dhe vazhdimësia e kësaj trashëgimie përmes komunitetit Albano-Udin në Azerbajxhan.

Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, fjalën përshëndetëse e mbajti sekretarja shkencore, akad. Anila Hoda, e cila e vlerësoi promovimin e librit si një kontribut në pasurimin e dialogut shkencor dhe kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Përtej prezantimit të një botimi historik, diskutimi u shtri te marrëdhëniet mes trashëgimisë, identitetit dhe kujtesës historike, ndërsa folësit nënvizuan nevojën për kërkime të mëtejshme dhe bashkëpunim akademik ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Anila Hoda: Një kontribut në dialogun shkencor dhe kulturor

Znj. Anila Hoda e vlerësoi promovimin e librit si një veprimtari që kontribuon në pasurimin e dialogut shkencor dhe kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Ajo theksoi se botimi i veprës në gjuhën shqipe u jep studiuesve dhe lexuesve shqiptarë mundësinë të njihen më nga afër me historinë dhe trashëgiminë kulturore të Albanisë së Kaukazit, përfshirë historinë e lashtë, traditat e shkruara, artin, arkitekturën, jetën fetare dhe trashëgiminë e krishterë të rajonit.
Duke u ndalur te roli i Akademisë së Shkencave, Hoda vuri në dukje rëndësinë e veprimtarive të tilla për shkëmbimin e ideve, nxitjen e kërkimit shkencor dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ajo përmendi gjithashtu memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Azerbajxhanit, si një bazë për projekte të përbashkëta, shkëmbime studiuesish dhe botime. Në përfundim, falënderoi ambasadorin Anar Huseynov për angazhimin në afrimin e institucioneve akademike të dy vendeve dhe uroi autorin për botimin dhe punën e tij kërkimore.
Ambasadori Huseynov: Historia dhe trashëgimia si urë mes dy vendeve
Në fjalën e tij, ambasadori i Azerbajxhanit në Tiranë, Anar Huseynov, e cilësoi prezantimin e librit si një mundësi për të afruar studiuesit shqiptarë dhe azerbajxhanas rreth një kapitulli të rëndësishëm të historisë së Kaukazit.
Ai vuri në dukje se studimi i Albanisë Kaukaziane përfshin jo vetëm historinë politike, por edhe kulturën, fenë, arkitekturën dhe trashëgiminë e krishterë të rajonit.
“Shkëmbimi i informacionit të vërtetë dhe të saktë mbi Albaninë Kaukaziane përbën një prioritet për ne”, tha ambasadori, duke e lidhur këtë përpjekje me nevojën për një diskutim më të gjerë akademik.
Huseynov falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për mikpritjen dhe bashkëpunimin dhe vuri në dukje rëndësinë e kontakteve ndërmjet institucioneve shkencore të dy vendeve.
Sipas tij, marrëdhëniet Shqipëri–Azerbajxhan nuk kufizohen në politikë, ekonomi dhe energji, por përfshijnë gjithnjë e më shumë edhe kulturën dhe shkëmbimet akademike.
Në këtë kuadër, ambasadori përmendi edhe vizitën e një delegacioni të drejtuar nga presidenti i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, në Azerbajxhan, si dhe bashkëpunimin për organizimin e një vizite të presidentit të Akademisë së Shkencave të Azerbajxhanit në Shqipëri.

“Njohja e historisë dhe trashëgimisë kulturore mund të shërbejë si një urë mes shoqërive tona”, theksoi ai, duke shprehur shpresën se aktiviteti do të krijojë hapësirë për projekte dhe kërkime të përbashkëta.
Rizvan Huseynov: Një histori e Albanisë Kaukaziane përmes burimeve dhe trashëgimisë
Autori i librit, historiani Rizvan Huseynov, e përshkroi veprën si një përpjekje për një studim të përmbledhur mbi një prej shteteve të lashta të territorit të Azerbajxhanit, të njohur në burimet lindore si Aran.
Një nga pikat ku ai u ndal ishte kisha e lashtë e Shën Eliseut në fshatin Kish, në rajonin e Sheki-t, e paraqitur edhe në kopertinën e librit.
Sipas Huseynov, tradita e lidh themelimin e kishës së parë në këtë vend me periudhën apostolike të përhapjes së krishterimit në Kaukaz. Ai iu referua kronikanit Musa Kalankatli dhe veprës së tij “Historia e albanëve”, të cilën e konsideron një prej burimeve kryesore për historinë e Albanisë Kaukaziane.
Historiani u ndal edhe te vetë emri “Kish”, duke vënë në dukje ngjashmërinë me fjalën shqipe “kishë” dhe duke ngritur pyetje mbi paralelizmat historiko-gjuhësorë që trajtohen në librin e tij.
Vepra, sipas autorit, përfshin historinë e Albanisë Kaukaziane nga antikiteti deri në periudhat mesjetare, historinë e Kishës Apostolike Albane, artin dhe arkitekturën, letërsinë, fenë, si dhe rolin e Patriarkanës së Gandzasarit.
Një pjesë e rëndësishme i kushtohet gjithashtu burimeve arkeologjike dhe gjuhësore. Huseynov përmendi gërmimet në Mingaçevir dhe Gabala, kronikat mesjetare dhe Palimpsestin e Sinait, të cilin e përshkroi si një dëshmi të rëndësishme të traditës së shkrimit alban.
Por libri nuk ndalet vetëm te historia e lashtë. Një pjesë qendrore e tezës së autorit lidhet me zhvillimet e shekujve XIX dhe XX dhe me fatin e Kishës Albane të Kaukazit.

Sipas Huseynov, shfuqizimi i Katolikozatit Alban pas dekretit të carit Nikolla I të vitit 1836 dhe kalimi i strukturave kishtare nën juridiksionin e Kishës armene të Eçmiadzinit shënuan fillimin e një procesi që ai e përshkruan si “deetnizim” dhe “armenizim” institucional të popullsisë vendase albane.
Kjo është një nga tezat më të forta të veprës. Autori argumenton se një pjesë e trashëgimisë materiale, arkitekturore dhe shkrimore të Albanisë Kaukaziane është interpretuar ose përvetësuar në mënyrë të njëanshme gjatë periudhave të mëvonshme.
Huseynov e lidh këtë argument edhe me monumentet e Karabahut dhe veçanërisht me Gandzasarin, duke iu referuar mbishkrimeve, emrave dhe titujve të gjetur në monumentet mesjetare.
Ai përmendi në këtë kontekst edhe punën e akademikut gjeorgjian Zaza Aleksidze dhe të akademikut sovjetik I. A. Orbeli, duke argumentuar se burimet epigrafike ofrojnë elemente që, sipas tij, meritojnë një rishqyrtim të thelluar akademik.
Një tjetër dimension i librit është lidhja që autori kërkon të vendosë ndërmjet albanëve kaukazianë, shqiptarëve të Ballkanit dhe traditave të tjera të lidhura me emrin “Alba”. Kjo pjesë e kërkimit paraqitet si një përpjekje për të eksploruar paralelizma historikë dhe gjuhësorë, pa e reduktuar çështjen në një interpretim të vetëm.
Në përfundim, Huseynov e paraqiti librin si më shumë se një kronikë të një shteti të zhdukur.
Sipas tij, synimi është të rishqyrtohet historia e Albanisë Kaukaziane përmes burimeve antike, kronikave mesjetare, arkeologjisë, epigrafisë dhe studimeve bashkëkohore.
Ai e lidhi këtë proces me zhvillimet e sotme në Azerbajxhan, ku kishat e lashta po restaurohen dhe komuniteti Udi po përpiqet të ruajë dhe ringjallë trashëgiminë e tij fetare e kulturore.
“Trashëgimia kulturore kërkon jo vetëm restaurimin e kujdesshëm të gurit, por edhe rivendosjen e drejtësisë historike”, tha Huseynov, duke e përshkruar Azerbajxhanin si pasardhës të drejtpërdrejtë dhe legjitim të trashëgimisë historike, kulturore dhe fetare të Albanisë Kaukaziane.
Akademik Gëzim Hoxha: Një këndvështrim nga albanologjia shqiptare


Një nga kontributet akademike të veprimtarisë ishte ligjërata e Akademik Gëzim Hoxhës, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me temën “Një parashtresë mbi historinë e Albanisë së Kaukazit”, e mbështetur në librin e Rizvan Huseynovit.
Hoxha e vlerësoi botimin si një kontribut për njohjen e historisë, kulturës dhe traditës fetare të Albanisë së Kaukazit, duke theksuar nevojën për qasje bashkëkohore dhe ndërdisiplinore në studimin e saj.
Në këtë drejtim, ai nënvizoi rëndësinë e ndërthurjes së historisë, arkeologjisë, filologjisë dhe epigrafisë dhe solli në vëmendje edhe veprën referuese “Caucasian Albania: An International Handbook”.
Sipas Hoxhës, studimi i historisë së Albanisë së Kaukazit kërkon përdorimin e një spektri të gjerë burimesh, përfshirë burimet antike greke e latine, ato armene, siriane, bizantine, arabe dhe gjeorgjiane, si dhe dëshmitë epigrafike dhe arkeologjike.
Ai u ndal gjithashtu në çështje që lidhen me organizimin politik dhe etnik të Albanisë së Kaukazit, zhvillimin e krishterimit, organizimin kishtar dhe traditën e shkrimit kaukazo-alban.
Në përfundim, Akademik Hoxha e vlerësoi promovimin e librit si një shembull të bashkëpunimit akademik ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit dhe si një mundësi për zgjerimin e dialogut shkencor ndërkombëtar.
Robert Mobili: Udinët dhe trashëgimia e gjallë e Kishës Albane

Një dimension tjetër i diskutimit u soll nga Robert Mobili, studiues në Universitetin Shtetëror të Bakusë dhe kryetar i Komunitetit të Krishterë Albano-Udin në Azerbajxhan.
Në fjalën e tij, Mobili e vendosi komunitetin Udi në qendër të vazhdimësisë së trashëgimisë së Albanisë Kaukaziane.
Sipas tij, udinët konsiderohen pasardhës të drejtpërdrejtë të albanëve të Kaukazit dhe përbëjnë një nga komunitetet që kanë ruajtur elemente të rëndësishme të gjuhës, kulturës dhe traditës së krishterë të kësaj trashëgimie.
Mobili e përshkroi historinë e krishterimit në Albaninë Kaukaziane si një traditë gati dymijëvjeçare, duke iu referuar dëshmive arkeologjike, bazilikave të shekujve V–VI, burimeve të koncileve dhe listave të katolikozëve albanë.
Sipas tij, këto dëshmi flasin për ekzistencën e një organizimi të konsoliduar kishtar dhe për zhvillimin e një tradite të veçantë fetare në Kaukaz.
Ashtu si Huseynov, edhe Mobili u ndal te zhvillimet e shekullit XIX dhe veçanërisht te viti 1836.
Ai argumentoi se politika e Perandorisë Ruse në Kaukazin e Jugut çoi në shfuqizimin e Kishës Albane të Kaukazit dhe në transferimin e pasurisë së saj nën juridiksionin e Kishës armene. Sipas tij, ky proces pati pasoja të drejtpërdrejta në identitetin dhe trashëgiminë e komuniteteve albane.
Me shpalljen e pavarësisë së Azerbajxhanit, tha Mobili, nisi një periudhë e re për restaurimin e kishave dhe objekteve të kultit të lidhura me komunitetin Udi.
Ai përmendi përkthimin e teksteve kishtare në gjuhën udine, përdorimin e saj në mësim dhe në shërbesat fetare, si dhe restaurimin e disa kishave historike.
Një prej shembujve të sjellë prej tij ishte vendbanimi Nidzh, një nga qendrat kryesore të komunitetit Udi në Azerbajxhan.
Sipas Mobilit, në Nidzh funksionojnë dy xhami dhe janë restauruar dy nga tri kishat, duke e paraqitur vendbanimin si një shembull të bashkëjetesës ndërfetare.
Ai përmendi gjithashtu restaurimin e Kishës së Shën Mërisë në vitin 2020, në kuadër të programit “Adresa e tolerancës – Azerbajxhan”, si dhe krijimin në vitin 2017 të parkut-muze historiko-etnografik “Udin Ojac”, kushtuar historisë dhe kulturës së udinëve.
Për Mobilin, çështja nuk është vetëm ruajtja e monumenteve, por edhe ringjallja e një tradite fetare dhe kulturore.
Ai e identifikoi këtë si një nga misionet kryesore të Komunitetit të Krishterë Albano-Udin, duke theksuar se komuniteti synon të ruajë trashëgiminë e tij dhe njëkohësisht të kontribuojë në bashkëjetesën ndërfetare dhe ndërkulturore në Azerbajxhan.

Një histori që kërkon kërkime të mëtejshme
Diskutimi në Tiranë e vendosi Albaninë Kaukaziane në një pikë takimi mes historisë, arkeologjisë, fesë dhe politikës së kujtesës.
Tezat e paraqitura nga Rizvan Huseynov dhe Robert Mobili, veçanërisht ato që lidhen me marrëdhëniet historike mes Kishës Albane dhe Kishës armene, statusin e autoqefalisë dhe fatin e trashëgimisë së Karabakhut, janë pjesë e një debati më të gjerë historiografik dhe kërkojnë shqyrtim përmes burimeve, dokumenteve dhe kërkimeve krahasuese.
Pikërisht për këtë arsye, dimensioni akademik i aktivitetit mbetet një nga elementet më të rëndësishme të tij. Përtej interpretimeve të ndryshme, prezantimi i librit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë krijoi një hapësirë për njohjen e burimeve dhe argumenteve të një tradite historike që në Shqipëri është relativisht pak e trajtuar.
Në këtë kuadër, historia e Albanisë Kaukaziane nuk u paraqit vetëm si një çështje e së kaluarës. Ajo u lidh me çështje të sotme të identitetit, trashëgimisë kulturore dhe rolit të komuniteteve në ruajtjen e kujtesës historike.
Për Shqipërinë dhe Azerbajxhanin, ky diskutim merr edhe një dimension tjetër, atë të afrimit të institucioneve akademike dhe të krijimit të hapësirave të reja për kërkime të përbashkëta.
Në këtë këndvështrim, prezantimi i “Një histori e shkurtër e Albanisë së Kaukazit” në Tiranë ishte jo vetëm një aktivitet për një libër, por një ftesë për të parë më nga afër një kapitull të historisë së Kaukazit dhe për të hapur një dialog të mëtejshëm mes studiuesve shqiptarë dhe azerbajxhanas.
Siç theksoi ambasadori Anar Huseynov në fjalën e tij, njohja e historisë dhe trashëgimisë kulturore mund të shërbejë si një urë mes dy shoqërive.
© 2026 Argumentum




















































