Berisha: Ambasadorja e SHBA-se po ndërhyn në procesin gjyqësor të PD-së, reagon Yuri Kim: Nëse ndërhyrje nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, atëherë “PO”

Ish kryeministri Berisha akuzoi sot ambasadoren amerikane, Yuri Kim se po ndërhyn në gjykatë lidhur me çështjen gjyqësore në të cilën është Partia Demokratike.

“Askush nuk mund t’i diktojë kësaj opozite akuzat që duhet të bëjë dhe s’duhet të bëjë. Pashë aty shqetësim edhe për akuzat. T’i harrojë kush përpjekjet që mund të diktojë. Unë publikisht sot para mediave shpreh keqardhjen, por edhe denoncimin tim për ndërhyrjet e saj direkte në procesin gjyqësor. Javën e kaluar unë iu informova, thashë se kam informacion për dy burime. Së fundmi, guvernatorja bën takime për procesin gjyqësor i cili në mënyrë absolute nuk ka asnjë bazë ligjore.

Sepse kurrë sipas përcaktimit të procedurave të kodit civil nuk mund të konsiderohet palë ajo që nuk është palë. Dhe unë këtu, i bëj thirrje qeverisë së SHBA-ve të ndalojë ndërhyrjet e saj, e përfaqësues së saj në proceset gjyqësore në Shqipëri”, u shpreh Berisha.

Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka reaguar pas deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha. Teksa Berisha e akuzoi për ndërhyrje në procesin gjyqësor të PD-së, Ambasadorja Yuri Kim shkruan në “Twitter” se nëse kjo nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve
duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin dhe duke kërkuar që të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të luftuar kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë “PO”, SHBA e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë pikërisht këtë.

“Nëse ‘ndërhyrje në procesin gjyqësor’ nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve, duke e bërë të qartë që SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin dhe duke kërkuar që të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të luftuar kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë PO, SHBA e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë pikërisht këtë – sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë përbëjnë një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA-së”, deklaron ambasadorja e SHBA-ve.

/Argumentum.al