Fuqia kaloi nga duart e superfuqisë amerikane në duart e aktorëve rajonalë: Izraeli, Irani, Pakistani, Turqia dhe Arabia Saudite
Të nxehtit e verës është i përshtatshëm për luftëra dhe revolucione, duket sikur ndonjë ligj i çuditshëm i termodnamikës gjeopolitike lidh temperaturat e larta me përmbysjet në rendin botëror. Pikërisht një gjë e tillë ndodhi edhe në Lindjen e Afërt kësaj vere, madje deri në atë masë saqë ky moment mund të shërbejë si pikënisje për një epokë të re në të cilin fuqia kalon nga duart e superfuqisë amerikane në duart e aktorëve rajonalë: nga njëra anë dy fuqi radikalisht kundër njëra tjetrës, Izraeli dhe Irani, dhe nga ana tjetër atë të cilët luftojnë për ndikim në të ardhmen, Pakistani, Turqia dhe Arabia Saudite.
Këto tre shtetet e fundit marrë sëbashku kanë popullsi më të madhe se ajo e Shteteve të Bashkuara, PBB nominalisht të afërt me atë franceze, forca ushtarake për nga madhësia të krahasueshme me ato indiane, dhe buxhete ushtarake të cilët marrë sëbashku zënë vendin e katërt në botë, menjëherë pas Rusisë. Pakistani zotëron armë bërthamore, Turqia është fuqia e dytë ushtarake në NATO. Ndërsa Arabia Saudite është lider eksportues i naftës dhe lider i muslimanëve, të cilët përbëjnë një të katërtën e njerzimit, në sajë të administrimit të vendeve të shenjta muslimane në Mekë dhe në Medine.
Me forca të bashkuara përballë trampizmit grabitqar, sikurse sugjeron edhe kryeministri kanadez Mark Carney, këto tre shtete kanë nënshkruar muajin e kaluar një Marrëveshje të përbashkët mbrojtjeje në Mekë, gjë e cila përbën tregues të njëmendtë të pakënaqësisë dhe humbjes së besimit në partnerin dhe garantuesin e deritanishëm. Sipas deklaratës zyrtare, qëllimi i marrëveshjes është “forcimi i përgjigjes kolektive ndaj çfarëdo akti agresioni”, krahas nenit se “çdo sulm i armatosur në cilindo prej këtyre tre shteteve do të konsiderohet sulm ndaj të treve”. Gjë e cila është klauzola e solidaritetit e modeluar sipas nenit 5 të Marrëveshje së Uashingtonit.
Megjithëse kjo aleancë e Lindjes së Afërt e ngjashmë me NATO-n, respekton kërkesat e Trumpit mbi transmetimin e përgjegjësive të sigurisë vetëm brenda aleatëve, ajo njëkohësisht vështirëson njohjen e Izraelit, thellon barazdistancën mes Izraelit dhe Iranit dhe neutralizon Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat Trumpi i ka promovuar me synim riorganizimin e rajonit nëpërmjet biznesit dhe bashkëpunimit ekonomik. Rijadi kundërshton me këmbëngulje antarsimin në këto pakte derisa të mos sendërtohet përparim në lidhje me çështjen palestineze, por Shtëpia e Bardhë e vë këtë si kusht për ratifikimin e marrëveshjes bërthamore për qëllime civile, e cila Arabisë Suadite i njeh të njëtën të drejtë për pasurimin e uraniumit e cila i refuzohet iranianëve.
Kaluan gjashtë muaj qëkur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara hynë në luftë kundër Iranit me synim pengimin e industrisë së tij bërthamore të cilën e konsideronin kërcënim të përbashkët. Ndërkohë, kyçi i paqes është zhvendosur: ai nuk është më arma bërthamore, por Ngushtica e Hormuzit, kalimin nëpër të cilën është i pamundur të realizohet pa lejen e Teheranit. Kjo është bërë e qartë në Memorandumin për mirëkuptim i cili duhej të shënonte fundin e luftës, por ka mbetur fjalë në letër qysh në ditën e parë.
Megjithëse, ky dokument shënoi sëpaku fundin e fushatës së përditëshme të bombardimeve masive në territorin iranian, i cili ndoshta nuk do të përsëritet për shkak të rrezikut të rrënimit të mëtejshëm të sistemit energjetik, bombardimet janë zëvendësuar me ofensivën pompoze por të paqartë të bllokadës financiare dhe tregtare, e cila ndoshta mund të funksiononte vetëm me një pjesëmarrje qoftë edhe të vogël të Kinës.
Me dobësimin e kontrollit amerikan, Izraeli dhe Irani diktojnë dinamikën e dhunshme rajonale, të drejtuar nga hegjemonizma jo kompatibël mes tyre. Koalicioni i djathtë izraelit këmbëngul të pushtojë Bregun Perëndimor, të kolonizojë Gazën dhe të mbyllë përgjithmonë çfarëdo rruge e cila mund të shpjerë drejt sendërtimit të pjesshëm të të drejtave të popullisë palestineze. Lideri i këtij koalicioni Benjamin Netanjahu, do të vërë në provë këtë projekt në zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit, por ndërkohë Izraeli vepron si fuqi hegjemone në Gaza, Liban dhe në Siri, krahas tërheqjes gjithnjë e më të dukshme dhe pasivitetit të Uashingtonit.
Irani del nga lufta me kapacitet të dyfishuar të kundërpërgjigjeve, në sajë të kontrollit mbi Hormuzin, kërcënon sistemet e naftës dhe të gazit në Gjirin Persik/Arabik, dhe u bën dëme bazave amerikane nëpërmjet raketave dhe dronëve. Teherani u bëri ballë dy luftërave të njëpasnjëshme dhe tani mund të synojë rinovimin e pozitave të tij atje ku jeton popullsdia shiìte, madje edhe duke hyrë në raporte të vogla agresiviteti me Arabinë Saudite. Zëra autoritarë e vërtetojnë një gjë të tillë.
Sipas fjalëve të Marc Lynch, “paaftësia e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur aleatët e tyre në Gjirin Persik nga sulmet iraniane ose të mbajnë të hapur Ngushticën e Hormuzit ka rrënuar në mënyrë fatale marrëveshjen bazë për sigurinë e cila justifikonte rrjetin e bazave të tyre ushtarake në rajon”. Robert Kagani mendon se Irani tashmë është bërë fuqi dominuese në Lindjen e Afërt. “Për vite me radhë e tërë bota është përballur me Iranin e panënshtrueshëm”, shkruan Kagani, “e tani do të duhet të shohë sesi duket Irani pa kurrfarë kufizimesh”.
Çorganizimi dhe humbja e ndikimit të Perëndimit në rajon nuk kanë nisur me Trumpin as janë ekskluzivisht rezultat i mandateve të tij presidenciale, por dritëshkurtësia dhe pangopësia e tij i përshpejtuan këto procese. Përqëndrimi i fuqisë dhe keqpërdorimi i saj për shkak të pasurimit nuk janë politike e jashtme dhe as përbëjnë ndonjëfarë strategjie. Soje rrënimi gjeopolitik ishte i garantuar që më përpara.
[i] https://bosna.hr/kraj-jedne-ere-na-bliskom-istoku/
Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
















































