Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë – e njohur edhe si Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) – ka kërkuar që katër ish‑udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të dënohen me 45 vjet burgim secili për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në procesin e zhvilluar sot (9 shkurt 2026).
Kryeprokurorja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Kimberly West ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë paraqitjes së fjalëve përfundimtare në seancën e së hënës të këtij procesi gjyqësor.
“ZPS-ja kërkon vendim dënimin për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi unik prej 45 viteve mbështetur në kontributet individuale të krimeve, të kryera apo të bëra prej secilit prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ”, tha ajo në kërkesën e saj.
Ajo tha se këto krime janë kundër njerëzimit dhe të rënda si natyrë. West tha se akuzat ndaj katërshes nuk e kanë humbur peshën, por vazhdojnë ende të jenë të rënda.
Kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West tha se kjo gjykatë ka dëshmuar se klima e frikësimit të dëshmitarëve mund të menaxhohet.
“Kemi dëshmuar se klima e frikësimit mund të menaxhohet në një mënyrë që siguron që e vërteta do të dëgjohet. Jemi bërë një gjykatë funksionale e suksesshme në një periudhë relativisht të shkurtër”, tha ajo, teksa falënderoi viktimat dhe dëshmitarët në këtë çështje duke thënë se janë më meritorët.
West tha se “pavarësisht frikësimeve, kërcënimeve, stigmave dhe situatave më të cilat janë përballur këta dëshmitarë dhe familjet e tyre nga një grup i kufizuar por me zë në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dal në pah”.
Kush janë të akuzuarit
- Hashim Thaçi – ish‑president i Kosovës
- Kadri Veseli – ish‑kryeparlamentar
- Jakup Krasniqi – ish‑kryeparlamentar
- Rexhep Selimi – ish‑deputet
Të gjithë janë akuzuar dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat kundër tyre.
Nga sot procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë hyn në fazën përfundimtare.
Prej sot deri më 18 shkurt në Dhomat e Specializuara palët do të paraqesin fjalën përfundimtare për gjykimin.
Seancat e para janë planifikuar për prokurorinë, pastaj mbrojtësin e viktimave e mbrojtjen e të akuzuarve.
Në seancën e fundit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do t’i kenë në dispozicion nga 20 minuta për të dhënë qëndrimet e tyre.
/RTK-Argumentum.al




























































