Nga Genc Mlloja
Harku kohor prej 2 muajsh që nga Kongresi i 20-të i Partisë Komuniste të Kinës (16–22 tetor 2022) është karakterizuar nga një veprimtari spektakolare e Kinës në kuadrin e zgjerimit të bashkëpunimit politik, ekonomik, tregtar ndërkombëtar si dhe në fusha të tjera të kapërcimit të krizave të gjithanshme e garantimit të sigurisë globale në fokus të së cilës ka qenë Presidenti Xi Jinping, i cili ka pritur dhe ka zhvilluar bisedime të suksesshme në Pekin me një numër të madh udhëheqësish te vendeve te ndryshme nga të gjitha anët e botës, ka bërë vizita të shumta jashtë vendit si dhe ka marrë pjesë në një sërë takimesh të nivelit të lartë të disa organizatave ndërkombëtare dhe rajonale ku Kina është anëtare.
Foto:Xinhua
Në vijim të një veprimtarie të tillë kur viti 2022 po mbyllet vizita zyrtare ne Arabi Saudite e Presidentit Xi dhe pjesëmarrja e tij në një sërë eventesh shumëpalëshe së bashku me dhjetra udhëheqës të nivelit të lartë te disa vendeve te botës arabe të zhvilluara në Riad nga 7 deri më 10 dhjetor ishin ndër momentet kulminate, që dëshmuan vitalitetin e shtetit kinez dhe vullnetin e mirë të tij për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe me synimin e qartë për ti dhënë një shtysë të re përpjekjeve që gjërat në botë, në çdo anë të saj, të ndryshojnë kursin regresiv e të futen në shinat e zhvillimit të gjithanshëm paqësor.
Mund të thuhet se me agjendën e ngjeshur në Riad, Presidenti Xi dhe udhëheqës të tjerë të Pekinit plotësuan kuadrin e takimeve me një numër të madh të udhëheqësve të vendeve më të rëndësishme të rruzullit tokësor një demonstrim i qartë ky se në botën e sotme shumëpolare roli në rritje i fuqisë së dytë ekonomike më të madhe është bërë aq vendimtar në të gjitha aspektet saqë të gjithë sytë janë drejtuar nga gjigandi aziatik. Vendimet historike të Kongresit të 20-të të PKK-së kanë krijuar një dinamizëm të ri në Kinë por edhe rritje të interesit të mbarë popujve të botës që e shikojnë se ky vend veç ecën përpara në të mirë të popullit të tij si dhe të gjithë njerëzimit.
Prandaj samiti i parë Kinë-Vendet Arabe, së bashku me samitin mes Kinës dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (KBG), u konsiderua si ngjarja diplomatike më e madhe dhe e nivelit më të lartë midis Kinës dhe botës arabe që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës në 1949 dhe me të drejtë po përshëndetet si ” një moment historik epokal” në historinë e marrëdhënieve kino-arabe.
Kur bota ka hyrë në një periudhë të re pasigurie mes trazirave të shtuara globale, duke përfshirë konfliktin e vazhdueshëm Rusi-Ukrainë dhe një pandemi të zgjatur prej kohësh mbajtja e këtyre dy samiteve të rëndësishme në një kohë të tillë turbulencash dhe arritja e rezultateve të mëdha konkrete pasqyron vendosmërinë strategjike të të gjitha palëve për të forcuar solidaritetin dhe koordinimin për përfitime reciproke, si dhe paqen dhe sigurinë rajonale dhe globale.
Presidenti kinez dhe më shumë se 10 liderë nga shtetet arabe morën pjesë në Samitin Kinë-Vendet Arabe, që u mbajt në Riad më 9 dhjetor, dhe ai është vlerësuar si një mundësi e shtuar për t’i çuar marrëdhëniet kino-arabe në lartësi të reja, për të zhvilluar frymën e miqësisë mes tyre, për të forcuar bashkëpunimin në të ardhmen dhe për të formuar një komunitet kino-arab me një të ardhme të përbashkët. Marrëdhëniet kino-arabe hynë në një epokë të re në dekadën e fundit dhe kanë parë përparim thelbësor në shumë fusha. Së bashku, Kina ka krijuar një partneritet strategjik të orientuar drejt së ardhmes me të gjitha shtetet arabe kurse individualisht ajo ka krijuar partneritete gjithëpërfshirëse strategjike ose partneritete strategjike me 12 shtete arabe.
Në fjalën e tij në Samitin Kinë-Vendet Arabe, Xi paralajmëroi suksesin e marrëdhënieve midis tyre, dhe në këtë kuadër ai shtjelloi shpirtin e miqësisë kino-arabe që përmban karakteristika të tilla si “solidariteti dhe ndihma e ndërsjellë, barazia dhe përfitimi reciprok, përfshirja dhe mësimi dypalësh”.
Xi vuri në dukje se ishte i kënaqur të shikonte vendimet e Samitit për të ndërtuar një komunitet kino-arab me një të ardhme të përbashkët në epokën e re dhe për të formuluar skicën e Planit Gjithëpërfshirës të Bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe Shteteve Arabe, i cili paraqet planin për marrëdhëniet e ardhshme kino-arabe. Në tre deri në pesë vitet e ardhshme, Kina do të punojë me palën arabe për të çuar përpara tetë iniciativa të mëdha bashkëpunimi, duke përfshirë mbështetjen e zhvillimit, sigurinë ushqimore, shëndetin publik, inovacionin e gjelbër, sigurinë e energjisë, dialogun ndërqytetërues, zhvillimin e të rinjve dhe sigurinë dhe stabilitetin.
Vitet e fundit Kina dhe bota arabe kanë ndjekur së bashku një zhvillim produktiv të përbashkët përmes bashkëpunimit reciprokisht të dobishëm në fusha të ndryshme. “Kina dhe shtetet arabe duhet të fokusohen në zhvillimin ekonomik dhe promovojnë bashkëpunimet me përfitime reciproke”, tha Xi, duke theksuar se ata duhet të forcojnë sinergjinë mes strategjive të tyre të zhvillimit dhe të promovojnë bashkëpunimin me cilësi të lartë në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”.
E konkretisht të dy palët kanë ndërtuar 17 mekanizma bashkëpunimi në kuadër të Forumit të Bashkëpunimeve Kinë-Vendet Arabe. Gjatë dekadës së fundit, vlera e tregtisë është rritur me 100 miliardë dollarë, me një vëllim të përgjithshëm që i tejkalon 300 miliardë dollarë. Investimet direkte të Kinës në vendet arabe u rritën me 2.6 herë në këtë periudhë, me stokun e investimeve që arriti në 23 miliardë dollarë, ndërsa janë realizuar mbi 200 projekte të nismës “Një brez, një rrugë”, nga të cilat kanë përfituar rreth 2 miliardë njerëz nga të dy palët.
Xi u bëri thirrje vendeve të qëndrojnë të pavarura dhe të mbrojnë interesat e përbashkëta, të përqendrohen në zhvillimin ekonomik dhe të promovojnë bashkëpunimin e favorshëm, të mbështesin paqen rajonale dhe të përpiqen për sigurinë e përbashkët dhe të rrisin shkëmbimet midis qytetërimeve për të forcuar mirëkuptimin dhe besimin reciprok.
Një deklaratë e lëshuar pas Samitit të parë Kinë-Vendet Arabe vë në dukje se udhëheqësit e Kinës dhe të vendeve anëtare të Ligës Arabe ranë dakord për të forcuar bashkëpunimin dhe për të përmirësuar partneritetin strategjik kino-arab. Kina dhe shtetet arabe janë të përkushtuara për thellimin e bashkëpunimit kino-arab në fusha të ndryshme përmes mekanizmave në kuadër të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet Arabe, thuhet në deklaratën e miratuar njëzëri.
Sipas këtij dokumenti, te dy palët theksuan se çështja palestineze mbetet thelbi i çështjes së Lindjes së Mesme.
Foto:CMG
Ndërkohë udhëheqësit arabë vlerësuan Iniciativën e Zhvillimit Global dhe Iniciativën e Sigurisë Global të propozuara nga Presidenti Xi Jinping si dhe përpjekjet e Kinës për të arritur paqen dhe zhvillimin botëror përmes nismave të sipërpërmendura, duke përfshirë mbajtjen e Dialogut të Nivelit të Lartë mbi Zhvillimin Global.
Në vijim deklarata theksonte se shtetet arabe i përmbahen me vendosmëri parimit të një Kine, mbështesin atë në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial dhe ripohojnë se Tajvani është pjesë e pandashme e territorit të Kinës.
Ndër të tjera, të dyja palët ranë dakord të respektojnë zgjedhjen e pavarur të secilit vend për filozofinë e tij të zhvillimit dhe shprehën vullnetin për të zbatuar bashkërisht nismën ‘Një brez, një rrugë’.
Edhe në fjalimin e tij në Samitin Kinë-KGB, Xi tha se Kina dhe shtetet e KGB-së janë partnerë të natyrshëm për bashkëpunim, dhe miqësia tradicionale mes palëve ka pësuar një përparim të mëtejshëm, duke pasuruar edhe strategjitë e marrëdhënieve mes tyre. Sipas Xi-së ata duhet ta vazhdojnë miqësinë tradicionale dhe ta shohin partneritetin strategjik si një mundësi për të pasuruar konotacionin strategjik të marrëdhënieve mes Kinës dhe vendeve të KBG-ut. Presidenti kinez propozoi pesë fusha kryesore për bashkëpunimin mes Kinës dhe vendeve të KBG-ut për 3 deri në 5 vitet e ardhme: energjia, financat dhe investimet, inovacioni dhe teknologjitë e reja, aerohapësira, gjuha dhe kulturat.
Një moment për tu shënuar është se ky Samit vendosi të ndërtojë dhe të forcojë partneritetin strategjik mes Kinës dhe vendeve të KBG-ut.
I rëndësishëm ishte premtimi se Kina do të vazhdojë të importojë më shumë naftë bruto dhe gaz natyror të lëngshëm nga vendet arabe, do krijojë një mekanizëm pune për investimet dypalëshe dhe bashkëpunimin ekonomik dhe atij të monedhës digjitale, si dhe ndërtimin e një qendre të madhe të ruajtjes së të dhënave kompjuterike me këto vende.
Pa dyshim që një hap i tillë është i mirëpritur nga vendet arabe kur pasojat e krizës energjetike kanë shkaktuar veç oshilacioneve në çmime e çrregullimeve në tregjet ndërkombëtare, edhe manipulime të disa shoqërive shumëkombëshe, të cilat historikisht presin të shfrytëzojnë situata të tilla krize e madje edhe komplotojnë ti krijojnë e ti mbajnë ndezur ato. Prognozat flasin për një kohë të pacaktuar të zgjatjes së krizës aktuale energjetike më të gjitha pasojat e saj edhe ndaj vendeve prodhuese.
Sipas të dhënave nga Administrata e Përgjithshme e Doganave, Kina mbetet partneri më i madh tregtar i KBG-ut dhe tregu më i madh i eksportit për produktet petrokimike. Tregtia dypalëshe i tejkaloi 230 miliardë dollarë në vitin 2021, ku importet kineze të karburanteve fosile nga Arabia Saudite, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arritën përkatësisht 44.9 miliardë dollarë, 25.4 dhe 21.3 miliardë dollarë.
Gjatë qëndrimit 4 ditor (7-10 dhjetor 2022) në Arabi Saudite vend parësor kishte gjithashtu takimi më 8 dhjetor në Riad i presidenti kinez Xi Jinping me mbretin e Arabisë Saudite Salman bin Abdul Aziz Al Saud, i cili i shprehu mirëseardhjen presidentit Xi, që viziton përsëri Arabinë Saudite pas vizitës në vitin 2016. Ai theksoi se bashkëpunimi strategjik ndërmjet Arabisë Saudite e Kinës në të gjitha fushat ka pasur përparim dhe të dy palët kanë arritur konsensus për shumë probleme të rëndësishme. Sipas tij, interesat e Kinës janë edhe interesat e Arabisë Saudite.
Pekini dhe Riadi vendosën zyrtarisht marrëdhënie diplomatike në korrik 1990, dhe udhëheqësit dhe zyrtarët e të dyja palëve kanë shkëmbyer shumë vizita për të konsoliduar dhe forcuar marrëdhëniet strategjike dypalëshe gjatë 30 viteve të fundit. Që atëherë, të dyja palët kanë ndërtuar një marrëdhënie të thellë bashkëpunimi strategjik të bazuar në themelin e fortë të respektit të ndërsjellë dhe përfitimit reciprok.
Foto:VCG
Nga ana e tij kreu i shtetit kinez vuri në dukje se bashkëpunimi kino-saudit ka perspektiva të gjera. Kina e konsideron Arabinë Saudite si një forcë të rëndësishme në botën shumëpolare dhe i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik me këtë vend të madh arab. Kina dëshiron të forcojë shkëmbimet strategjike me Arabinë Saudite dhe të thellojë bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, duke nxitur zhvillimin e duke mbrojtur paqen dhe stabilitetin botëror.
Dy udhëheqësit nënshkruan edhe “Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Partneritetit Strategjik” mes Republikës Popullore të Kinës dhe Arabisë Saudite, dhe ranë dakord për zhvillimin e një takimi të liderëve në çdo dy vjet. Të dy palët ranë dakord gjithashtu për të ngritur nivelin e përfaqësuesve në rang kryeministrash në Komitetin e Përbashkët të Nivelit të Lartë Kinë-Arabi Saudite. Po ashtu Kina shprehu dakortësinë për të listuar Arabinë Saudite si një destinacion për qytetarët kinezë që udhëtojnë në grupe turistike. Ndërsa pala saudite premtoi të mirëpresë më shumë ndërmarrje kineze në procesin e industrializimit të Arabisë Saudite.
Gjatë bisedimeve me Princin e Kurorës dhe kryeministrin e Arabisë Saudite Muhammad bin Salman bin Abdel Aziz Al Saud, presidenti kinez Xi shprehu mbështetjen e Kinës për “Vizionin 2030” të Arabisë Saudite si dhe një sërë iniciativash të mëdha zhvillimore si “Lindja e Mesme e Gjelbër” dhe projekte të tjera. Sipas presidentit Xi, të dy palët duhet të vënë në zbatim lidhjen mes nismës “Një brez, një rrugë” të Kinës dhe “Vizionit 2030” të Arabisë Saudite.
“Vizioni 2030” i Arabisë Saudite është një plan i madh dhe ambicioz, me qëllim që Arabia Saudite të shkëputet gradualisht nga varësia e saj ndaj naftës dhe për t’u shndërruar në zemrën e botës arabe, një qendër e investimeve globale që lidh tre kontinentet e Azisë, Evropës dhe Afrikës. Për të arritur këtë synim, Arabisë Saudite i nevojiten shumë ndërtime infrastrukturore dhe zhvillim i industrive jotradicionale të energjisë, të cilat kanë shumë të përbashkëta me nismën “Një brez, një rrugë”.
Arabia Saudite është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Kinës dhe vëllimi i tregtisë ndërmjet të dy palëve përbën një të tretën e vëllimit të përgjithshëm tregtar midis Kinës dhe vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit. Në gjysmën e parë të këtij viti, vëllimi i tregtisë midis Arabisë Saudite dhe Kinës arriti në 55.6 miliardë dollarë, një rritje prej 38 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, e cila tejkaloi shumë rritjen prej 11 për qind të vëllimit tregtar midis Kinës dhe pjesës tjetër të botës gjatë së njëjtës periudhë.
Sipas statistikave kineze, në gjysmën e parë të vitit 2022, Arabia Saudite ishte një nga vendet më të mëdha të destinacionit për investimet e huaja kineze në botë. Nga 28 miliardë dollarë investime kineze jashtë shtetit, investimet në Arabinë Saudite arritën në 5.5 miliardë dollarë, duke zënë 20 për qind të totalit.
Aktualisht të dy palët kanë shumë projekte bashkëpunimi si kompania e rafinimit “Yanbu Aramco Sinopec” dhe projekti kompleks “Etileni Sino-Saudi Gulei”, grupi industrial kinez në qytetin ekonomik Jazan dhe projekti i pajisjeve të infrastrukturës publike të Detit të Krimsonit. Gjatë vizitës, presidenti Xi theksoi nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin në fushat e tregtisë elektronike, ekonomisë digjitale, energjisë së pastër, teknologjisë së lartë, studimeve të fluturimeve në hapësirë etj.
Foto:CMG
Risi në gamën e gjërë të bashkëpunimit midis Kinës dhe Arabisë Saudite është përdorimi i pagesave ndërkufitare me monedhën kineze RMB. Sipas njoftimeve, në prag të mbajtjes së Samitit të parë Kinë-Vendet Arabe, qyteti kinez Yiwu, i njohur si “supermarket botëror”, dhe Arabia Saudite kanë kryer biznesin e parë të pagesave ndërkufitare me RMB. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning tha më 9 dhjetor në një konferencë për shtyp se përdorimi i pagesave ndërkufitare me monedhën kineze RMB ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e shkëmbimeve tregtare kino-arabe, duke qenë një mikrokozmos i gjallë i lehtësimit të tregtisë e investimeve mes Kinës dhe vendeve arabe.
Duke komentuar këtë vizitë dhe arritjet e saj kryeredaktori i gazetës “Al Riyadh”, Hani Wafa vlerësoi se “kjo vizitë do të nxitë bashkëpunimin mes Arabisë Saudite dhe Kinës në fusha të ndryshme, duke krijuar një perspektivë më të ndritshme në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve”.
Por një tregues domethënës ishte edhe vlerësimi që opinion publik saudit dhe i disa vendeve të tjera bënin për Kinën dhe rolin e saj në arenën ndërkombëtare në të mirë të paqes dhe zhvillimit. Sipas një sondazhi global me 4000 veta nga 20 vende të botës te bërë nga CGTN dhe Qendra e Studimeve “Epstein” pranë Universitetit Tsinghua rezultoi ndër të tjera se 94.2 % e të pyeturve i çmojnë vlerat e paraqitura nga Kina të “paqes, zhvillimit, barazisë, drejtësisë, demokracisë e lirisë” dhe 85 % shprehën mbështetjen e tyre për konceptin e “bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit”.
Në dekadën e fundit, Kina ka nënshkruar dokumente bashkëpunimi për nismën “Një brez, një rrugë” me 20 vende arabe, dhe 17 vende arabe kanë shprehur mbështetje për Nismën e Zhvillimit Global të propozuar nga Kina. 78.4 % e të pyeturve në mbarë botën e njohin Nismën e Zhvillimit Global dhe mendojnë që “zhvillimi është një rrugë e rëndësishme për zgjidhjen e problemeve globale”. 79.4 % e pjesëmarrësve pohojnë arritjet e bashkëpunimit të “grupit të miqve të nismave të zhvillimit global” ku merr pjesë edhe Kina, duke menduar që vendet me fuqi të përparuar komplekse duhet të mbajnë përgjegjësi në përputhje me fuqinë e tyre kombëtare.
Duke folur për rëndësinë dhe rezultatet e udhëtimi të Presidentit kinez Xi Jinping në Lindjen e Mesme, Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u tha mediave më 9 dhjetor se kjo ngjarje çoi në një epokë të re të zhvillimit të gjithanshëm dhe të thellë të marrëdhënieve midis Kinës dhe shteteve arabe, midis Kinës dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe midis Kinës dhe Arabisë Saudite.
Xi jo vetëm mori pjesë në Samitin e parë Kinë- Vendet Arabe dhe Samitin Kinë- KBG në Arabinë Saudite, por gjithashtu bëri një vizitë shtetërore dhe zhvilloi takime dypalëshe me afro 20 liderë arabë, tha Wang. Udhëtimi i Xi-së në Lindjen e Mesme ishte veprimi më i madh dhe më i lartë diplomatik ië Kinës me botën arabe që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës, theksoi shefi i diplomacisë kineze Wang Yi. Duke e quajtur udhëtimin e e Xi-së në Lindjen e Mesme një tjetër ndërmarrje të madhe pioniere në diplomacinë kineze, Wang tha se ajo demonstroi zgjedhjen strategjike të Kinës dhe vendeve arabe për të forcuar solidaritetin dhe koordinimin përballë sfidave globale.
Rivitalizmi i bashkëpunimit të gjithanshëm të Kinës me vendet arabe po ngjet mbi themelet e një lidhje të vjetër të dy qytetërimeve të lashta njerëzore ndërveprimet e të cilave datojnë 2000 vjet më pare. Asgjë nuk po ngjet duke nisur nga vakumi, përkundrazi të dy palët përfaqësojnë potenciale determinuese të botës në zhvillim dhe ata janë forcat kryesore për ruajtjen e paqes e drejtësisë ndërkombëtare në rruzullin tokësor.
Prandaj nuk kanë kuptim dhe shkojnë kundër rrymës së zhvillimit të pandalshëm të rrotës së historisë pretendime të disa politikanëve dhe analistëve perëndimorë, që ia atribuojnë epokën e re të lidhjeve kino-arabe si rezultat i krijimit të një vakumi të madh në Lindje të Mesme ku prania strategjike e SHBA-së në rajon po pakësohet. Pafuqia amerikane për të vazhduar si më parë politikën e saj neokolonialiste në Lindje të Mesme lidhet me problemet e SHBA-së, por në radhë të parë me zgjimin e vendeve në zhvillim kundrejt praktikave grabitqare të fuqive perëndimore, që u kanë kushtuar shumë shtrenjtë e janë bërë pengesë e zhvillimit të tyre edhe pse shumë të pasur me burime natyrore.
Kina nuk po mbush ‘vakum’ as në Lindje të Mesme, as në Afrikë, as në BE, as në Europën Qëndrore dhe Lindore. Marrëdhëniet e saj, sikurse e kanë rikonfirmuar këto dy muajt e fundit, bazohen në mirëkuptimin e ndërsjellë me të gjithë partnerët në një përpjekje të përbashkët për zhvillim dhe begati në paqe e siguri. Motivet e politikës kineze janë diametralisht të kundërta me ato amerikane e të disa vendeve perëndimore sepse leitmotivi i saj nuk është si një lojë nga e cila del fitimtar vetëm më i forti.
Katër ditët kino-arabe ishin dëshmi e re se Kina ka vërtetuar me veprime konkrete se zhvillimi i saj i krijon botës mundësi të reja dhe çdo bashkëpunim ajo e shikon në të mirë të ndërsjellë për secilin vend e njerëzimin në përgjithësi. Çdo ditë po provon se miti i fuqisë numër ‘një’ ka rënë edhe në Lindje të Mesme dhe vetëm multilateralizmi prodhon zhvillim të drejtë e të barabartë në frymë paqësore larg shantazheve e presioneve dhe skemave hegjemoniste. /CRI