Shërbimi Informativ Shqiptar (SHISH) ka ngritur alarmin për praninë e aktivitetit të shërbimeve të huaja në këtë vend ballkanik. Duke paraqitur raportin vjetor në Komisionin parlamentar të Sigurisë, i cili u mbajt të martën me dyer të mbyllura, kreu i SHISH, Helidon Bendo deklaroi se aktiviteti negativ ka vijuar me ndërveprimin në rritje të veprimtarive të inteligjencës me ato të natyrës hibride. Bendo theksoi se në rajon ka përpjekje për të penguar procesin e integrimit.
“Këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre. Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike”, është shprehur Bendo.
Më tej, drejtori i Shërbimit Informativ ka theksuar se në rajon ka tentativa pengimin e procesit të integrimit.
“Situata në rajon është karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta, të cilat kanë sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse në disa shtete. Mosmarrëveshjet ndërshtetërore po shfrytëzohen nga vendet e treta për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar, me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit.”
/Argumentum.al