Përmbyllja e fazës teknike të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në dhjetor të vitit 2027, siguria në hapësirën euroatlantike, mbështetja për shqiptarët në rajon dhe forcimi i diplomacisë ekonomike janë disa nga prioritetet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin e ardhshëm.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha gjatë shqyrtimit në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2027” në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, tha se buxheti i ri synon të forcojë kapacitetet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe përgatitjen e saj për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Ne nuk propozojmë një buxhet thjesht për funksionimin e aparatit të ministrisë apo të sistemit diplomatik të shërbimit të jashtëm. Ne propozojmë një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në përgatitjen e saj, duke pasur që sot mendësinë e të qenit vend anëtar i Bashkimit Europian”, u shpreh Hoxha.
Ai theksoi se prioriteti kryesor mbetet integrimi europian dhe përmbyllja e negociatave të anëtarësimit.
“Objektivi ynë është, që pjesën teknike, fazën e fundit të procesit teknik, ta përmbyllim deri në dhjetor të vitit 2027, për të vijuar më pas me pjesën tjetër, atë politike, dhe për të bërë të mundur që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade”, deklaroi ministri.
Sipas tij, ky proces kërkon përgatitjen e institucioneve dhe të shërbimit diplomatik për fazën e re.
“Kjo kërkon që të përgjigjemi me kapacitetet e shtetit dhe që diplomacia shqiptare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Shërbimi i Jashtëm të jenë të përgatitur për fazën e re në të cilën hyjmë”, tha Hoxha.
Një tjetër përparësi e politikës së jashtme do të jetë siguria në hapësirën euroatlantike dhe roli i Shqipërisë në NATO.
“Do të vijojmë të kontribuojmë në misionet dhe operacionet e Aleancës, në bashkëpunimin në mbrojtje dhe inteligjencë, në sigurinë kibernetike, si dhe në atë që është bërë gjithnjë e më e pranishme në përballimin e kërcënimeve hibride, sidomos të dezinformimit. Këtë do ta bëjmë në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë”, u shpreh ministri.
Hoxha u ndal edhe te shqiptarët në rajon dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe.
“Do të forcojmë bashkëpunimin, koordinimin dhe ndihmën e pakufizuar, në të gjitha format, për Kosovën”, deklaroi ai.
Ministri bëri të ditur se do të forcohet angazhimi për të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut, krahas mbështetjes për integrimin europian të vendeve fqinje. Në këtë drejtim, ai përmendi rreth 70 nisma rajonale, ndër të cilat Procesin e Berlinit.
Sa u përket partneriteteve strategjike, Hoxha përmendi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe Greqinë.
“Me këto vende jemi angazhuar në një proces edhe më të thelluar diskutimi, bashkërendimi dhe dakordësie, për të bërë të mundur që çështjet e akumuluara në agjendën tonë dypalëshe të zgjidhen në një kohë sa më të shkurtër”, tha ai.
Një tjetër përparësi është diplomacia shumëpalëshe dhe forcimi i profilit ndërkombëtar të Shqipërisë.
“Shqipëria beson, si një vend i vogël, te multilateralizmi, te bashkëpunimi ndërkombëtar dhe te e drejta ndërkombëtare, e cila është garancia më e mirë për të mbrojtur të drejtat tona si vend i vogël në hapësirën ndërkombëtare”, u shpreh Hoxha.
Ai bëri të ditur se Shqipëria do të vijojë angazhimin në OKB, OSBE dhe në këshillat që lidhen me interesat shqiptare dhe kombëtare, si dhe do të promovojë kandidaturat e vendit dhe të ekspertëve shqiptarë në organizmat ndërkombëtarë.
Në të njëjtën kohë, shtoi Hoxha, do të nxitet diplomacia publike, digjitale dhe kulturore, në funksion të përmirësimit të imazhit të Shqipërisë.
Ministri u ndal te diplomacia ekonomike dhe lidhja e saj me interesat e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Diplomacia ekonomike nuk është më thjesht një slogan apo një element në planet tona të punës. Ne duam ta lidhim diplomacinë dhe aktivitetin tonë të përditshëm, si dhe veprimtarinë e përfaqësive tona diplomatike, në mënyrë të qenësishme me interesat e zhvillimit ekonomik të vendit”, deklaroi Hoxha.
Ai theksoi se një rol të rëndësishëm në këtë drejtim do të ketë promovimi i eksporteve dhe krijimi i lidhjeve të reja ekonomike.
“Duam që përfaqësitë tona të jenë në mënyrë të përhershme, të vazhdueshme dhe të pandërprerë të lidhura me nevojat e përfaqësimit ekonomik të vendit jashtë, përmes eksporteve, lidhjeve të reja ekonomike dhe asaj që ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë një pjesë e rëndësishme e punës sonë”, theksoi ministri.
© 2026 Argumentum





















































