Prof. Dr. Enver Bytyçi.
Nga 29 maji e këtej, Shqipëria, e sidomos Tirana, janë në protestë dhe revoltë kundër një regjimi antipopullor dhe antikombëtar të instaluar në këtë vend. Rinia dhe studentët kanë vendosur të mos e durojnë më dhunën, mashtrimin, shitjen dhe grabitjen e vendit, si dhe poshtërimin e shqiptarëve nga një qeveri dhe kryeministër arrogant dhe i pabesë. Opozita, përmes partisë më të madhe dhe partive të vogla, i është bashkuar kësaj proteste-revoltë dhe përpiqet të zërë një vend në perspektivën e zhvillimeve të mëtejshme.
Megjithatë, deri tani shohim se ka vetëm retorikë kritike, madje edhe retorikë përçarjeje midis protestuesve, dhe pak ose aspak mendim politik se si do të ndërtohet e ardhmja e këtij vendi. Janë formuluar pesë apo gjashtë kërkesa, ndër to dorëheqja e parevokueshme e kryeministrit, por vetëm kaq. Kërkohet shfuqizimi i disa ligjeve, ndërkohë që kryeministri vazhdon shantazhin dhe këmbëngul për çuarjen deri në fund të projekteve të shpopullimit dhe shitjes së pronave dhe tokave të Shqipërisë tek të huajt.
Nga ana tjetër, duket se grupimet e ndryshme, të organizuara ose ende jo, janë përqendruar te efektet politike të një pakti PS-PD të vitit 2008 për ndryshimet kushtetuese lidhur me modelin zgjedhor. Nuk mund ta them nëse është një kurth apo jo. Por ajo marrëveshje nuk është shkaku më i thellë i protestave dhe revoltave të rinisë. Shkaku i vërtetë është nxjerrja e Shqipërisë në ankand nga një kryeministër, i cili ka përmbysur jo vetëm konceptin e shtetit, por edhe atë të vlerave dhe virtyteve njerëzore.
Kësisoj, nuk kritikohen në të njëjtën masë ndryshimet kushtetuese të vitit 2020, me të cilat mazhoranca e sotme i dha shqelmin e fundit lirisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërkohë, është devijuar adresa e përgjegjësisë për shitjen e Shqipërisë në funksion të interesave personale të pushtetit nga ana e kryeministrit të vendit.
Qytetarët, sidomos studentët dhe të rinjtë, janë në shesh. Por ajo që nuk po i bind ata për të krijuar besim te ndryshimi i madh ka të bëjë me mungesën e alternativës. Një mungesë alternative vihet re te partitë e vogla, të cilat kanë një ose dy deputetë në Parlamentin e Shqipërisë, si dhe te Partia Demokratike, si opozita kryesore. Mungesa e zgjidhjeve shihet gjithashtu te grupet e interesit që janë përfshirë në revoltë.
Nuk mund të kërkohet ndryshimi i sistemit dhe të mos artikulohen se cilat janë ndryshimet që duhen arritur. Cilat janë problematikat në këtë aspekt?
1. Protestuesit kritikojnë përqendrimin e pushtetit në duart e një njeriu, kryeministrit të Shqipërisë. Një kritikë të tillë e ka bërë opozita vazhdimisht prej një dekade. Por a mjafton vetëm konstatimi se kryeministri shqiptar i ka shtënë në dorë dhe i komandon të gjitha pushtetet në Shqipëri? A mjafton konstatimi se ai bën ligje me kartonin e mazhorancës sipas interesit të tij për pushtet? A mjafton kritika për mungesën e balancës së pushteteve?
Të gjitha këto janë të vërteta dhe shqiptarët i ndiejnë në kurrizin e tyre pasojat e një situate të tillë. Këto konstatime janë artikuluar edhe nga opozita prej vitesh. Ajo që ka munguar dhe mungon është alternativa. Duhen ide se si të mos përsëritet kjo situatë në të ardhmen. Ose se si duhet të reformohen sistemi politik, sistemi i qeverisjes dhe ai zgjedhor, me qëllim parandalimin e fenomeneve të tilla. Defektet e mësipërme kanë ekzistuar edhe më parë, në qeverisjet e Berishës dhe Fatos Nanos. Por, së paku, për sa kohë që Shqipëria nuk kishte në drejtimin e saj antikombëtarë, u ruajt njëfarë balance, u bënë edhe rotacione, sidoqë ai i vitit 1997 ishte i dhimbshëm.
Prandaj, me modesti, do të jap disa shembuj.
Nëse problematika e sotme lidhet me mosfunksionimin e Parlamentit, kjo ndodh për shkak se opozitës i mohohet e drejta e kontrollit mbi ekzekutivin. Më saktë, kjo e drejtë i mohohet vetë Parlamentit. Atëherë, alternativa mund të jetë që opozita, cilado qoftë ajo, ta ketë të drejtën të krijojë komisione hetimore parlamentare për kontrollin e qeverisë, pa pasur nevojë për votën e mazhorancës. Opozita dhe protesta duhet ta marrin në konsideratë këtë lloj antidoti, sepse ndryshe nuk bëhen të besueshme te qytetarët. Vërtet opozita nuk qeveris, por ajo është në Parlament për të kontrolluar qeverinë. Mekanizmi është hetimi dhe debati parlamentar. Kjo ka munguar dhe mungon. Atëherë, duhet bërë i mundshëm. Eksperienca të tilla ka në parlamentet e vendeve europiane, edhe pse atje nuk ka problematika të tilla të disbalancimit të pushteteve. Nëse sot është problem sjellja arrogante e kryeministrit edhe në sallën e Parlamentit, atëherë alternativa do të ishte që, me ligj dhe me rregullore parlamentare, t’i ndalohej kryeministrit të kërkonte llogari në Parlament, qoftë edhe ndaj një deputeti të vetëm. Ky fenomen vërtet ka ekzistuar edhe më parë, por që të dalë në foltoren e Parlamentit çdo ministër e çdo deputet i mazhorancës për të denigruar opozitën, kjo nuk kishte ndodhur më parë.
Llogaridhënia duhet të përcaktohet si detyrim dhe jo të lihet në vullnetin e secilit kryeministër që vjen pas Edi Ramës. Nëse kryeministri dhe ministrat nuk pranojnë të shkojnë në interpelancë në Parlament, atëherë duhet që, me ligj dhe me rregullore parlamentare, të parashikohen sanksione të rënda administrative për ta, deri në penalitete të rënda. Duhet të ndalohet me ligj që kryeministri ta delegojë interpelancën. Ai duhet të detyrohet me ligj të jetë i pranishëm në kohën e kërkuar për llogaridhënie. Parlamenti dhe dhënia e llogarisë nga ekzekutivi duhet të jenë mbi çdo aktivitet tjetër të kreut të ekzekutivit dhe ministrave të tij. Kush nënvlerëson dhe injoron sovranin duhet të përgjigjet dhe të ndëshkohet. Ka edhe një aspekt tjetër. Presidenti i Republikës është një degë e ekzekutivit dhe kompetencat e tij kushtetuese duhen parashikuar në funksion të kontrollit të qeverisë, si dhe të mazhorancës. Për këtë arsye, ai mund dhe duhet të zgjidhet nga qytetarët me votë të drejtpërdrejtë dhe të ketë të drejtën e bllokimit të ligjeve për një vit, me qëllim gjetjen e konsensusit për miratimin e tyre ose pengimin e zbatimit të ligjeve antikombëtare dhe antipopullore, siç ka ndodhur me mazhorancën që kemi sot.
Nuk mjafton që vetëm Gjykata Kushtetuese të jetë gardiane e ligjeve antikushtetuese. Ajo shpesh është kompromentuar nga presioni i ekzekutivit. Ka edhe ligje që formalisht bazohen te Kushtetuta, por që janë kundër interesave të vendit. Të tilla ishin ligjet për investitorët strategjikë, për PPP-të, për zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve ose shitjen e tokave bujqësore të huajve. Kur një ligj i dëmshëm për vendin dhe qytetarët nuk ndalohet nga Kushtetuta, duhet të krijohet një mekanizëm kushtetues pengues. Dhe, meqë jemi te Gjykata Kushtetuese, ka nevojë që emërimi i anëtarëve të saj të mos bëhet nga Parlamenti, të cilin e manipulon qeveria. Nëse qeveria emëron anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ajo do të niset nga interesi i saj për t’u mbrojtur nga ndëshkimi i ligjit. Presidenti nuk ka kompetenca ekzekutive për menaxhimin e pasurive dhe buxhetit, prandaj ai është më i përshtatshëm për të emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, si dhe ata të Gjykatës së Lartë.
2. Protesta është drejtuar kundër korrupsionit qeveritar, në të cilin janë përfshirë zëvendëskryeministra, ministra, deputetë të mazhorancës, kryetarë bashkish po ashtu të mazhorancës, përfshirë edhe atë të kryeqytetit, funksionarë të lartë të administratës publike etj. Pra, protestohet kundër grabitjes së pasurive publike, jashtë së cilës nuk është as vetë kryeministri. Por cila është alternativa për ndërtimin e një sistemi politik dhe qeverisës që parandalon korrupsionin endemik të sotëm? Është krijuar ideja se luftën kundër korrupsionit e bën vetëm drejtësia. Por ky është një arsyetim dhe këndvështrim krejt metafizik, i pavërtetë. Shqipëria ka nevojë për një sistem të ri politik, institucional dhe qeverisës, me qëllim luftën kundër korrupsionit. Ky sistem i ri duhet ta përjashtojë mundësinë që paratë publike t’i administrojë vetëm një njeri. Pushteti i këtij njeriu buron pikërisht nga fakti se ai e ka në dorë përdorimin e parave tona sipas dëshirës dhe vullnetit të tij personal, gjë që nuk e kishte këtë autoritet as diktatori i regjimit komunist.
Atëherë, si duhet të ndërtohet shteti që njëshi të mos ketë mundësinë e keqpërdorimit të parave tona publike?
Ka shumë forma reagimi ndaj kësaj. Njëra prej tyre lidhet me mekanizmat parlamentarë dhe detyrimin që çdo shpenzim i parasë publike të miratohet nga Parlamenti dhe komisionet parlamentare. Mund të përcaktohet që një komision parlamentar, për shembull ai i Financave, të ketë detyrimin të miratojë shpenzimet e buxhetit përmes konsensusit. Mund të përcaktohen edhe kompetenca shtesë për ministrin e Financave, si përgjegjës për administrimin e financave të vendit. Por ka edhe mundësi dhe alternativa të tjera. Për shembull, mund të shihet si alternativë krijimi i rajoneve, ose, siç quhen ndryshe, kantoneve apo landeve, të cilat të kenë të drejtën e menaxhimit të të gjitha pasurive, burimeve financiare, çështjeve urbane dhe projekteve të zhvillimit për rajonin përkatës. Në këtë rast, financat dhe administrimi i tyre decentralizohen. Kjo ia zbeh një kryeministri arrogant e tradhtar të interesave kombëtare mundësinë për të spekuluar me kompetencat e tij.
3. Decentralizimi dhe autonomia lokale e financiare janë një mënyrë tjetër për të parandaluar spekulimin me paratë publike. Tenderimi duhet t’i kalojë pushtetit lokal autonom. Qeveria duhet të ketë vetëm mekanizmin e kontrollit, por jo edhe kompetencën për zhvillimin e tenderimeve. Praktika e tenderimit nga një qendër e autorizuar, e kontrolluar dhe e diktuar nga kryeministri ose ministrat e tij duhet të marrë fund. Përqendrimi i kompetencave është shkaku kryesor i krijimit të një shteti autoritar. Prandaj është e nevojshme autonomia lokale dhe financiare, e parashikuar në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore të Këshillit të Europës. Në Shqipëri, prej gati 14 vitesh, ka ndodhur krejt e kundërta. Aq sa qeveria është marrë edhe me planifikimin e parcelave dhe sipërfaqeve që duhet të mbillen me hashash. Duke krahasuar buxhetin e shtetit për pushtetin lokal në Shqipëri dhe në Kosovë, rezulton një diferencë absurde në shpërndarjen e fondeve për qytetarët përmes komunave në Kosovë dhe bashkive në Shqipëri. Në Kosovë shkon gati dhjetë për qind e PBB-së, ndërsa në Shqipëri vetëm tre për qind e saj. Në Kosovë ka kritere strikte për shpërndarjen e kuotave financiare për çdo komunë, ndërsa në Shqipëri Roskoveci kishte marrë më shumë fonde se Shkodra, kur kjo e fundit drejtohej nga opozita. Ligji dhe sistemi i kontrollit e i përgjegjësisë duhet të vendosin rregulla të qarta.
4. Ndryshime strukturore dhe kushtetuese në Kodin Zgjedhor duhen bërë medoemos, si në aspektin e administrimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme, ashtu edhe të atyre lokale. Opozita dhe protestuesit kanë të drejtën e plotë të kërkojnë me ngulm ndryshime në legjislacionin që lidhet me formulën zgjedhore, krijimin e koalicioneve dhe shpërndarjen e votave të partive që nuk kapin pragun e hyrjes në Parlament. Modeli proporcional kombëtar do të ishte modeli më i drejtë. Ky model është provuar i suksesshëm në Kosovë dhe në vende të tjera të rajonit. Në këtë rast numërohen dy lloj votash: ajo për partitë politike dhe vota për deputetët. Numërimi i votave për partitë politike mund të realizohet në kohë rekord dhe qytetarët mësojnë pak orë pas zgjedhjeve se sa deputetë do të ketë çdo subjekt politik. Ndërsa emrat e deputetëve përcaktohen në ditët në vijim, pasi të jetë bërë numërimi i votave për ta. Listat parashikohet të jenë detyrimisht të hapura. Deputetët që marrin numrin më të madh të votave brenda secilës parti fitojnë të drejtën për të hyrë në Parlament. Kjo formulë favorizon gjithashtu partitë e vogla, të cilat në rang kombëtar mund ta realizojnë më lehtë hyrjen në Parlament.
Një grup ekspertësh mund të propozojë shumë mekanizma të tjerë për të realizuar ndryshimin e madh, të cilin e kërkojnë sot protestuesit e rinj në Shqipëri. Ndërsa me këto propozime vetëm sa doja të ngacmoja idenë e ndryshimit dhe të ndërtimit të një Shqipërie të re e demokratike.
Kryesorja është të ndalet abuzimi me pushtetin në emër të forcës së tij, siç po ndodh në vendin tonë. Ka ardhur koha që alternativa të ndërtohet dhe të artikulohet qartë. Nëse kjo bëhet, duhet besuar se sheshi do të mbushet plot dhe do të rikthehet besimi te fitorja. Besimi te fitorja krijon frymë dhe frymën e një populli nuk mund ta mbysë asnjë regjim autoritar apo diktatorial.
© 2026 Argumentum





















































