Pashkët Ortodokse/ Besimtarët në të gjithë vendin kremtojnë Ngjalljen e Krishtit!

Mesnatën e të shtunës shumë besimtarë u mblodhën në Katedralen “Ngjallja E Krishtit” në kryeqytet duke marrë pjesë në meshën e drejtuar nga kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Pas dy vitesh pandemi, kjo festë i gjeti besimtarët pa kufizime apo orare për të mbajtur festimet.

Pashkët janë kremtuar edhe në qytetet e tjera të vendit. Në Elbasan qindra besimtarë ortodoksë u mblodhën në kishën e Shën Thanasit në meshën e drejtuar nga Metropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit Imzot Andoni.

Ndërkohë në Vlorë mesha u mbajt në Kishën e Shën Theodhorit, e drejtuar nga At Konstandin Prifti.

Pashka është një festë që simbolizon ngjalljen e Jezu Krishtit. Ajo konsiderohet si dita më e rëndësishme në kalendarin fetar ortodoks dhe mesazhi i kësaj dite tregon fitoren e jetës dhe dritës mbi errësirën dhe urrejtjen.

Image preview

Meta uron Pashkët ortodokse: Lutje për ditë më të mira, mposhtjen e padrejtësive dhe kapërcimin e çdo vështirësie

Nëpërmjet një postim në Facebook Meta i uron të gjithë shqiptarëve Pashkën e Madhe duke drejtuar lutjet për ditë më të mira, mposhtjen e padrejtësive, arrogancës dhe kapërcimin e çdo vështirësie.

Meta në këtë ditë të shenjtë drejton thirrjen që të ndjekim shembullin e jetës dhe veprës së Krishtit, që na mëson se pavarësisht sakrificave që kërkohen, fuqia e dashurisë dhe e shpresës ka një energji që nuk mund të ndalet dhe as të shpërbëhet.

Kryeministri Edi Rama

“Mirëmëngjesi! Gëzuar Pashkët Ortodokse”, shkruan Rama.

No photo description available.

Lindita Nikolla

“U bashkohem besimtarëve ortodoksë në gëzimin e tyre për festën e Pashkës, Ditën e besimit dhe të shpresës. Fuqia e Ringjalljes na frymëzon të gjithëve dhe në çdo kohë. Por përdëllimi i saj ndihet me shumë në ditë të vështira dhe për më të vuajturit. Në këtë ditë të hapim zemrat, të shtojmë dashurinë dhe kujdesin për ata që kanë më shumë nevojë.

Me besimin dhe dashurinë, të mundim frikën dhe ndarjen. Me të drejtën dhe të mirën, të mundim padrejtësitë dhe të keqen. Gëzuar Pashkën! Shëndet, mbarësi e paqe për të gjithë!”, shkruan Nikolla.

Redaksia e Argumentum.al uron gjithë besimtarët ortodoksë Gëzuar Pashkët!

/Argumentum.al