Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, po përballet me një nismë për shkarkimin e tij në Kongres, pas akuzave për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve amerikane në drejtimin e operacioneve ushtarake, veçanërisht në luftën kundër Iranit. Në mbrojtje të vetes, gjatë një konference për media në Pentagon, më 10 nëntor, Hegseth iu referua edhe ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë më 1999, gjatë presidencës së Bill Clintonit, duke argumentuar se asnjë sekretar amerikan i Mbrojtjes nuk është shkarkuar për drejtimin e operacioneve ushtarake.
Hegseth mbajti një qëndrim sfidues ndaj përpjekjes për largimin e tij nga detyra, të iniciuar nga kongresisti republikan Thomas Massie. Ai e cilësoi nismën si një përpjekje politike, të nxitur nga mosmarrëveshjet mbi politikat ushtarake dhe jo nga shkelje të rënda që do të justifikonin shkarkimin e tij.
“Asnjëherë, me apo pa rezolutë për kompetencat e luftës. As nën Reaganin në Liban, as nën Clintonin në Kosovë, as nën Obamën në Irak dhe Siri, as nën Bidenin në Irak dhe Siri. Ky është standardi”, deklaroi Hegseth.
Në vitin 1999, Shtetet e Bashkuara udhëhoqën fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave jugosllave, gjatë luftës në Kosovë. Ndërhyrja 78-ditore synonte t’i jepte fund dhunës dhe dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe. Hegseth iu referua këtij dhe operacioneve të tjera të mëparshme amerikane për të mbështetur argumentin se drejtimi i operacioneve ushtarake nuk duhet të bëhet shkak për shkarkimin e një sekretari të Mbrojtjes.
Tetë akuza kundër kreut të Pentagonit
Më 9 nëntor, kongresisti republikan Thomas Massie paraqiti tetë akuza në kuadër të nismës për shkarkimin e Hegseth, duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve amerikane gjatë drejtimit të operacioneve ushtarake.
Akuzat lidhen kryesisht me luftën e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, përfshirë pretendimin se operacionet janë zhvilluar pa autorizimin e Kongresit.
Massie ngriti gjithashtu shqetësime për sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafikim droge në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor, operacionet në Jemen dhe Venezuelë, si dhe trajtimin e viktimave civile.
Nisma e tij vjen në një kohë kur strategjia ushtarake amerikane në Iran dhe pasojat e saj kanë shkaktuar kundërshtime në rritje, përfshirë edhe brenda radhëve të republikanëve.
Hegseth: “Kjo nuk është patriotizëm, është sabotim”
Në konferencën e tij të parë për shtyp në Pentagon pas gjashtë muajsh, Hegseth mbrojti drejtimin e ushtrisë amerikane, duke iu përgjigjur kritikave në rritje nga demokratët dhe republikanët për strategjinë ushtarake në terren. Megjithatë, ai dha pak detaje mbi operacionet e ndërprera kundër Iranit dhe sulmet vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Amerikën Latine.
Hegseth i hodhi poshtë akuzat, duke këmbëngulur se operacionet ishin të ligjshme, të urdhëruara nga presidenti Donald Trump dhe të zbatuara nga ushtria amerikane.
“Ajo që po përpiqet të bëjë një kongresist i pakënaqur dhe i mundur nuk është mbikëqyrje dhe as kërkim llogarie. Është një spektakël politik, një manifest personal i nxitur nga egoja dhe pakënaqësia”, deklaroi ai.
Sekretari i Mbrojtjes e paraqiti përpjekjen për largimin e tij si një sulm ndaj ushtarakëve amerikanë dhe rezultateve të operacioneve të tyre.
“Kjo nuk është patriotizëm. Ky është sabotim”, tha Hegseth.
Sipas tij, rezoluta për shkarkimin e tij u dërgon një mesazh kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Iranin dhe kartelet e drogës, se Uashingtoni mund të ndëshkojë ushtarakët dhe drejtuesit civilë për zbatimin e operacioneve ushtarake që ai i konsideron të ligjshme.
Hegseth argumentoi se mosmarrëveshjet mbi politikat ushtarake duhet të trajtohen përmes legjislacionit, debatit dhe zgjedhjeve, dhe jo përmes procedurave të shkarkimit.
Ai kundërshtoi gjithashtu pretendimet për sulme ndaj civilëve, duke i cilësuar ato si akuza të pabaza ndaj pjesëtarëve të ushtrisë që, sipas tij, kanë zbatuar urdhrat. Hegseth mbrojti operacionet kundër Iranit dhe sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafikim droge, duke i paraqitur si masa për mbrojtjen e sigurisë kombëtare amerikane. Ai paralajmëroi se forcat amerikane mbeten të gatshme të veprojnë nëse Irani përshkallëzon konfliktin.
Trump dhe Vance në mbrojtje të Hegseth
Presidenti Donald Trump shprehu mbështetjen për sekretarin e tij të Mbrojtjes, duke vlerësuar paraqitjen e tij në Pentagon dhe veprimet e administratës në Iran dhe Venezuelë.
Edhe nënpresidenti JD Vance reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar përpjekjen për shkarkimin e Hegseth si “një spektakël qesharak që zë vendin e politikëbërjes reale”.
Procedura e shkarkimit dhe përplasja kushtetuese
Përballja mes Hegseth dhe Massie zhvillohet në një moment tensionesh të shtuara politike në Uashington, pas zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit dhe debatit mbi pasojat e luftës me Iranin. Në qendër të konfliktit qëndron jo vetëm mënyra se si Pentagoni ka drejtuar operacionet ushtarake, por edhe çështja e kompetencave kushtetuese për përdorimin e forcës. Massie pretendon se administrata Trump ka tejkaluar autoritetin ekzekutiv dhe ka anashkaluar rolin mbikëqyrës të Kongresit, ndërsa Hegseth këmbëngul se operacionet janë kryer në përputhje me ligjin dhe me urdhër të presidentit.
Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë deri më 11 nëntor për nismën kundër Hegseth. Republikanët mund të kërkojnë bllokimin e saj ose dërgimin për shqyrtim në komision, pa kaluar domosdoshmërisht në votimin për miratimin e akuzave.
Sipas Kushtetutës amerikane, procedura e shkarkimit (impeachment) kërkon fillimisht miratimin e akuzave nga shumica e Dhomës së Përfaqësuesve. Nëse kjo ndodh, çështja kalon në Senat, i cili zhvillon gjykimin. Për shpalljen fajtor dhe largimin e zyrtarit nga detyra nevojitet vota e dy të tretave të senatorëve të pranishëm.
Nisma përbën një sfidë politike për administratën Trump, pasi vjen nga brenda radhëve të Partisë Republikane, në një periudhë tensionesh pas zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit, ku republikanët pësuan humbje.
Në thelb, përballja mes Hegseth dhe Massie shkon përtej së ardhmes së sekretarit në krye të Pentagonit. Ajo rikthen në vëmendje debatin mbi kufijtë e pushtetit presidencial për përdorimin e forcës ushtarake, rolin mbikëqyrës të Kongresit dhe përgjegjësinë e drejtuesve civilë për operacionet e ushtrisë amerikane.
© 2026 Argumentum
















































