Të mërkurën, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Shenzhen me homologun e tij rus Vladimir Putin, që ndodhet në Kinë për të marrë pjesë në Takimin e Liderëve Ekonomikë të APEC-ut.
Gjatë takimit, presidenti Xi vuri në dukje që sivjet është 30-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit strategjik të bashkëpunimit midis Kinës dhe Rusisë, si edhe 25-vjetori i nënshkrimit të Traktatit të Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit Miqësor midis dy vendeve. Zhvillimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve Kinë-Rusi i ka sjellë botës së trazuar dhe në ndryshim më shumë qëndrueshmëri e qartësi, duke krijuar një shembull të marrëdhënieve të tipit të ri me trajtim të barabartë, respekt të ndërsjellë, përmbushje të zotimeve dhe përfitime të përbashkëta midis dy vendeve të mëdha. Në të ardhmen, të dy vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe të mbajnë përgjegjësinë e duhur, duke promovuar shumëpolaritetin e botës dhe demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Presidenti i Kinës theksoi më tej që të dy palët duhet të shfrytëzojnë rolin e mekanizmave të shkëmbimeve mes dy qeverive, organeve legjislative, ushtrive dhe partive, për të siguruar zbatimin efektiv të mendimeve unanime të arritura nga dy krerët e shtetit. Kina dhe Rusia duhet të krijojnë një mjedis më të qëndrueshëm për investimet e biznesin dhe të mbrojnë siç duhet interesat e ligjshme të sipërmarrjeve të të dyja vendeve, u shpreh Xi, duke shtuar që zhvillimi i Kinës dhe i Rusisë lidhet ngushtë me zhvillimin e Azi-Paqësorit. Sipas tij, APEC-u është një platformë e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit dhe Kina është e gatshme të punojë me të gjithë anëtarët e familjes së APEC-ut, duke përfshirë Rusinë, për të promovuar lulëzimin dhe zhvillimin e Azi-Paqësorit dhe për të krijuar bashkësinë me të ardhme të përbashkët të Azi-Paqësorit.
Nga ana e tij, presidenti Vladimir Putin u shpreh se pala ruse është e gatshme të forcojë bashkëpunimin strategjik me Kinën dhe të thellojë bashkëpunimin në fushat e tregtisë, energjetikës, arsimit etj., duke zgjeruar shkëmbimet njerëzore, për t’u sjellë të dy popujve më shumë përfitime. Ai i shprehu urime Kinës për organizimin me sukses të Samitit të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut në Shenzhen dhe vuri në dukje që Rusia është e gatshme të punojë me Kinën për të nxitur zhvillimin dhe bashkëpunimin e Azi-Paqësorit dhe procesin e shumëpolaritetit të botës, për të krijuar një sistem më të drejtë të qeverisjes globale dhe për të luajtur një rol të rëndësishëm për mbrojtjen e qëndrueshmërisë së marrëdhënieve ndërkombëtare./cgtn




















































