Prezenca e OSBE-së në Shqipëri reagoi sot lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor që pritet të miratohen në Kuvend.
Prezenca e OSBE bën të ditur se, çmon përparimin e jashtëzakonshëm në fushën e barazisë gjinore që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të fundit, veçanërisht për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në jetën politike.
Prezenca mirëpret përpjekjet aktuale ndërpartiake, të drejtuara nga gratë deputete.
“Ne mirëpresim përpjekjet aktuale ndërpartiake, të drejtuara nga gratë deputete, dhe shpresojmë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të garantojnë pozitën udhëheqëse të Shqipërisë në rajon e më gjerë në lidhje me përfaqësimin gjinor në parlament”, thuhet në një reagim të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Në Kuvend është depozituar një amendament për projektin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.
Disa deputete gra kanë iniciuar amendamentin për të garantuar kuotën zgjedhore dalëse duke përfshirë në amendament parashikimin që edhe në listat që do t’i nënshtrohen votimit parapëlqyes të garantohet që në listën fituese 1 në 3 të jetë deputete grua.
Në amendament kërkohet që ashtu siç garantohet kuota 30% në hyrje si kandidate në lista ashtu të garantohet kuota gjinore edhe në listën finale.