Alexander Etkind-Peshçanik[i]
Ishte një takim i pazakontë. Në koridoret gjysëm të errët të Kremlinit, përherë i qeshuri Xi Jinping dukej sikur kishte humbur rrugën. “Po ndodhin ndryshime – ndryshime që nuk janë parë ndonjëherë në këto 100 vitet e fundit – dhe ne i kryejmë këto ndryshime sëbashku”, i tha Vladimir Putinit kur u takuan. Presidenti rus ra dakord, kjo dihet. Xi vazhdoi të buzëqeshë.
Një vit më parë, Federata Ruse nisi luftën në Ukrainë duke deklaruar se synon të rikthejë në përbërje të saj territoret e humbura. Sikurse tha Putini, do të marrë vetëm atë që i përket prej kohësh – sikurse patën bërë carët rusë. Revanshizmi dhe një lloj imperializmi toksik nuk janë të huaja as për presidentin Xi, i cili deklaron hapur se Kina do të vendosë sovranitetin e saj mbi Taivanin. Putini është dakord me kësi planesh – në këtë moment asgjë nuk do ta gëzonte më shumë sesa një konflikt në Azinë Lindore.
Por skeletet fshihen në raft, të mëdhenj dhe të tmerrshëm. Rusia dhe Kina janë fqinjë pas të cilëve qëndron një histori e vështirë. Në kufirin ruso-kinez, kufiri më i gjatë në botë, ka shumë pika të diskutueshme. Në historinë e re, Rusia disa herë ka marrë pjesë të territorit të Kinës – kryesisht ishuj të pabanuar – por konfliktet territoriale më të rëndësishëm vazhdojnë të mbeten të pazgjidhur. Është interesante se historia e këtyre konflikteve është e lidhur ngushtë me historinë e Krimesë.
Si edhe në konfliktin që është duke u zhvilluar Krimeja, në mesin e shekullit 19, u gjend në mesin e armiqësive që u zgjeruan tejet larg kufinjve të vetë ishullit. Njësitë ruse në vitin 1853 sulmuan Perandorinë Osmane, pas së cilës aleanca ushtarake mes Britanisë dhe Francës sulmoi Krimenë. Lufta përfundoi tre vite më vonë kur Rusisë i’u desh të lutej për paqe.
Dy luftërat e Krimesë nga dy epoka të ndryshme flasin për dy kriza globale. E para përgatiti terrenin për heqjen e bujkrobërisë dhe feudalizmit; e dyta është reaksion ndaj fundit të filluar të erës së lëndeve djegëse. Në të dy rastet logjistika ruse ishte e keqe, armët e vjetëruara, morali i ulët, ndërsa zotërinjtë e politikës janë kaq të vjetër në krahasim me luftëtarët në front saqë mezi kuptohen me njëri tjetrin.
Në të dy luftërat e Krimesë është vënë në pikëpyetje ndërtimi i brendshëm i shtetit imperialist rus. E para solli humbje poshtëruese për palën ruse. Bregu Jugor i Rusisë mbeti krejt i pambrojtur pas asgjësimit të Flotës së Detit të Zi; e tërë bota pati rastin të bindet për mungesën e teknologjisë dhe infrastrukturës moderne, prapambetjen e shoqërisë dhe izolimin e ekonomisë ruse. Sikurse ndodh tashmë me luftërat, humbja në luftën e Krimesë solli tejçimin e shpejtë të pushtetit nga i ati te i biri. Cari Nikolaj I vdiq (ose kreu vetëvrasje) një vit para nënëshkrimit të paqes. I biri, Aleksanderi II, çliroi bujkrobërit dhe nisi “reforma të mëdha” – përpjekja më e suksesshme deri në ditët e sotme për ta modernizuar Rusinë. Perandoria ruse e mbajti Krimenë, por u tërhoq nga territore që sot i takojnë Rumanisë, Bullgarisë dhe Turqisë. Kaloi një shekull para se kufinjtë në rajon, përfshirë edhe ata të Ukrainës, të merrnin formën e sotme.
Vetëm disa muaj më vonë, fuqitë perëndimore nisën një luftë të re, kësaj here në Kinë. Armiqësitë zgjatën me dekada, më shumë për shkak të këmbënguljes së Europës që Kina të hapë portet për eksportin e opiumit. Më të hyrë në Pekin, europianët e detyruan princin Gong, regjentin e Perëndorisë kineze, të nënëshkruante marrëveshjen për paqe e cila është sot në Kinë cilësohet si shembull i “marrëveshjeve të pabarabarta” që u’a imponuan të huajt.
Një rol të madh në këto ngjarje luajti edhe Nikollaj Ignatijev, diplomat rus i cili e filloi karrierën në Luftën e Krimesë. Duke aktruar neutralin, duke përdorur korrupsionin dhe kërcënimet, Ignatijevi arriti t’i bindë zyrtarët e dëshpëruar kinezë që të heqin dorë nga disa pjesë veriore të Mançurisë dhe t’ua dorëzojnë Perandorisë ruse. Kur u qetësua pluhuri i luftës, Britania mori Hong Kongun dhe dy ishuj fqinjë me të, ndërsa Rusia një territor më të madh se Britania.
Ky nuk ishte fundit. Perandoria ruse mori nga Kina e dobësuar edhe “koncesionin” për një tjetër pjesë të madhe të Mançurisë në vitin 1896. Dukë shfrytëzuar kreditë perëndimore, Rusia ndërtoi hekurudhën Kineze Lindore që lidhte qytetet e Siberisë me bregdetin e Pacifikut, gjë e cila forcoi pozitat rusë në raport me Japoninë dhe i hapi rrugën asaj drejt Pekinit.
Në mesin e territorit të aneksuar gjendej qyteti Habrin më të cilin banonin rusë. Kjo shpuri në luftën ruso-japoneze të viteve 1904-1905, të cilën Rusia e humbi. Por territori, në pjesën më të madhe të tij, mbeti nën kontrollin e Rusisë edhe për 30 vite të tjera, kur Bashkimi Sovjetik i’a shiti hekurudhën kineze Japonisë, e cila ndërkohë vendosi një rregjim kolonial marionetë në Mançuri.
Ky ishte një sukses i madh i diplomatëve rusë. Me këtë veprim ata e orientuan vëmendjen e Japonisë agresive nga Bashkimi Sovjetik te Shtetet e Bashkuara. Kjo ishte meritë e Maksim Litvinovit, bolshevik hebrè i martuar me një shkrimtare britanike, i cili zhvilloi bisedime të fshehta. Sikur bisedimet të mos kishin sukses, trupat japoneze mund të kishin sulmuar Harbinin në vend të Perll Harberit.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore trupat sovjetike pushtuan përsëri Harbinin. Për të treguar se sa shumë e vlerësonte fqinjin e madh, Moska në vitin 1952 i’a ktheu një pjesë të Mançurisë Kinës komuniste, kjo vetëm disa vite para se Ukraina të fitonte Krimenë. Në bisedimet me Sinë, Putini shpresonte se lideri kinez do t’i kuptonte veprimet e tij në Ukrainë dhe dhe nuk do ta zbatonte të njejtën logjikë në territoret që Perandoria Ruse kishte aneksuar nga Kina. Por këto aspirata asimetrike dhe egocentrike nuk mund të pranohen në raportet e fuqive të mëdha.
Kina më në fund e rimori Harbinin, ndërsa në vitinm 1997 edhe Hong Kongun. Megjithatë, pjesë të mëdha të Mançurisë, të cilat Kina i kishte humbur në të njëjtën kohë si edhe Hong Kongun, edhe sot e kësaj dite i përkasin Rusisë. Mançuria e Jashtme, sikurse quhet pjesa e saj që është sot nën kontrollin e Rusisë, ka rëndësi të madhe strategjike për shkak të bollëkut të burimeve natyrore. Atje janë ndërtuar edhe qytete me rëndësi si dhe porte ushtarake. Por në duart e rusëve ka mbetur një zonë e madhe prej 1.000.000 kilometër katror – gjë që afërsisht është sa një e dhjeta e Kinës- e populluar dobët dhe e pazhvilluar.
Qeveria ruse në vitin 2016, miratoi një ligj që synon të nxisë popullimin e Lindjes së largët të vendit, përfshirë edhe Mançurinë e Jashtme, duke u ofruar atyre që shkojnë për të jetuar atje nga një hektar tokë arë falas. Por programi nuk pati sukses: administrimi i dobët, mungesa e infrastrukturës dhe kreditë e pamjaftueshme e kanë bërë të pamundur zhvillimin.
Nga ana tjetër, kinezët në mënyrë legale ose jolegale investojnë në të njejtin rajon. Askush nuk e di numurin e saktë, por qeveria ruse nuk e fsheh shqetësimin për shkak të ardhjes së tyre. Gjithsesi, ekspertët perëndimore mendojnë se situata nuk është aq alarmante sa ç’thuhet. Dëndësia e popullsisë në Siberi vazhdon te jetë 50 herë më e vogël se në Kinë.
Si është lideri i vendit më të populluar në botë, ndërsa Putini i vendit me territor më të madh. Ndërsa begatia e Kinës varet tërësisht nga puna e banorëve të saj, begatia e Rusisë bazohet kryesisht në pasuritë natyrore.
Dy vendet dhe liderët e tyre janë të nevojshëm për njëri tjetrin- por ndryshimet mes tyre janë të mëdha. Fushtatat antikorruptive në Kinë kanë goditur njerëzit më të fuqishëm në vend. Me qindra zyrtarë të lartë, me dhjetra liderë provincash, madje edhe disa nga anëtarët e Byrosë politike, janë larguar nga funksionet, janë përndjekur ose janë dënuar me vdekje për shkak të korrupsionit. Nga ana tjetër, Putini e ka zgjeruar korrupsionin endemik përgjatë tërë sistemit dhe e ka shndërruar atë në sport kombëtar për të cilin Rusia postsovjetike është e njohur globalisht.
Në raportin e organizatës Transparency International për vitin 2022, Kina dhe Rusia gjenden në skaje të kundërta të indeksit të përceptimit të korrupsionit (vendi i 65 dhe 137), ndërkohë që i ndajnë shumë vënde në zhvillim. Korrupsioni dhe evitimi i pagimit të taksave kontribuojnë në rritjet e pabarazisë; rrjedhja e kapitaleve e mbulon këtë. Të gjithë indikatorët e përmenduar janë më të mëdhenj për Rusinë sesa për Kinën. Sipas të bazës së të dhënave Botërore mbi pabarazinë të vitit 2021, 1% e më të pasurve zotëronte 48% të pasurisë kombëtare në Rusi, në Kinë kjo shifër është 33%. Në Kinë rrjedhja jashtë shtetit e kapitalit është e pakët, ndërsa në Rusinë e Putinit ka kapur shifrën më shumë se një trilion dollarë. Taksimi në Kinë është progresiv. Në Rusi, taksa mbi ta ardhurat paguhej sipas një shkallë fikse deri në vitin 2021, ndërkohë që deri tani nuk është veçanërisht progresive; madje as edhe republikanët amerikanë nuk shkojnë aq larg në libertianizmin e tyre.
Xi-ja vazhdon të jetë komunist nga fundi i spektrit të majtë të spektrit ideeologjik, Putini është djathtist ekstrem dhe konservator.
Duke i shitur naftë dhe gaz Kinës dhe duke importuar nga ajo prodhime të gatshme – makineri, mjete të konsumit, ndoshta edhe armë- Rusia e Putinit është bërë koloni joformale e Kinës. Eksporti i lëndëve të para ruse ka pasuruar elitën dhe ka kontribuar në rritjen e pabarazisë, krahas një përfitim të pandjeshëm për masat e gjëra të popullsisë. Kriza klimatike paralajmëron probleme politike për pesë petro shtetet siç është Rusia. Në fillim të shekullit 21, karburantet fosile toksike janë të dënuara me dështim njëlloj sikurse opiumi në fundin e shekullit 19.
Por energjia u nevojitet të gjithëve, si në luftë ashtu edhe në kohë paqeje. Megjithëse edhe vetë ka probleme për shkak të përdorimit të madh të karbonit dhe emetimit të gazit karbonik, Kina është më e gatshme për ndryshimet që priten të vijnë. Burimet e saj energjetike janë shumë të diversifikuara. Gjithashtu, Kina investon në teknologjinë e cila do të zevëndësojë karburantet, naftën dhe gazin. Nga reaktorët bërthamorë deri në anijet që përdorin gaz të lëngshëm dhe turbina me erë, Kina me shpejtësi po zhvillon teknologjitë energjetike dhe po i eksporton. Rreth një e katërta e paneleve diellorë në Europë është prodhuar në Kinë. Rusia e Putinit nuk ka se me çfarë t’i zëvendësojnë lëndët djegëse fosile – rrugëdalja e vetme për të është vetëm lufta.
Një prej qëllimeve të Putinit ishte që Europën, e cila po hynte në procesin e detoksifikimit, nëpërmjet luftës ta detyronte të vazhdonte blerjen e naftës dhe gazit rus. Por Rusia e nënvlerësoi reaksionin e Perëndimit, sikurse nënvlerësoi edhe rezistencën e Ukrainës. Vërtetë se lufta i shtyu deri në njëfarë mase planet europiane për dekarbonizimin, por tashmë është bërë e ditur se Rusia kurrë nuk ka për tu kthyer më në tregjet perëndimore me karburantet e saj fosilë. Po ashtu nuk do të jetë në gjendje që tregtinë e saj me naftë dhe me gaz ta riorientojë në Lindje. Për këtë nevojiten naftësjellës tejet të mëdhenj të cilët Kina refuzon t’i financojë.
Konflikti mes njësive ushtarake kineze dhe ruse që ndodhi në vitin 1969 në ishullin Damanski, një pikë tejet e vogël tokësore në lumin Usuri në kufirin mes Rusisë dhe Kinës, tërhoqi vëmendjen e Henri Kizingerit dhe e çoi në konkluzionin se po përgatitej lufta ruso-kineze, luftë në të cilën Shtetet e Bashkuara duhej të mbështesnin Kinën. Më vonë në kujtimet e tij ai shkroi se ky është një shembull sesi “analiza e gabuar mund të shpjerë në konkluzione të drejta”.
Që në vitin 1971, Kizingeri vizitoi në fshehtësi Pekinin. Diplomacia e tij kreative – ndoshta suksesi më i madh i diplomacisë amerikane – shpuri në shkrirjen e papritshme të akujve në marrëdhëniet mes Kinës dhe Amerikës, dështimin përfundimtar të Bashkimit Sovjetik dhe hyrjen e botës në procesin e globalizimit që nuk u përmbyll kurrë. Bashkimi Sovjetik i’a dorëezoi paqesisht Kinës ishullin Damanski në vitin 1991. Sot ai njihet me emrin Xhenbao.
Sikur trupat sovjetike dje dhe sot ato ruse, për dhjetëvjeçarë të tërë janë përgatitur për luftë me Kinën. Me mijëra tanke nëpër magazina nëntokësore të gatshme për luftë në Siberi. Nga të dyja anët e kufirit janë ndërtuar fortifikime, pista avionësh dhe instalime të tjera ushtarake. Ishte një prej përqëndrimeve më të mëdha të fuqisë së zjarrit në tërë planetin. Me fillimin e luftës barbare në Ukrainë, Rusia e prishi ekuilibrin në raportin e forcave me Kinën. Në muajt që i paraprinë invazionit, si dhe gjatë tërë kohës që zgjat kjo luftë tragjike dhe totale, konvoje të mëdhenj ushtarakë zhvendosën njësitë e blinduara dhe ushtrinë nga kufiri me Kinë në kufirin me Ukrainën. Marinarët nga Flota e Pacifikut, këmbësoria nga Burjationi, pilotët nga Habarovska, tanket nga Amuri, të gjithë u zhduken në Ukrainë. Përfytyroni befasinë e planerëve ushtarakë kinezë: një fuqi e stërmadhe ushtarake nga ana tjetër e kufirit zhduket brenda natës.
A mund t’i përdorë Kina njësitë e saj veriore për invazion në Taivan? Ndoshta po. Por do të ishte një gabim tragjik. Hapësira të stërmëdha të Siberisë Jugore dhe të povincave ruse të Pacifikut janë një shënjestër e lehtë. Për një komb racional, siç është Kina shpresoj, realizimi i qëllimit strategjik të kolonizimit të Siberisë në mënyrë paqesore dhe me përfitim është më i dëshirueshëm sesa hyrja në një betejë të përgjakshme dhe të ndërlikuar për Taivanin. Por për këtë detyrë nevojiten partnerë kreativë. Pritet një Kizinger i ri.
Nga perspektiva e Ukrainës, hapja e një fronti të ri kundër Rusisë në Lindjen e Largët do të ishte realizim i ëndërrës. Të shpresojmë se kjo nuk ka për të qënë e nevojshme.
Dështimi ushtarak në Ukrainë dhe transformimi paqesor i Siberisë do të sillnin ndryshime thelbësore në Moskë. Këto dy ecuri do të ishin një goditje e madhe për Putinin dhe klikën e tij. Kjo do të sillte ndryshim të udhëheqjes në Kremlin dhe rënien e rregjimit të Moskës, si dhe ndryshime në vetë ndërtimin e Federatës. Federata nuk do të jetë në gjendje të mbijetojë nëse tërë kontinenti euroaziatik do të rikonstruktohej dhe ndryshonte. Ndoshta Kina komuniste dhe autoritare përfundimisht do të hynte në perestrojkën e saj të shtyrë prej kohësh.
Sikurse i tha Si Putinit: Po ndodhin ndryshime, – ndryshime që nuk janë parë ndonjëherë në këto 100 vitet e fundit.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://pescanik.net/rusija-i-kina/




























































