Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime me homologun e vet egjiptian Abdel Fattah El-Sisi të mërkurën paradite në Kajro.
Gjatë këtyre bisedimeve, Xi theksoi se në vitin 1956, Egjipti u bë vendi i parë arab dhe afrikan që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës. Brezi i vjetër i udhëheqjes së të dy vendeve i udhëhoqi popujt e tyre në një luftë të përbashkët për pavarësi kombëtare dhe kundër imperializmit e kolonializmit, duke krijuar një miqësi të pathyeshme dhe të thellë. Shtatëdhjetë vjet sprova e vështirësi kanë kultivuar dhe dëshmuar karakteristikat dalluese të marrëdhënieve Kinë-Egjipt: barazi dhe besim i ndërsjellë, miqësi dhe mësim i ndërsjellë, ndihmë e ndërsjellë dhe bashkëpunim me përfitim të ndërsjellë.
“Në vitet e fundit, nën udhëheqjen tonë të përbashkët, partneriteti i gjithanshëm strategjik Kinë-Egjipt ka arritur një zhvillim të jashtëzakonshëm. Të dyja palët ndajnë ideale të përbashkëta dhe përputhje strategjike në kauzat e zhvillimit dhe rigjallërimit, përmirësimin e mirëqenies së njerëzve dhe mbështetjen e drejtësisë ndërkombëtare. Përballë një situate komplekse dhe të paqëndrueshme ndërkombëtare e rajonale, të dy vendet duhet të mbështesin njëri-tjetrin, të thellojnë bashkëpunimin dhe të vazhdojnë të përparojnë ndërtimin e një komuniteti me të ardhme të përbashkët Kinë-Egjipt,” tha Xi.
Sisi ka mbajtur një ceremoni mirëseardhjeje për Xi Jinping para bisedimeve më 2 shtator./Xinhua
Ai vuri në dukje më tej që Kina dhe Egjipti duhet së pari të mbështesin fort njëri-tjetrin, të ruajnë vrullin e shkëmbimeve të nivelit të lartë, të intensifikojnë shkëmbimet e bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe në të gjitha nivelet, si edhe të forcojnë shkëmbimet e mësimin e ndërsjellë të përvojës në qeverisjen e vendit. Së dyti, të dy palët duhet të promovojnë bashkëpunim me dobi të ndërsjellë, të forcojnë përafrimin e strategjive të zhvillimit, të çlirojnë potencialin për bashkëpunim në fusha tradicionale, si ndërtimi i infrastrukturës, energjia elektrike, bujqësia e teknologjia e komunikimit dhe të krijojnë pika të reja për bashkëpunimin në energjinë e gjelbër, automjetet elektrike, hapësirën ajrore, ekonominë digjitale dhe teknologjinë moderne bujqësore. Së treti, të dy palët duhet të promovojnë shkëmbimet njerëzore dhe kulturore, të zgjerojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse shkëmbimet dhe bashkëpunimin në kulturë, arsim, shkencë e teknologji, shëndetësi, sport etj., të zgjerojnë shkëmbimet e personelit dhe të forcojnë lidhjet mes njerëzve. Së katërti, Kina dhe Egjipti duhet të forcojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, të luftojnë së bashku krimin ndërkufitar, të thellojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit, të mbështesin fuqishëm përpjekjet e njëri-tjetrit kundër terrorizmit dhe të ruajnë sigurinë e përbashkët të të dy vendeve. Së pesti, të dy palët duhet të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar shumëpalësh, të forcojnë më tej koordinimin e bashkëpunimin në platformat shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara dhe BRICS, të punojnë së bashku për të promovuar ndërtimin e forumeve të bashkëpunimit Kinë-shtetet arabe dhe Kinë-Afrikë, të kundërshtojnë së bashku unilateralizmin e ngacmimin dhe të promovojnë ndërtimin e një sistemi qeverisjeje globale më të drejtë e më të arsyeshme.
Nga ana e tij, presidenti i Egjiptit Abdel Fattah El-Sisi e priti ngrohtësisht vizitën shtetërore historike të presidentit Xi Jinping në Egjipt me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Ai tha se, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, lidhjet Egjipt-Kinë kanë ruajtur një zhvillim të shëndetshëm e të qëndrueshëm, me rezultate të frytshme të arritura në bashkëpunimin në fusha të ndryshme. Egjipti i përmbahet fort parimit të Një Kine dhe është i përkushtuar për të nxitur një zhvillim më të madh të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis dy vendeve. Egjipti është i gatshëm të punojë me Kinën për të forcuar bashkëpunimin në tregti dhe investime, prodhim, ndërtimin e infrastrukturës, financa, shkencë e teknologji dhe energjinë e re, për të forcuar shkëmbimet ushtarake dhe të sigurisë dhe për të shtuar shkëmbimet njerëzore, në dobi të popujve të të dy vendeve, duke kontribuuar në zhvillimin dhe prosperitetin rajonal. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina luan një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në çështjet ndërkombëtare. Egjipti është i gatshëm të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin me Kinën në platforma shumëpalëshe për të trajtuar së bashku sfidat globale dhe për të punuar së bashku për të mbështetur drejtësinë dhe barazinë ndërkombëtare.
Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime me homologun e vet egjiptian Abdel Fattah El-Sisi më 2 shtator paradite në Kajro./Xinhua
Të dy krerët e shtetit zhvilluan diskutime të thella edhe mbi situatën në Lindjen e Mesme. Xi Jinping theksoi se Kina mbështet vendet e rajonit në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë e miqësore, duke ndjekur konceptin e sigurisë së përbashkët, përfshirëse, bashkëpunuese e të qëndrueshme, si edhe duke ndërtuar një arkitekturë të re sigurie për Lindjen e Mesme.
Xi Jinping paraqiti katër propozime në këtë drejtim: Së pari, nxitja e forcës lëvizëse endogjene për sigurinë e përbashkët rajonale. Duhet të ndiqet parimi se popujt e Lindjes së Mesme janë zotër të fatit të tyre, të kundërshtohet ndërhyrja e jashtme, të mbështeten vendet në forcimin e dialogut për paqen e sigurinë, të shqyrtohet riformësimi i arkitekturës rajonale të sigurisë dhe të vendoset në mënyrë të pavarur për të ardhmen dhe fatin e tyre.
Së dyti, promovimi i qeverisjes gjithëpërfshirëse të sigurisë së përbashkët rajonale. Lindja e Mesme ka shumë pika të nxehta me lidhje të forta të brendshme dhe duhet të shqyrtohen zgjidhje gjithëpërfshirëse. Çështja palestineze mbetet thelbi i çështjes së Lindjes së Mesme dhe nuk duhet të injorohet a lihet mënjanë kurrë.
Së treti, konsolidimi i themeleve të zhvillimit për sigurinë e përbashkët rajonale. Mënyra themelore për të arritur paqe dhe qëndrueshmëri afatgjatë në Lindjen e Mesme është përmes zhvillimit. Kina është e gatshme të punojë me të gjitha vendet e rajonit për të mbrojtur sigurinë e korridoreve ndërkombëtare të transportit detar, për të nxitur bashkëpunimin për zhvillim, për të lehtësuar integrimin e interesave midis vendeve të rajonit dhe për të rritur gradualisht besimin e ndërsjellë dhe eliminuar terrenin pjellor për konflikt.
Së katërti, forcimi i koordinimit ndërkombëtar për sigurinë e përbashkët rajonale. Karta e OKB-së dhe e drejta ndërkombëtare janë udhërrëfyesi themelor për trajtimin e çështjeve të Lindjes së Mesme. Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht fuqitë e mëdha jashtë rajonit, duhet të braktisë standardet e dyfishta, të respektojë sovranitetin e integritetin territorial të vendeve të rajonit dhe të mbrojë sigurinë e qëndrueshmërinë rajonale, duke mbështetur Kombet e Bashkuara në luajtjen e një roli vërtet efektiv në çështjet rajonale.
Kurse El-Sisi deklaroi se Egjipti e vlerëson lart qëndrimin e vendosur objektiv e të paanshëm të Kinës mbi çështjen e Lindjes së Mesme. Pala egjiptiane është e përkushtuar për të ulur tensionet rajonale, për të zgjidhur konfliktet me mjete politike dhe për të arritur sigurinë e zhvillimin rajonal, duke qenë e gatshme të vijojë të forcojë koordinimin me palën kineze për të lehtësuar tensionet, për të ruajtur qëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme dhe për të eksploruar një arkitekturë rajonale të sigurisë.
Pas bisedimeve, të dy krerët e shtetit morën pjesë së bashku në nënshkrimin e disa dokumenteve të bashkëpunimit në fusha të tilla si nisma “Një brez, një rrugë”, inteligjenca artificiale, bashkëpunimi ekonomik e tregtar dhe bashkëpunimi në zinxhirin e furnizimit./Xinhua
Pas bisedimeve, të dy krerët e shtetit morën pjesë së bashku në nënshkrimin e disa dokumenteve të bashkëpunimit në fusha të tilla si nisma “Një brez, një rrugë”, inteligjenca artificiale, bashkëpunimi ekonomik e tregtar dhe bashkëpunimi në zinxhirin e furnizimit. Ata gjithashtu publikuan Deklaratën e Përbashkët midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës Arabe të Egjiptit mbi Thellimin e Mëtejshëm të Partneritetit të Gjithanshëm Strategjik. Gjatë vizitës, të dy palët nënshkruan gjithashtu më shumë se 20 dokumente bashkëpunimi në fusha të tilla si ekonomia digjitale, shkenca e teknologjia, arsimi dhe transporti./cgtn




















































