Rusia mohon mundësinë e shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk e ka në plan të shpallë një mobilizim të përgjithshëm të ushtrisë ruse gjatë fjalimit të tij javën e ardhshme në atë që njihet si “Dita e Fitores”, tha Kremlini të mërkurën më 4 prill.

“Kjo nuk është e vërtetë. Kjo është e pakuptimtë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov duke ju përgjigjur raportimeve të mediave perëndimore se Putini mund të përdorë rastin për të shpallur mobilizimin masiv të rezervistëve, njofton agjencia e lajmeve Interfax.

I pyetur nëse Putini mund t’i shpallte luftë të plotë Ukrainës gjatë fjalimit të tij të hënën ( 9 maj), Peskov u përgjigj: “Jo. Kjo është e pakuptimtë”.

Që kur sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës filloi në fund të shkurtit, Kremlini i është referuar gjithmonë fushatës ushtarake si “operacion special” por jo luftë, raporton agjencia e lajmeve dpa.

Disa media kanë raportuar se udhëheqësi i Kremlinit mund të shpallë një mobilizim të përgjithshëm të ushtarëve dhe rezervistëve në përpjekje për t’i dhënë një vrull të ri luftës në Ukrainë.

Rusia feston çdo 9 maj për të shënuar fitoren e Bashkimit Sovjetik në vitin 1945 mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore dhe është e zakonshme që Moska të shfaqë pajisjet e saj më të reja ushtarake.

Rusia do të ekspozojë disa nga armët e saj të reja në paradën e Moskës, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.