Tirana mbetet në pritje të organizimit të samitit të ardhshëm të NATO-s, por zhvillimi i tij nuk ka më një afat të përcaktuar. Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Dublin se takimi nuk do të mbahet në vitin 2027, paqartësia nuk lidhet vetëm me kalimin e samitit në një vit tjetër, por edhe me diskutimet brenda Aleancës për vetë periodicitetin e takimeve të nivelit të lartë. Mundësia që NATO të mos organizojë një samit në vitin 2027, apo edhe në vitin 2028, mbetet pjesë e skenarëve që po diskutohen.
Agjencia për Media dhe Informim (MIA) sqaroi sot se vendimi për organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë mbetet i pandryshuar, pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në Dublin, ku ai përjashtoi vitin 2027 si periudhë për zhvillimin e takimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, MIA theksoi se deklarata e kryeministrit kishte të bënte vetëm me kohën e zhvillimit të samitit dhe jo me anulimin apo ndryshimin e vendimit që Shqipëria të jetë vendi pritës.
“Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë. Ky vendim mbetet i pandryshuar. Sa i përket vitit dhe datës së zhvillimit të samitit, ato përcaktohen përmes vendimmarrjes së përbashkët të vendeve aleate në Këshillin e Atlantikut të Veriut”, thuhet në reagimin e Agjencisë.
MIA nënvizoi gjithashtu se Tirana si vend pritës mbetet e konfirmuar, ndërsa koha e zhvillimit përcaktohet nga vetë Aleanca.
Nga pritshmëria për vitin 2027 te pasiguria për kalendarin e NATO-s
Për të kuptuar zhvillimet e fundit, duhet rikthyer te vendimmarrja e mëparshme e Aleancës. Në Samitin e Hagës, në qershor 2025, liderët e NATO-s shprehën pritshmërinë për t’u takuar në Turqi në vitin 2026 dhe më pas në Shqipëri. Ky formulim krijoi pritshmërinë se Tirana do të priste samitin e vitit 2027.
Kjo pritshmëri u përforcua në Samitin e Ankarasë, më 7–8 korrik 2026. Gjatë konferencës për shtyp pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse samiti i ardhshëm do të mbahej në Shqipëri.
“Samiti i ardhshëm do të jetë vërtet në Shqipëri. Ky ishte vendimi në Hagë. […] Sigurisht, ende duhet të vendosim për kohën e saktë”, deklaroi Rutte.
Megjithatë, deklarata përfundimtare e Samitit të Ankarasë nuk përmbajti një referencë për vendin apo kohën e takimit të ardhshëm. Ky ndryshim në formulimin zyrtar, krahas mungesës së një kalendari të përcaktuar, la hapësirë për pikëpyetje mbi afatin e organizimit të samitit në Shqipëri.
Pse mund të mos ketë samit në vitin 2027?
Një nga arsyet kryesore të paqartësisë lidhet me diskutimet brenda NATO-s për ndryshimin e praktikës së organizimit të samiteve të përvitshme.
Sipas raportimeve të Reuters, Aleanca po shqyrton mundësinë e moszhvillimit të samiteve çdo vit, duke lënë më shumë hapësirë ndërmjet takimeve të nivelit të lartë. Kjo lidhet me faktin se samitet nuk janë takime me një periodicitet të detyrueshëm, por thirren sipas nevojave politike dhe të sigurisë së Aleancës.
Edhe vetë NATO, në shpjegimin zyrtar për samitet, thekson se ato organizohen në mënyrë të posaçme, në varësi të zhvillimeve dhe nevojave strategjike, dhe jo sipas një kalendari të rregullt e të detyrueshëm.
Një faktor tjetër që ka ndikuar në pasigurinë rreth organizimit të samitit në Shqipëri lidhet me rezervat e raportuara të administratës së presidentit amerikan Donald Trump. Reuters ka raportuar për kundërshtime nga pala amerikane dhe pakënaqësi të disa vendeve anëtare lidhur me nivelin e shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen.
Këto zhvillime kanë vënë në pikëpyetje planet fillestare për organizimin e takimit në vitin 2027. Megjithatë, deri tani nuk ka një vendim zyrtar të NATO-s që të konfirmojë se këta faktorë janë shkaku përfundimtar i ndryshimit të kalendarit.
Çfarë pritet të ndodhë me samitin?
Në deklaratën e tij në Dublin, më 12 nëntor, kryeministri Rama ishte i qartë për dy elemente: samiti nuk do të zhvillohet në vitin 2027 dhe, nëse NATO vendos të organizojë një samit në vitin 2028, ai do të mbahet në Tiranë.
“Ende nuk ka një qëndrim të përbashkët për kohën se kur do të zhvillohet samiti, sigurisht jo në vitin 2027. Dhe në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të jetë në Tiranë”, deklaroi Rama.
Kjo deklaratë evidenton një dallim të rëndësishëm: nuk bëhet fjalë për një vendim të konfirmuar për zhvendosjen e samitit nga Shqipëria në një shtet tjetër, por për mungesën e një vendimi përfundimtar mbi kohën kur NATO do të organizojë takimin e ardhshëm të liderëve.
Në këtë kontekst, mbeten të hapura disa mundësi: Aleanca mund të vendosë të mos organizojë samit në vitin 2027 dhe ta zhvillojë atë në vitin 2028 në Tiranë; mund të përcaktojë një afat tjetër; ose, nëse ndryshon periodicitetin e takimeve, të mos ketë një samit të veçantë në vitin 2028.
Nga ana tjetër, një zyrtar i NATO-s ka konfirmuar për Reuters se Shqipëria pritet të jetë vendi pritës i samitit të ardhshëm, ndërsa data mbetet e papërcaktuar. Kjo tregon se pritshmëria për organizimin e tij në Tiranë vazhdon të jetë në fuqi, edhe pse kalendari nuk është vendosur.
Për Shqipërinë, organizimi i një samiti të NATO-s përfaqëson një ngjarje të rëndësishme diplomatike dhe politike, pasi do të sillte në Tiranë drejtuesit më të lartë të vendeve anëtare dhe do ta vendoste vendin në qendër të vëmendjes së sigurisë euroatlantike.
Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se konfirmimi i vendit pritës nuk nënkupton domosdoshmërisht një datë të përcaktuar për organizimin e samitit. Vendimmarrja për këtë çështje i përket Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe kërkon dakordësinë e vendeve aleate.
© 2026 Argumentum





















































