Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ritheksoi të enjten zhgënjimin e diplomatëve perëndimorë me refuzimin e Kosovës për të shtyre për një periudhë dhjetë muajshe zbatimit të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, fillimi i zbatimit të të cilit bëri që punonjësit serbë të tërhiqen nga institucionet e Kosovës në veri.
Në një postim në Twitter, zoti Chollet tha se ka biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, më të cilin siç tha, ndau “zhgënjimin me vendimin e Kosovës për të mos zgjatur afatin për regjimin e targave”. Ai shkroi se më presidentin serb diskutoi edhe “përkushtimin tonë për uljen e tensioneve, sigurimin e përparimit të dialogut me Bashkimin Evropuan, normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe avancimin e integrimeve evropiane të Serbisë”.
Qeveria e Kosovës më 1 nëntor filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje prej dhjetë muajsh për të shmangur tensionet dhe për të krijuar hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi franko – gjerman që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan në Paris të enjten me presidentin francez Emmanuel Macron për të diskutuar tensionet e fundit në veriun e Kosovës dhe propozimin franko-gjerman, por ende është e paqartë nëse do të ketë një takim mes tyre.
Ata po qëndrojnë në Francë për të marrë pjesë në Forumin e Paqes të Parisit dhe ishte paralajmëruar mundësia për një takim të rrallë ndërmjet tyre. Por, pas takimeve me presidentin francez asnjëra palë nuk la të kuptohet nëse ai do të realizohet.