Të enjten pasdite, presidenti kinez Xi Jinping, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikan Donald Trump zhvilluan një takim të krerëve të shtetit Kinë-Rusi-ShBA në Shenzhen. Tre liderët diskutuan rreth temës “Mbrojtja e paqes botërore dhe nxitja e qëndrueshmërisë strategjike të marrëdhënieve midis fuqive të mëdha”.
Xi Jinping-u vuri në dukje që ky është takimi i parë në histori midis udhëheqësve më të lartë të Kinës, Rusisë e ShBA-së dhe ka një rëndësi pioniere. Historia tregon se kur fuqitë e mëdha bashkëjetojnë në harmoni, bota gëzon qëndrueshmëri, ndërsa kur ato përfshihen në konflikt, bota bie në kaos. Paqja është një aspiratë e përhershme e shoqërisë njerëzore. “Planeti ynë ka parë mbi 10 000 luftëra, madje edhe sot, më shumë se 60 konflikte rajonale vazhdojnë në mbarë botën. Më shumë se 80 vjet më parë, si forcat kryesore në luftën globale kundër fashizmit, Kina, Rusia dhe ShBA-ja luftuan krah për krah për të arritur një fitore të madhe, duke siguruar paqen dhe qetësinë për botën. Historia është teksti mësimor më i mirë. Ne duhet ta mbajmë mend historinë e të nxjerrim mësime nga ajo dhe të hapim një të ardhme të bukur,” u shpreh presidenti Xi.
Ai theksoi gjithashtu që njerëzimi jeton në të njëjtin “fshat global” dhe ndan një fat të përbashkët. Në këtë fshat global, fuqitë e mëdha mbajnë përgjegjësi të veçantë. Ndërveprimet pozitive midis fuqive të mëdha nuk janë një çështje zgjedhjeje, por janë të detyrueshme. Vitet e fundit, Kina ka nxitur marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik të bashkëpunimit me Rusinë për epokën e re, ka krijuar aktivisht marrëdhënie konstruktive strategjike dhe të qëndrueshme me ShBA-në dhe ka promovuar një strukturë marrëdhëniesh midis fuqive të mëdha me bashkëjetesë paqësore, qëndrueshmëri të përgjithshme dhe zhvillim të ekuilibruar, duke u sjellë përfitime palëve të përfshira, si edhe botës. Aktualisht bota po kalon ndryshime të thella të papara në një shekull dhe nuk është në paqe. Si fuqi të mëdha globale dhe vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina, Rusia dhe ShBA-ja duhet të japin një shembull të mirë, të bashkëpunojnë për të përballuar sfidat globale dhe të mbrojnë së bashku paqen e qëndrueshmërinë botërore, duke dhënë kontribut më të madh për përparimin e njerëzimit.

Xi Jinping-u paraqiti katër propozime për mënyrën si mund të ndërveprojnë fuqitë e mëdha për të mbrojtur së bashku paqen botërore.
Së pari, duhet të mbështetet respekti i ndërsjellë. Respekti i ndërsjellë është një parim themelor për bashkëveprimin midis fuqive të mëdha. Kina, Rusia dhe ShBA-ja kanë kushte të ndryshme kombëtare dhe ato duhet ta respektojnë njëra-tjetrën, të kërkojnë të përbashkëtat duke lënë mënjanë dallimet dhe të nxitin zhvillimin e përbashkët. Ato duhet të respektojnë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të njëra-tjetrës, të respektojnë sistemet shoqërore dhe rrugët e zhvillimit të zgjedhura prej vetë atyre e të respektojnë interesat thelbësorë dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës. Asnjëra palë nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të palëve të tjera. Në çështjet e ndjeshme që lidhen me shqetësimet e palëve të tjera, duhet të bëhet komunikim paraprakisht dhe të veprohet me kujdes, duke siguruar që të mos kalohen “vijat e kuqe” të palëve të tjera.
Së dyti, këmbëngulja në bashkëjetesën paqësore. “Kurthi i Tuqididit” nuk është fatalitet, por gjithçka varet nga zgjedhja e fuqive të mëdha. Kina, Rusia dhe ShBA-ja duhet të veprojnë si partnere e mike dhe të shmangin konfliktin e konfrontimin, duke ruajtur parimin e bashkëjetesës paqësore. Si fitimtaret kryesore në Luftën e Dytë Botërore, Kina, Rusia e ShBA-ja duhet të mbështesin me vendosmëri rendin ndërkombëtar të pasluftës dhe të mbrojnë parimet e Kartës së OKB-së dhe frytet e fitores së Luftës së Dytë Botërore. Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë, e duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për ta parandaluar atë.
Së treti, mbështetja e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. Kina, Rusia dhe ShBA-ja kanë burime të ndryshme zhvillimi e përplotësueshmëri të fortë ekonomike, dhe secila prej tyre mund të shfrytëzojë epërsitë e veta për të ndarë burimet dhe për të përmbushur nevojat e palëve të tjera. Të tre vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, të punojnë së bashku për të zgjeruar sferën e përfitimeve prej bashkëpunimit dhe të arrijnë përfitime të përbashkëta, duke kundërshtuar “shkëputjen”. Siguria energjetike globale përballet me sfida të rënda, prandaj të tre vendet mund të forcojnë komunikimin dhe koordinimin për të siguruar së bashku funksionimin e qëndrueshëm të zinxhirëve industrialë e furnizues të energjisë, duke mbrojtur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e tregut global të energjisë.
Së katërti, mbështetja e dialogut dhe konsultimeve. Është e pashmangshme që fuqitë e mëdha të kenë mosmarrëveshje. Pa komunikim, dyshimet mund të përhapen dhe fërkimet e vogla mund të përshkallëzohen në konflikte të mëdha. Të tre vendet duhet të mbajnë kontaktet e rregullta të nivelit të lartë, të hapin kanalet e dialogut në të gjitha nivelet dhe të krijojnë mekanizma për komunikimin dhe parandalimin e krizave, për të siguruar pakësimin e gjykimeve të gabuara, mbajtjen nën kontroll të mosmarrëveshjeve dhe mospërshkallëzimin e fërkimeve. Bashkësia ndërkombëtare pret që fuqitë e mëdha të luajnë një rol aktiv në nxitjen e paqes dhe bisedimeve në lidhje me çështjet e nxehta. Kina, Rusia dhe ShBA-ja duhet të vazhdojnë t’i nxisin palët e përfshira në konflikt të ulen në tryezën e bisedimeve për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me mjete politike dhe diplomatike.

Foto nga Xinhua
Nga ana e tij, presidenti Vladimir Putin u shpreh se Rusia, Kina dhe ShBA-ja janë vende anëtare të përhershme të Këshillit të Shtetit të OKB-së dhe frytet e fitores së Luftës së Dytë Botërore i lidhin të tre palët. Mbrojtja e qëllimeve të Kartës së OKB-së dhe e paqes ndërkombëtare është përgjegjësia e përbashkët e të tre vendeve dhe trajtimi siç duhet i problemeve të nxehta përputhet me interesat e përbashkët të tyre. Të tre vendet duhet t’u përmbahen parimeve të barazisë së sovranitetit dhe të mosndërhyrjes në punët e brendshme dhe duhet të kërkojnë mënyrat e zgjidhjes së çështjeve të nxehta nëpërmjet bashkëpunimit. Pala ruse është e gatshme të punojë me palën kineze dhe palën amerikane për të respektuar njëra-tjetrën, për të zhvilluar dialog të barabartë, për të bashkëjetuar në mënyrë paqësore duke trajtuar siç duhet mosmarrëveshjet, për të promovuar një tregti ndërkombëtare të lirë e të hapur, për të mbrojtur sigurinë energjetike e ushqimore e për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në qeverisjen e inteligjencës artificiale, duke dhënë kontribut të përbashkët për paqen dhe sigurinë e botës.
Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se takimi mes krerëve të shtetit ShBA-Kinë-Rusi tërheq vëmendjen e gjithë botës dhe ka rëndësi shumë të madhe, duke krijuar histori. Të tre vendet janë vende me armë bërthamore dhe kanë një përgjegjësi të veçantë e të rëndësishme për mbrojtjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë botërore. Të tre palët duhet të parandalojnë së bashku përhapjen bërthamore dhe të shmangin katastrofën që mund t’i sjellin armët bërthamore njerëzimit. Mbrojtja e qëndrueshmërisë dhe e paqes kërkon dialog dhe çdo problem duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut. Presidenti Trump u shpreh i gatshëm të punojë me homologët e vet Xi e Putin për të mbrojtur më mirë Tokën tonë dhe për të garantuar një të ardhme më të sigurt.
Të tre liderët shkëmbyen mendime edhe për krizën e Ukrainës, parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore, situatën në Lindjen e Mesme e në Gadishullin Korean etj.
Pas takimit, të tre vendet publikuan “Deklaratën drejt paqes të krerëve të shtetit Kinë-Rusi-ShBA”./cgtn



















































