Njëzet vjet mes sfidave, presioneve, të vërtetave të pakëndshme dhe besimit të lexuesve. Njëzet vjet në mbrojtje të fjalës së lirë, gjuhës shqipe dhe interesit publik. Një rrugëtim që nisi me një dilemë për ngjyrën e logos, por që asnjëherë nuk pati dilemë për ngjyrën e së vërtetës

Nga Vedat MEMEDALIU, Kryeredaktor
E mërkurë, 22 nëntor 2006. Një redaksi e re, një gazetë e re, një portal i ri! Një fillim plot entuziazëm, ambicie e besim, por edhe me shumë të panjohura përpara. Njëzet vjet më vonë, gazeta KOHA dhe portali koha.mk janë ende këtu. Dhe kjo nuk është pak!Nuk është pak në një vend ku mediat kanë lindur e janë shuar, ku redaksitë janë përballur me kriza financiare, presione politike, bojkotime ekonomike dhe përpjekje për t’ua imponuar vijën editoriale. Nuk është pak në një treg të vogël, ku mbijetesa e një gazete në gjuhën shqipe shpesh është një betejë më vete. Dhe nuk është aspak pak në një kohë kur lajmi matet me klikime, e vërteta shpesh mbytet nga propaganda dhe gazetaria serioze duhet të konkurrojë me zhurmën e rrjeteve sociale.
Gjatë këtyre dy dekadave kemi parë qeveri që vijnë e shkojnë, ministra që premtojnë e harrojnë, politikanë që dje ishin kundërshtarë e sot janë aleatë, dhe të tjerë që dje flisnin për parime, ndërsa sot i kanë shkëmbyer ato me poste. Kemi parë pushtetarë që e duan gazetarinë vetëm kur ajo u thur lavde dhe që e shpallin armike sapo ua shtron pyetjen e parë të pakëndshme.
Por, KOHA nuk lindi për t’u pëlqyer pushtetarëve. Nuk lindi për t’u bërë zëdhënëse e partive dhe as për t’u shndërruar në instrument të betejave të tyre. Lindi për t’i shërbyer publikut. Dhe ky dallim, sado i thjeshtë të tingëllojë, ka qenë shpesh dallimi mes gazetarisë dhe propagandës.
Në numrin tonë të parë premtuam se do t’i përkrahnim dhe do t’i kritikonim edhe të kuqtë, edhe të kaltrit. Sot, pas njëzet vjetësh, mund të themi se ngjyrat politike kanë ndryshuar, partitë kanë ndryshuar emra, koalicionet kanë ndërruar përbërje, por detyrimi ynë ka mbetur i njëjtë: të kritikojmë pushtetin kur gabon dhe të mbështesim vendimet e drejta, pavarësisht se kush i merr ato. Sepse gazetaria nuk është opozitë me çdo kusht, por as shërbëtore e pushtetit. Ajo është përgjegjësi ndaj së vërtetës.
Në këto njëzet vjet, KOHA ka qenë dëshmitare e zhvillimeve më të rëndësishme politike, shoqërore, ekonomike e kulturore në Maqedoninë e Veriut. Kemi raportuar për padrejtësitë, diskriminimin, korrupsionin, arsimin, shëndetësinë, varfërinë dhe problemet e përditshme të qytetarëve. Kemi ngritur çështje kur të tjerët kanë preferuar t’i heshtin. Kemi hapur debate që nuk u kanë pëlqyer të gjithëve.
Veçanërisht, kemi konsideruar se mbrojtja e gjuhës shqipe, e përfaqësimit të drejtë dhe e të drejtave të shqiptarëve nuk është agjendë partiake, por detyrim qytetar dhe profesional. Sepse, të kërkosh respektimin e ligjeve dhe demokracisë, nuk do të thotë të bësh politikë. Do të thotë të kërkosh që shteti t’i trajtojë qytetarët e tij me dinjitet dhe barazi. Dhe sa domethënëse është që, në njëzetvjetorin tonë, vazhdojmë të merremi me çështje që duhej të ishin zgjidhur prej kohësh! Gjuha shqipe vazhdon të përballet me pengesa institucionale, të drejtat e fituara vazhdojnë të bëhen objekt pazari politik, ndërsa barazia vazhdon të trajtohet nga disa si privilegj që duhet dhënë, e jo si e drejtë që duhet respektuar.
Kjo tregon se sa shumë ka ndryshuar vendi ynë, por edhe sa shumë ka mbetur pa ndryshuar!
Sigurisht, nuk pretendojmë se gjatë këtyre njëzet vjetëve kemi qenë të pagabueshëm. Gazetaria është punë njerëzish dhe njerëzit gabojnë. Mund të kemi bërë vlerësime që koha nuk i ka vërtetuar, mund të kemi lënë pa trajtuar tema që meritonin më shumë vëmendje dhe mund të mos kemi qenë gjithmonë aq të shpejtë sa kërkonin rrethanat. Por një gjë kemi synuar ta ruajmë: të mos e shesim asnjëherë ndërgjegjen profesionale. Sepse gabimi mund të korrigjohet. Ndërsa besimi, kur shitet, vështirë të blihet përsëri.
Sot, kur informacioni udhëton me shpejtësinë e një klikimi, sfidat janë edhe më të mëdha. Gazeta e shtypur, me aromën e letrës dhe zhurmën e faqeve që shfletohen, nuk e ka më monopolin e lajmit. Prandaj këtu është portali koha.mk që përveç që ka zgjeruar hapësirën e komunikimit me lexuesit, e ka çuar lajmin përtej kufijve, te shqiptarët kudo që jetojnë. Dhe, edhe pse teknologjia ka ndryshuar mënyrën e shpërndarjes së informacionit, thelbi i gazetarisë në KOHA mbetet po ai ditës së parë: lufta për të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
Sepse, verbërisht besojmë që, një lajm i pavërtetë nuk bëhet i vërtetë pse shpërndahet mijëra herë; një propagandë nuk bëhet gazetari edhe nëse mbledh miliona shikime; dhe një medium nuk bëhet i besueshëm vetëm pse është i shpejtë.
Besueshmëria nuk matet me klikime. Ajo ndërtohet me vite dhe mund të rrënohet për një ditë. Prandaj, në këtë përvjetor, mirënjohja jonë më e madhe u takon lexuesve. Atyre që na kanë lexuar që nga numri i parë, atyre që na janë bashkuar më vonë, atyre që na kritikojnë kur mendojnë se kemi gabuar dhe atyre që vazhdojnë të besojnë se gazetaria profesionale është e domosdoshme për një shoqëri demokratike.
Mirënjohje meritojnë të gjithë gazetarët, redaktorët, punonjësit teknikë, bashkëpunëtorët dhe shpërndarësit që gjatë këtyre dy dekadave kanë dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e KOHA-s. Numri më i madh vazhdojnë të jenë pjesë e këtij rrugëtimi, disa kanë zgjedhur rrugë të tjera profesionale, por puna e secilit mbetet pjesë e historisë sonë të përbashkët.
Sepse KOHA nuk është vetëm një logo, një gazetë apo një adresë interneti. Është mundi i shumë njerëzve, lajmet e minutës së fundit, debatet në redaksi, presioni i afateve dhe kënaqësia kur një e vërtetë e rëndësishme arrin te publiku.
Njëzet vjet më parë shkruanim se betejën për vlerësimin e punës sonë do ta pranonim vetëm me lexuesin dhe me askënd tjetër. Këtë bindje e kemi edhe sot. Nuk janë partitë, qeveritë, ministrat apo qendrat e pushtetit ata që duhet të na japin certifikatën e besueshmërisë. Atë e jep publiku.
Njëzet vjet më parë zgjodhëm të veçantën. Sot zgjedhim të njëjtën gjë: të mos i nënshtrohemi askujt, përveç së vërtetës.
Gëzuar 20-vjetorin, KOHA!
____________________________________________________________________
Redaksia e Argumentum.al uron gazetën KOHA dhe portalin koha.mk për 20-vjetorin e themelimit!
Dy dekada përkushtim ndaj fjalës së lirë, gazetarisë në gjuhën shqipe dhe informimit të publikut janë një rrugëtim që meriton vlerësim dhe respekt, veçanërisht për kontributin në hapësirën mediatike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Urojmë që KOHA të vijojë këtë rrugëtim me të njëjtin integritet, profesionalizëm dhe besim te fuqia e fjalës së lirë.
Gëzuar 20-vjetorin dhe suksese në dekadat që vijnë!
© 2026 Argumentum




















































