Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot takime të ndara, me ambasadorët e Ligës Arabe dhe të Izraelit në Shqipëri, me të cilët ndau opinionet dhe shqetësimet e tij në lidhje me situatën e konfliktit në Rripin e Gazës.
Gjatë këtyre takimeve, që Rama i cilësoi miqësore dhe të sinqerta, ai u shprehu shqetësimin për konfliktin e zgjatur në Gaza.
“Më 7 tetor, Shqipëria qëndroi e vendosur me Izraelin kundër Hamasit. Dhe ne vijojmë ta bëjmë këtë. Izraeli ka të drejtën e padiskutueshme për të mbrojtur veten dhe krimet e tmerrshme të Hamasit nuk mund të harrohen apo të relativizohen dhe nuk duhet të kalojnë të pandëshkuara”, u shpreh Rama.
“Megjithatë, si një vend paqedashës me shumë besime fetare, Shqipëria është shumë e shqetësuar për konfliktin e zgjatur në Gaza. Ne jemi të shqetësuar nga shkatërrimet, viktimat civile dhe vuajtjet”, vijoi Rama.
“Ne nuk kemi asnjë dyshim. Hamasi është një agjent i kaosit, një vegël në duart e lojtarëve djallëzorë me ambicie shumë përtej Gazës. Ata kërkojnë të shkatërrojnë çdo shans për pajtim dhe paqe rajonale duke minuar regjimet në Lindjen e Mesme. Ata përpiqen të antagonizojnë marrëdhëniet midis Evropës dhe Lindjes së Mesme deri në pikën e moskthimit duke shtyrë spiralen e një përplasjeje qytetërimesh. Ata kërkojnë të diskreditojnë demokracinë dhe shumë më tepër. Dhe kam frikë se zgjatja e vuajtjeve të civilëve të popullit palestinez dhe izraelit vetëm ushqen këto ambicie të liga”, u shpreh Kryeministri Rama.

“Më 6 nëntor, katër ditë përpara Forumit të Paqes në Paris 2023, unë paraqita idenë se një koalicion shumëkombësh i Ligës Arabe dhe Turqisë, me një mandat të OKB-së, mund të merrte përkohësisht kontrollin e Gazës duke lehtësuar rindërtimin e nevojshëm dhe kalimin e përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez”, u shpreh ai.
“Ne nuk duhet të lejojmë vazhdimin e narrativës aktuale në të cilën palestinezët në Gaza kanë vetëm dy zgjedhje: Hamasin ose Izraelin. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë dhe të krijojë një zgjedhje të tretë: një të ardhme për Gazën pa Hamasin dhe trupat izraelite”, u shpreh Rama.
“Pas krimeve të tmerrshme që Hamasi kreu më 7 tetor, nuk mund të ketë të ardhme politike për Hamasin. Druaj se e vetmja mënyrë për të bindur Izraelin që të ndalojë operacionet dhe të tërhiqet nga Gaza është duke ofruar garanci të forta se Hamasi është jashtë loje. Për hir të paqes, Izraeli dhe vendet fqinje arabe duhet të punojnë së bashku dhe të ndajnë përgjegjësinë për paqen. Kam frikë se ka një rrugëdalje minimale dhe një armëpushim i menjëhershëm për lirimin e pakushtëzuar të pengjeve më duket një pikënisje e pashmangshme”, theksoi Kryeministri Rama.
“Edhe pse aktualisht jemi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si një vend i vogël, Shqipëria është plotësisht e vetëdijshme për kufizimet e saj në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, të gjithë aktorët duhet të ndajnë barrën e ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme, pavarësisht fuqisë, madhësisë apo rëndësisë. Ky angazhim është një domosdoshmëri për të gjithë ne dhe Shqipëria nuk do të ngurrojë të bëjë pjesën e saj”, përfundoi Kryeministri Rama.
/Argumentum.al




























































